Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 1.3 Teknologjia dhe transformimet mjedisore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi

Teknologjia dhe transformimet mjedisore

Krahas fatkeqësive natyrore, ngrohjes dhe ftohjes, planeti ynë po përballet me shumë probleme mjedisore të shkaktuara nga njeriu. Qëllimi i shkencës, zhvillimit teknologjik dhe i çdo aktiviteti industrial është që t’i vijë në ndihmë njeriut, nëpërmjet prodhimit të produkteve të gatshme ose gjysmë të gatshme. Nga ana tjetër, këto zhvillime kanë ndikim shumë të madh në mjedis, jo vetëm nëpërmjet shfrytëzimit të burimeve natyrore, por gjithashtu edhe nga mbetjet dhe shkarkimet teknologjike. Zhvillimi i veprimtarive ekonomike dhe shoqërore, krahas përditësimeve teknologjike, sjell edhe ndotje, nëpërmjet përftimit të energjisë, transportit, përftimit të energjisë atomike etj.

Ndotje quhet prania e një substance ose energjie në natyrë, sasia dhe prania e së cilës, krijon efekte të padëshirueshme mjedisore. Ndotjet e krijuara mund të zvogëlohen nëpërmjet përdorimit të teknologjive të pastra mjedisore ose teknologjive që zvogëlojnë në minimum shkarkimet (teknologji me proces të mbyllur). Mbrojtja e mjedisit ka qëllim të kufizojë deri në minimum ndryshimet në natyrë (ekosistemet) të tilla, si: efektet e ngrohjes globale, ruajtja e shtresës së ozonit, shpyllëzimi, pakësimi i gazrave, evitimi i shirave acide etj.

SISTEMI I ZGJIDHJES SË PROBLEMEVE TEKNOLOGJIKE
Të gjitha proceset, që çojnë në sistem ekologjik të suksesshëm, janë të lidhura me njohjen dhe zbatimin e programit për ruajtjen e mjedisit, i cili përcakton strategjitë për mbrojtjen e tij. Këto strategji bazohen në sistemin e identifikimit dhe zgjidhjes së problemit mjedisor.

Për zgjidhjen e këtyre problemeve duhen ndjekur këto hapa kryesore:
• identifikimi i problemit,
• mbledhja e informacionit,
• gjetja e zgjidhjeve të mundshme,
• përzgjedhja e zgjidhjes më të mirë,
• zbatimi i kësaj zgjedhjeje,
• vlerësimi.

Këta hapa përdoren për të zgjidhur të gjitha problemet, pavarësisht nga shkalla e vështirësisë. Në disa situata, hapat realizohen në më pak se një sekondë, ndërsa probleme të tjera mund të kërkojnë muaj për t’u zgjidhur. Më poshtë renditen disa probleme teknologjike dhe jepen mënyra të ndryshme të zgjidhjes së tyre.

– Ndotja e mjedisit nga derdhjet teknologjike
Ujërat, që dalin nga derdhjet e fabrikave të ndryshme, shpesh shkaktojnë probleme mjedisore. Një nga industritë më të përhapura në botë, është ajo e lëkurës. Kjo teknologji përbën shqetësim të madh për mjedisin nga derdhjet, që përmbajnë sasi të mëdha sulfitesh, komponime organike të tretshme dhe mbetje lëndësh regjëse të palidhura, ngjyrues, yndyrna dhe emulsione. Identifikimi i menjëhershëm dhe i drejtë i këtij problemi sjell edhe zgjidhjen e drejtë të tij. Trajtimi i derdhjeve teknologjike, kur është e mundur, duhet të ndiqet konkretisht nga çdo ndërmarrje e industrisë dhe me ndihmën e ndërhyrjeve nga organizatat mbrojtëse mjedisore. Gjithashtu shteti kontrollon, ndërhyn, nëpërmjet rregullave dhe ligjeve për të bllokuar punën e çdo fabrike ose ndërmarrjeje industriale që nuk përdorin impiantin e pastrimit. Zgjedhja e metodës së pastrimit, si dhe përcaktimi i parametrave të trajtimit të tyre, varet nga përbërja e derdhjeve teknologjike. Vlera e pH, përmbajtja e lëndëve organike dhe inorganike duhen mbajtur në nivelet e lejuara. Drejtuesit dhe personeli inxhiniero – teknik, ashtu siç janë përgjegjës për prodhimin dhe për teknologjinë e zbatuar, janë gjithashtu përgjegjës edhe për ndotjet e krijuara, prandaj duhet të marrin masa për përdorimin e substancave kimike me efekte ndotëse sa më vogla.

-Ndotja atmosferike.
Format kryesore të ndotjes
atmosferike janë ndotjet urbane, shkarkimet e substancave ndotëse nga impiante industriale dhe ndotjet shtëpiake në mjedise të mbyllura. Këto përbëjnë rrezik për natyrën dhe shëndetin e njeriut. Ndotësit më të mëdhenj të atmosferës janë: pluhuri dhe grimcat e ngurta apo të lëngëta që përmbajnë metalet e rënda, monoksidi i karbonit, oksidet e zinkut dhe të azotit. Këto dalin nga oxhaqet e impianteve termike dhe nga tubat e marmitës të mjeteve së transportit.

Për të zvogëluar këto ndotje shfrytëzohen procese të tjera ndihmëse teknologjike, si:
• proceset e djegies, të cilat shfrytëzohen nëpërmjet përdorimit të karburanteve me potencial të vogël ndotës (metani), që ka përmbajtje të vogël zinku, lëndë djegëse dhe kaldaja me kondensim, që janë më efiçente dhe më pak ndotëse.
• proceset industriale të ndryshme nga djegia, që mund të modifikohen ose të kryhen ndërhyrje në sistemet e pastrimit.
Për ndotjen urbane këshillohet përdorimi i benzinës me përmbajtje të ulët plumbi, përdorimi i marmitave katalitike dhe naftës me cilësi të mirë. Gjithashtu përdorimi i makinave elektrike, organizimi i kontrolleve të automjeteve dhe përdorimi i transportit publik sjellin ulje të sasisë së ndotjes.

– Hollimi i shtresës mbrojtëse të ozonit
Ozoni është mbrojtësi natyral i Tokës nga rrezatimet e dëmshme të Diellit. Ai e mbështjell atmosferën e planetit dhe parandalon rrezet ultravjollcë të dritës së diellit që të depërtojnë në sipërfaqen e saj. E vetmja mënyrë efikase për mbrojtjen e ozonit, është ndalimi i emetimit në atmosferë të substancave të dëmshme. Gjithashtu ka edhe iniciativa individuale, që çojnë në zgjidhjen e këtij problemi.
-Shiu acid. Ky shi është krijuar nga përzierja e dioksidit të zinkut, oksideve të squfurit dhe oksideve të azotit (që çlirohen nga makinat, fabrikat, termocentralet), me shiun e krijuar nga retë. Bashkëveprimi i ujit me oksidet e squfurit krijon acidin sulfurik, kurse me oksidet e azotit krijon acidin nitrik. Për shkak të çlirimit të gazeve acide në atmosferë dhe tretjes së tyre në tokë, ky shi është i dëmshëm për bimët, objektet e tjera dhe për shëndetin e njeriut. Ai ndikon edhe në ujërat e lumenjve, liqeneve dhe deteve duke dëmtuar peshqit dhe gjallesat e tjera ujore. Gjithashtu shiu acid është shkatërruesi më i madh i fasadave të ndërtesave dhe shtatoreve.

Përparimi i teknologjisë do të vazhdojë të krijojë probleme, veçanërisht në vendet e industrializuara. Iniciativa për marrjen e masave për reduktimin e ngrohjes globale, ruajtjen e shtresës së ozonit, pakësimin e gazrave, evitimin e shirave acide etj., përbëjnë objektivat parësorë për shumë shtete e organizata ambientaliste në këtë mijëvjeçar të ri. Objekt i politikave publike mjedisore është si ndryshimi i sjelljes në lidhje me ndotësit, ashtu dhe përdorimi i burimeve me synim mirëqenien publike dhe mbrojtjen e mjedisit. Shteti vendos taksa për automjetet që prodhojnë ndotje të mëdha ose taksa për përdorimin e burimeve natyrore, me qëllim minimizimin e harxhimit të tyre. Ndërkohë favorizon në taksa benzinën pa plumb apo motorët me katalizator, që zvogëlojnë ndikimet negative në mjedis. Një formë tjetër e përdorur është edhe përkrahja financiare në investime të ndryshme në dobi të mjedisit.

 

Jo të gjithë njerëzit dhe insitucionet veprojnë njësoj ndaj mjedisit. Disa zhvillojnë veprimtari mbrojtëse, ndërsa të tjerë e shfrytëzojnë mjedisin për qëllime biznesi dhe ekonomike.