Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 4.8: Bashkimet e pa zbërthyeshme

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 4.8

Bashkimet e pazbërthyeshme. Bashkimet me perçina
Bashkimet e pazbërthyeshme përdoren gjerësisht në inxhinjerinë mekanike, në ndërtimin e anijeve, në ndërtimin e ndërtesave me strukturë metalike etj. Në këtë grup bëjnë pjesë bashkimet me perçina (ribatina) dhe me saldim. Këto janë dy mënyra me anën e të cilave mund të çmontohet bashkimi midis dy ose më shumë detaleve të makinave. Kjo realizohet vetëm nëpërmjet shkatërrimit të elementit lidhës.

BASHKIMET ME PERÇINA
Bashkimet me perçina përdoren në konstruksione të ndryshme si, në: ndërtimin e avionëve, anijeve, lidhjen e kapriatave në industrinë e ndërtimit edhe shumë paisje e makineri të ndryshme. Këto bashkime megjithëse kanë ndërtim të thjeshtë, harxhojnë shumë material, kanë kosto të lartë, nuk sigurojnë vendosje të saktë të detaleve që bashkohen etj. Këto të meta të bashkimeve me perçina, krahasuar me përparësitë që paraqesin bashkimet me saldim, kufizon përdorimin e tyre. Bashkimet me perçina përdoren kryesisht në konstruksione që mbajnë ngarkesa të mëdha vibruese ose goditëse, në rastet kur mungon energjia elektrike ose gazi për saldim etj. Perçina është elementi bashkues që siguron palëvizshmërinë e dy pjesëve që do të lidhen.

Ajo përbëhet nga koka dhe trupi cilindrik, por në praktikë përdoren edhe perçina me forma të ndryshme të kokës, të cilat varen nga kushtet dhe kërkesat e konstruksionit që do të lidhet. Koka e perçinës mund të jetë sferike, konike e fshehtë dhe gjysmë e fshehtë. Përmasa kryesore e perçinës është përmasa “d” e diametrit të trupit të saj. Si të gjitha detalet e tjera bashkuese edhe perçinat i kanë përmasat të standardizuara. Ndërsa përmasa bazë e një bashkimi me perçina është trashësia “S” e copës që do të bashkohet. Sipas kësaj përmase njehsohen përmasat e tjera të tegelit. Çeliku është materiali me të cilin përgatiten perçinat, por mund të përdoret edhe bakri, tunxhi, alumini etj. Ky proces bashkimi realizohet në të ftohtë ose në të nxehtë, kjo në varësi nga materiali me të cilin është përgatitur perçina si edhe nga përmasat e saj.

LLOJET E PERÇINAVE
Ka disa lloje perçinash të cilat plotësojnë kërkesa të ndryshme për kosto, fuqi etj. Perçina e fortë është një nga llojet më të vjetra që janë gjetur në zbulimet arkeologjike dhe datojnë në kohën e bronxit. Perçinat e forta përbëhen nga trupi dhe koka, të cilat mund të deformohen me çekiç. Ato përdoren në aplikime ku ka rëndësi besueshmëria dhe siguria, si p.sh., në strukturat e avionit. Materialet më të përdorura për perçinat e avionit janë aliazhet e aluminit, titanit dhe nikelit. Perçinat me strukturë shumë të fortë kanë zëvendësuar plotësisht strukturën e perçinës së çelikut. Arsyeja e këtij zëvendësimi është kostoja e lartë e tyre. Perçinat gjysmë tubulare janë të ngjashme me perçinat e forta dhe nevojiten për aplikime të ndryshme. Forca që nevojitet për t’u aplikuar në perçinën gjysmë tubulare është ¼ e forcës, që nevojitet kur përdorim perçina të forta.

Bashkimet me perçina realizohen:
– Me mbivendosje kur dy fletet metalike vendosen njëra mbi tjetrën.
– Me vendosje kokë më kokë kur dy detalet vendosen kokë më kokë dhe lidhen me element bashkues në njërën anë.
– Me vendosje kokë më kokë, kur dy detalet (fletët metalike) vendosen kokë më kokë dhe lidhen me element bashkues në të dy anët.

Në varësi të sasisë dhe mënyrës së vendosjes të perçinave tek elementët bashkues ato mund të jenë të vendosura në një rrjesht, në mënyrë zigzage, në dy rrjeshta etj. Vendosja e perçinave gjatë bashkimit të dy pjesëve metalike realizohet në mënyrë të rregullt dhe sipas disa standarteve. Ky bashkim që kryhet sipas këtyre rregullave, quhet tegel i perçinës. Pra tegeli formohet nga bashkimi i perçinave me pjesët që ato bashkojnë (p. sh., pllakat). Dy pjesët që do të bashkohen me perçina vendosen njëra mbi tjetrën dhe më pas shpohen vrimat ku do të futet trupi i perçinave. Koka e dytë e perçinës formohet duke shtypur pjesën e trupit të perçinës që del nga pjesët që bashkohen. Formimi i kokës mund të bëhet me rrahje të lirë me çekiç dore ose në mënyrë të mekanizuar.

Në vartësi të kushteve të punës njihen disa lloje tegelash, si:
• Tegela force, të cilat sigurojnë qëndrueshmëri të mjaftueshme të lidhjes ndaj forcave të jashtme, si p.sh., në strukturat metalike të ndërtesave apo në konstruksione të ndryshme mekanike.
• Tegela force hermetike, të cilat krahas qëndrueshmërise së lidhjes duhet të sigurojnë dhe hermecitetin e lidhjes, si: kazanët e avullit, enët nën presion etj.
• Tegela hermetik, të cilët nuk kanë qëllim të sigurojnë qëndrueshmërinë, por sigurojnë hermeticitetin e lidhjes, si: tubacionet e presionit të ulët, enët e lëngjeve me presion të ulët etj.
Bashkimi me perçina është proces delikat nga i cili varet cilësia e bashkimit dhe shpërndarja e njëtrajtshme e ngarkesës gjatë punës. Ky proces mund të bëhet në të ftohtë ose në të nxehtë në varësi të përmasave dhe llojit të metalit të perçinës.

Lidhjet me perçina ndahen në tre grupe:
– Bashkimet me perçina force, të cilat përdoren në konstruksionet metalike, të kapriatave, në kolona ku ka rëndësi vetëm qëndrueshmëria e lidhjes.
– Bashkimet me perçina kompakte që përdoren në rezervuaret me presion të brendshëm jo shumë të lartë, në të cilat ka rëndësi qëndrueshmëria e bashkimit.
Për të siguruar qëndrueshmërinë në këto lidhje ndërmjet fletëve metalike vendosen fletë jo metalike të buta.