Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 4.6: Llojet e bashkimeve të zbërthyeshme

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 4.6

Llojet e bashkimeve. Bashkimet e zbërthyeshme

Makinat vihen në punë nëpërmjet një tërësie detalesh dhe pjesësh metalike, të cilat të bashkuara në mënyra të ndryshme ndërmjet tyre, kryejnë një punë të caktuar. -Bashkimet e zbërthyeshme që janë bashkime, të cilat lejojnë të zbërthehen detalet përbërëse të tyre, pa shkaktuar prishjen e elementeve bashkues. Në këto bashkime nëse hiqet elementi bashkues, detalet ndahen nga njëri – tjetri. Ato mund të jenë të lëvizshme dhe të palëvizshme. Në këtë grup dallohen bashkimet, me: kiaveta, shlica dhe fileto. – Bashkimet e pazbërthyeshme janë bashkime, në të cilat pjesët e bashkuara nuk ndahen nga njëra – tjetra, pa shkatëruar elementet bashkues (perçinat dhe materiali i tegelit të saldimit). Në grupin e bashkimet të pazbërthyeshme bëjnë pjesë: bashkimet me perçina dhe bashkimet me saldim.

 

BASHKIMET E ZBËRTHYESHME
Bashkimet me kiaveta dhe shlica kanë moment përdredhës, i cili transmetohet nga boshti tek detali ose anasjelltas. Përmasat e detaleve të bashkimeve me kiaveta dhe shlica janë të standardizuara dhe zgjidhen në varësi të diametrit të boshtit.

– Bashkimet me kiaveta
Dallojmë dy lloje bashkimesh me kiaveta, me detale të lëvizshme dhe të palëvizshme. Këto bashkime përdoren në lidhjen e boshteve me detale, si: pulexha, volante, rrota të dhëmbëzuara etj., për të transmetuar momentin përdredhës.Lidhja e detaleve me kiaveta realizohet nëpërmjet një kanali (të hapur tek boshti dhe bokula). Hapja e tij sjell përqëndrim tensionesh e për pasojë zvogëlohet qëndrueshmëria e lidhjes. Kjo është një e metë te lidhjet me kiaveta.Bashkimet me kiaveta ndahen në dy grupe:
• Në bashkimet e patensionuara bëjnë pjesë : kiavetat paralele të zakonshme, paralele drejtuese, paralele rrëshqitëse dhe segmentare. Të mirat e këtyre bashkimeve janë: mungesa e shformimit paraprak të detaleve të lidhura.
• Në bashkimet e tensionuara bëjnë pjesë kiavetat pykë. Përparësitë këtyre bashkimeve janë: shmangia e zhvendosjes këndore dhe aksiale e detaleve. E metë është se, për shkak të tensionimit paraprak, ndodh shformimi i detaleve. Materiali kryesor është çeliku, por në raste të veçanta mund të përdoren edhe lidhje (aliazhe) të përpunuara termikisht. Përmasat e kiavetave janë të standartizuar. Sipas formës, kiavetat ndahen në: kiaveta paralele, në formë pyke dhe kiaveta segmentare. Kiavetat paralele (prizmatike) kanë seksionin tërthor të pandryshueshëm në gjithë gjatësinë. Fundet e tyre mund të jenë të rrafshta ose të rrumbullakuara . Ato vendosen në kanalin e formuar ndërmjet boshtit dhe bokulës në mënyrë të tillë, që faqja e sipërme e kiavetës të ketë hapësirë me fundin e kanalit të bokulës. Kiavetat segmentare përfaqësojnë një pllakë në formë segmenti rrethor, që futet në kanalin përkatës të boshtit. Këto përdoren kur momentet përdredhëse që transmeton bashkimi janë relativisht të vegjël. Kiavetat segmentare përgatiten më lehtë se bashkimet e tjera me kiaveta, por meqë lartësia “h” e kiavetës është e madhe, kanali i boshtit bëhet i thellë dhe dobësohet boshti në vendin e bashkimit. Kiavetat në formë pyke janë në formë prizmatike me seksion tërthor drejtkëndor që ndryshon në lartësi, gjatë gjatësisë së kiavetës. Këto kiaveta futen me forcë në kanal duke realizuar paraprakisht lidhje të tensionuar dhe krijojnë një forcë fërkimi të tillë, që bën të mundur transmetimin e momentit përdredhës nga një element i lidhjes tek tjetri. Nga mënyra e vendosjes në bosht kiavetat mund të jenë: kiaveta pykë me kanal në bosht, kiaveta pykë pa kanal në bosht dhe kiaveta pykë fërkuese. Në përgjithësi këto kiaveta realizojnë bashkime të palëvizshme të shtrënguara, që bëjnë të mundur transmetimin e momenteve përdredhëse dhe të forcave aksiale. Kur kërkohet që dy detale të zhvendosen kundrejt njëri – tjetrit, përdoren kiaveta paralele të fiksuara me vidha.

-Bashkimet me shlica
Bashkimet me shlica kanë përdorim të gjerë, si lidhje të lëvizshme në shumë paisje dhe makineri, ato zevëndësojnë shumë mirë bashkimet me kiaveta. Ashtu si bashkimet me kiaveta, bashkimet me shlica, përdoren për të transmetuar lëvizjet rrotulluese nga boshtet në detale të tjera, si: rrota të dhëmbëzuara, pulexha etj., dhe e kundërta. Në bashkimet me shlica bashkimi i boshtit 1 me detalin 2 bëhet me anë të shlicave të hapura në sipërfaqen e boshtit 1 dhe të vrimës 2 të detalit. Ky bashkim lejon të transmetohen momente të mëdha përdredhëse dhe kështu arrihet përputhja më e mirë e akseve të detaleve që bashkohen, në krahasim me bashkimet me kiaveta. Gjithashtu, në krahasim me bashkimet me kiaveta kanë edhe disa përparësi, si:
• Siguri e lartë në punë.
• Detalet në bashkimet me shlica drejtohen dhe udhëzohen, më mirë kur zhvendosen në drejtim të aksit.
• Tensionet e shtypjes, në faqet e shlicave, janë më të vogla se në ato të kiavetave.
• Qëndrueshmëria e boshteve të shlicuara në krahasim me boshtet me kiaveta, për ngarkesa dinamike dhe të ndryshueshme, është më e lartë.

Vështirësia teknologjike e përgatitjes dhe kostoja më e lartë e bashkimeve me shlica, në krahasim me lidhjen me kiaveta po zvogëlon përdorimin e tyre.