Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.25 Materiale dhe strukturat e ndërtimit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.25

Materialet dhe strukturat e ndërtimit

Materialet e përdorura për ndërtimin e objekteve quhen materiale ndërtimi dhe në bazë të origjinës së tyre, ndahen në materiale natyrale dhe materiale artificiale. Me zhvillimin e teknologjisë, shumëllojshmëria e materialeve ka qenë gjithnjë në rritje. Në ndërtim më shpesh përdoren: druri, gurë natyrorë e artificialë, çimento, çelik etj. Çdo material ka veti të caktuara dhe këto duhet të mos ndryshojnë, me kalimin e kohës dhe të mbeten të pandryshuara ndaj veprimit të temperaturës, elektricitetit, dritës, zjarrit etj. Vetitë kryesore të materialeve të ndërtimit janë vetitë mekanike, fiziko – kimike dhe teknologjike. Në laboratore të veçanta kryen testime dhe kontrolle të tyre. Laboratorët janë të pajisur me aparate për matjen e rezistencës në shtypje dhe në prerje të betonit dhe çimentos, matjen e konsumimit të fërkimit të pllakave prej guri dhe të çimentos, matjen e rezistencës ndaj goditjeve të pllakave. Gjithashtu ato kryejnë edhe vlerësimin e cilësisë së hekurit, që përdoret në ndërtim etj.

ELEMENTET KONSTRUKTIVË
Në një projekt ndërtimi, përveç vizatimit arkitektonik, vend të rëndësishëm ka edhe projekti konstruktiv. Arkitekti jep zgjidhjen estetike e funksionale për shfrytëzim të objektit, kurse inxhinieri i ndërtimit llogarit elementet konstruktivë, që sigurojnë aftësinë mbajtëse të tij. Duke iu referuar zgjidhjeve arkitektonike, inxhinieri i ndërtimit detajon dhe paraqet me vizatime teknike planin e themeleve, planet e strukturave të çdo kati, planin e tarracës (ose çatisë), prerjet konstruktive të objektit, si dhe elemente të tjera (kolonat, trarët etj.).

 

Elementet konstruktivë të një ndërtese janë:
• Themelet janë strukturat mbështetëse, kryesore e të domosdoshme të ndërtesës, sepse ato mbajnë dhe shpërndajnë peshën e objektit në tokë. Themelet, sipas materialit të përdorur, janë prej guri, betoni, butobetoni ose betonarme. Forma e themeleve varet nga lloji i tokës dhe i ndërtimit. Ato mund të jenë të vazhduara, me plinta ose me pilota. Një pjesë e themelit, e cila ndërtohet mbi sipërfaqen e tokës, quhet xokol. Shpesh ndërtohen bodrume të nëndheshme ose garazhe, të cilat përdoren jo vetëm si element për përforcimin e themeleve, por edhe si mjedise funksionale.

• Strukturat mbajtëse vertikale janë kolonat betonarme, që lidhen me themelet. Ato formojnë skeletin e ndërtesës dhe shërbejnë për shpërndarjen e ngarkesave në themele. Këto kolona lidhen me strukturat horizontale, duke krijuar “kafazin” strukturor. Element tjetër vertikal janë muret mbajtëse, të cilat ndërtohen mbi themelet e vazhduara.

• Strukturat mbajtëse horizontale janë ndërkatet, që bëjnë ndarjen e kateve dhe mbajnë peshën e dyshemesë, mureve, mobiljeve, njerëzve etj. Ato përbëhen nga shtresa betonarme dhe tulla. Në ndërtesat e vjetra, ndërkatet realizoheshin me tulla, trarë druri etj.

• Trarët janë element horizontal të rëndësishëm, përsa i përket rolit që ata luajnë për të mbështetur e mbajtur katet dhe për të shpërndarë peshën tek kolonat, me të cilat lidhen në skaje.

• Tarracat ose çatitë janë elementë konstruktiv të ndërtimit, që mbrojnë ndërtesën nga agjentët atmosferikë (shiu, era, bora, dielli etj.) Format e tyre u përshtaten zonave ku ndërtohen. Çatitë përdoren kryesisht në zonat malore, ndërsa tarracat ndërtohen për zonat me klimë më të butë.

• Strukturat jo mbajtëse quhen elementet vertikalë, që krijojnë mbylljen nga jashtë të ndërtesës. Sipas materialit, ato mund të jenë: mure me tulla, me gurë, panele parafabrikat, panele (ose tulla) xhami etj. Përveç mbylljes së ndërtesës, këto elementë duhet të sigurojnë izolim të mirë termik dhe akustik.

• Struktura ndarëse quhen muret ndarës, që bëjnë ndarjen e hapësirave të brëndshme të ndërtesës.

• Shkallët janë elementë konstruktiv, që shërbejnë për lidhjen e kateve. Sipas materialit të përdorur, ato mund të jenë betonarme, dru, metal etj. Shkallët e jashtme shërbejnë për lidhjen e ndërtesës me terrenin.