Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 4.4: Trasmisionet me rrota të dhëmbëzuara

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 4.4

Transmisionet me rrota të dhëmbëzuara

Transmisionet me rrota të dhëmbëzuara janë shumë të përhapura në industrinë mekanike. Ato janë mekanizma, që shërbejnë për shndërrimin dhe transmetimin e lëvizjes ndërmjet dy boshteve të vendosur në largësi të kufizuar. Rrota e dhëmbëzuar shërben për t’i transmetuar momenin rrotullues (përdredhës) një rrote tjetër ose një elementi të dhëmbëzuar. Transmetimi me rrota të dhëmbëzuara kryhet edhe me anë të boshteve që ndërpriten. Rrota që realizon lëvizjen quhet rrota motore dhe rrota tjetër quhet rrota rezistente. Gjatë rrotullimit, dhëmbët e rrotës motore veprojnë mbi dhëmbët e rrotës rezistente, duke i shkaktuar rrotullim kësaj të fundit. Në këtë mënyrë formohet ingranazhi, i cili përbëhet nga rrota më e vogël dhe një rrotë më e madhe. Ingranazhet përgatiten prej materialesh metalike dhe jo metalike. Parametër i rëndësishëm për një çift ingranazhesh është raporti i transmisionit. Ky raport është konstant dhe përcaktohet me raportin e numrit të dhëmbëve të rrotave përkatëse: i= Zr / Zm Ku: i – raporti i transmisionit Zr dheZm – numri i dhëmbëve të rrotës rezistente dhe rrotës motore.

Pra për të përcaktuar raportin e transmisionit, duhet të paktën të jenë dy rrota (rrota motore dhe rrota rezistente), që janë të lidhura midis tyre dhe formojnë një sistem. Diametri i rrotës së dhëmbëzuar është në varësi të modulit të kësaj rrote. Moduli është madhësi standarde, i cili jepet në tabela dhe shpreh madhësinë e dhëmbit dhe të boshllëkut. Transmisionet me rrota të dhëmbëzuara klasifikohen në varësi të: pozicionit të boshteve, numrit të shkallëve të transmisionit, ndërtimit të tyre, profileve të dhëmbëve etj. Transmisionet me rrota të dhëmbëzuara kanë shumë përparësi, por krahas tyre paraqesin edhe mangësi (të meta).

Këto tranmisione përdoren për kryer transmetim të lëvizjes pa humbje (rrëshqitje) dhe për të realizuar këtë qëllim përdoren lloje të ndryshme rrotash.

RROTAT E DHËMBËZUARA CILINDRIKE
Këto rrota janë lloji më i zakonshëm i ingranazheve. Rrotat e dhëmbëzuara cilindrike përdoren për të transmetuar lëvizjen midis boshteve që janë paralele. Do dallojmë rrota të dhëmbëzuara cilindrike që kanë formë cilindrike me dhëmbë në sipërfaqen e brendshme, ose në sipërfaqen e jashtme. Në figurë, nëpërmjet vizatimit teknik tregohet rrota e dhëmbëzuar me elementet përbërëse të saj. Për t’u realizuar ky vizatim, disa nga elementen matet direkt në rrotë, kurse disa të tjerë duhet të llogariten. Në elementet e rrotave të dhëmbëzuara renditim: Diametri i jashtëm”da”, i cili është diametri i rrethit të jashtëm të rrotës.

Diametri i brendshëm (trungut) “df ” është diametri i rrethit, që kalon nga fundet e kanaleve, të cilat krijohen midis dhëmbëve. Diametri i rrethit të referimit “d” është diametri i një rrethi, që ndan lartësinë e dhëmbit ”h” në pjesën e sipërme dhe në pjesën e poshtme. Ky është një element, i cili duhet të llogaritet në rastin kur bëhet vizatimi i rrotës së bashku me elementet e tjerë. Hapi i rrotës së dhëmbëzuar “t”, përfaqëson gjatësinë e harkut të rrethit të referimit që takon një dhëmb dhe një hapësirë. Raporti 1/Π quhet modul i rrotës së dhëmbëzuar “m” dhe ka njësi matëse milimetrin. Për të ditur mënyrën e kryerjes së vizatimit në fillim me kalibër matet diametri i jashtëm”da”, pastaj numërohet numri i dhëmbëve të rrotës (Z). Me këto të dhëna llogaritet moduli, i cili kontrollohet në tabelën e moduleve. Rrotat e dhëmbëzuara që kanë module të vogla, kanë edhe dhëmbë dhe hapësira boshe të vogla, ndërsa e kundërta ndodh për ato me module të mëdha. Për të pasur transmetim të mirë të lëvizjes, lartësia e kokës së dhëmbit, duhet të merret sa moduli (m = ha ) dhe lartësia e trungut të dhëmbit merret sa 1,2 m, pra (hf = 1,2 m). Vetëm në këtë rast qendrueshmëria mekanike e dhëmbëve do të jetë e lartë.

RROTAT E DHËMBËZUARA HELIKOIDALE
Rrota helikoidale është rrota e thjeshtë e përmirësuar. Dhëmbët formojnë në lidhje me planin një kënd të caktuar, në mënyrë të tillë që sipërfaqja e shtytjes mes dhëmbëve të jetë më e madhe dhe kontakti të jetë më i ”butë”. Në këtë mënyrë eliminohet problemi që kanë ingranazhet e thjeshta. Duke projektuar në mënyrë të saktë këndet e dhëmbëve mund të çiftohen ingranazhe me akse të pjerrët. E metë e kësaj zgjidhje është prodhimi i forcës rezultante gjatë aksit të ingranazhit, që duhet të mbahet nga një kuzhinietë me sfera. E metë tjetër është edhe fërkimi më i madh mes dhëmbëve, që shkaktohet nga sipërfaqja e kontaktit, e cila duhet zvogëluar dhe kjo arrihet duke përdorur lubrifikantë.

RROTAT E DHËMBËZUARA ME ELIKË TË DYFISHTË
Ingranazhi me elikë të dyfishtë e zgjidh problemin e ingranazhit me rrotë helikoidale në sajë të përdorimit të dhëmbëve me majë në formë “V”, sepse në këtë stukturë forcat aksiale eliminohen me njëra – tjetrën. Simboli i Citroën përfaqëson “V” e rrotës së dhëmbëzuar me elikë të dyfishtë, të shpikur nga André Citroën. Ai shpiku një makinë të re, të cilën e quajti me emrin e tij. Ai gjithashtu studioi ingranazhet me elikë të dyfishtë dhe aplikimin e tyre.

RROTAT E DHËMBËZUARA KONIKE
Në rastet kur boshtet midis të cilëve transmetohet lëvizja priten në kënde 90°, në kënde më të vegjël se 90° ose në kënde më të mëdhenj se 90°, përdoren rrotat e dhëmbëzuara konike. Këto rrota kanë formën e konit me majat e dhëmbëve të vendosura në mënyrë të tillë, që të formojnë kënd të caktuar midis akseve. Nëse përkulja e dhëmbëve të secilës rrotë është më e madhe se 45°, këndi mes akseve është 90°. Ky sistem përdoret në diferncialet e makinave.

TRANSMISIONI ME KREMALIERË 
Në rastet kur lëvizja rrotulluese duhet të kthehet në drejtvizore ose anasjelltas, përdoret rrota e dhëmbëzuar cilindrike dhe vizorja e dhëmbëzuar (kremaliera). Pra përdoret një rrotë e thjeshtë konike e dhëmbëzuar, ndërsa kremaliera është vizore e dhëmbëzuar me gjatësi jo të përcaktuar. Kjo mund të konsiderohet si rrotë e dhëmbëzuar me rreze infinit. Ky sistem përdoret në automjete për të konvertuar rrotullimin në lëvizje drejtvizore të forcave që veprojnë mbi rrotat. I njëjti parim pune përdoret në disa hekurudha të quajtura me kremalierë, me të cilat trenat mund të kalojnë rrugë të pjerrëta në sajë të kontaktit të rrotës së dhëmbëzuar nën lokomotivë dhe një kremaliere të gjatë dhe të fortë nën binarë.

TRANSMISIONI ME ÇIFT BURMOR
Ky transmision përbëhet nga një bosht me filetë dhe nga një rrotë cilindrike me dhëmbë të pjerrët (helikoidalë) dhe ka si qëllim transmetimin e lëvizjes me anë të rrotullimit. Transmetimi i lëvizjes ndodh në sajë të filetës (njihet si “përçuese”), e cila lejon të mbahet një gjendje statike në dalje të sistemit. Një e metë e këtij mekanizmi është rendimenti më i vogël se 0.5. Kështu për kënde të caktuara të helikës çiftimi mund të rezultojë i pakthyeshëm (rrota nuk mund ta lëvizë filetën). Për këtë arsye, duhet që herë pas here të ndërhyet për të korigjuar këtë defekt.