Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 4.7: Bashkimet me fileto

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 4.7

Bashkimet me fileto

Bashkimet me fileto kanë përdorim të gjerë në praktikë. Këto bashkime paraqesin një sërë përparësish në krahasim me lidhjet e tjera sepse janë të thjeshta, kompakte, kanë saktësi të mjaftueshme dhe mund të përdoren në vende me ngarkesa nga më të ndryshme. Fileto ka tri parametra që janë: diametri i jashtëm d, diametri i brendshëm d1 dhe hapi t. Një diametri d dhe një hapi t, i përgjigjet një diametër i caktuar d1. Sipërfaqja që filetohet mund të jetë cilindrike ose konike. Kur fileto bëhet në sipërfaqen e jashtme quhet fileto e jashtme dhe e kundërta, kur ajo bëhet në sipërfaqen e brendshme, quhet fileto e brendshme. Të dy llojet e filetove mund të priten edhe me dorë duke përdorur vegla prerje të posaçme. Sipas formës së profilit, filetot ndahen në fileta me profil të rrumbullakët, katror dhe trapezor. Gjithashtu sipas drejtimit të kanalit helikoidal, filetot ndahen në të djathta dhe të majta. Në përgjithësi përdoren filetot e djathta, por në rastet e detaleve që rrotullohen ku kahu i rrotullimit ndikon në zhvidhosjen e detaleve të filetuara, përdoren filetot e majta. Si shembull shërbejnë akset e pedaleve të biçikletës. Detalet bashkuese me fileto përdoren në bashkimet e çmontueshme të detaleve. Në këto detale renditen: bulonat, dadot, vidhat, vidhat pa kokë etj.

-Bulonat janë detale me trup cilindrik, të filetuar pjesërisht ose plotësisht dhe me kokë të formave të ndryshme. Më të përdorshmet janë bulonat me kokë në formë prizmi gjashtëkëndësh por ka edhe bulona me kokë katrore, sferike etj.

Bulonat pa kokë janë detale cilindrike të filetuara nga të dyja anët. Ato përdoren për bashkimin e detaleve në ato raste kur njëri nga detalet është masiv dhe kur nuk është i përshtatshëm përdorimi i bulonave ose vidave. Pjesa e filetuar me gjatësi më të vogël, quhet rrënja e bulonit pa kokë.

-Vidhat përdoren për mbërthimin dhe fiksimin e detaleve. Ato që përdoren për mbërthimin e detaleve quhen vidha mbërthyese, kurse ato të llojit të dytë quhen vidha fiksuese. Vidhat përbëhen nga koka dhe trupi i filetuar pjesërisht ose plotësisht. Përdorimi i njërës mënyrë ose tjetrës ka lidhje me përmasat e detalit. P.sh., bashkimi me bulona është më i përshtatshëm me detalet me trashësi relativisht të vogla, ndërsa buloni pa kokë ose vidha përdoren në rastet kur njëri nga detalet që lidhet ka përmasa relativisht të mëdha. Buloni pa kokë në dallim nga vidha ruan detalin nga dëmtimet që mund të lindin si pasojë e mbëthimeve / zbërthimeve të shpeshta. Në këto bashkime numri i bulonave (bulona pa kokë ose vidave) mund të jetë një i vetëm ose disa të tillë. Të metat e këtyre lidhjeve janë: dobësojnë detalet që lidhen, nuk arrijnë saktësinë e kërkuar (në raste të veçanta), krijojnë nyje të rënda etj.

– Dado është detal bashkues, që ka një vrimë të filetuar dhe shërben për bashkimin e detaleve së bashku me bulonin dhe rondelen. Ato kanë forma të ndryshme (gjashtëkëndore, të rrumbullakta, me veshë etj.), me qëllim që të sigurojnë mundësinë e lidhjes së plotë dhe të jenë praktike në përdorim. Më shpesh përdoren dado me formë gjashtëkëndore. Forma e saj ka zakonisht pamjen e një prizmi me bazë gjashtkëndësh të filetuar në pjesën e brendshme. Në lidhjet e zakonshme përdoren dado me lartësi normale (H= 0,8d), ndërsa në lidhjet me vibrim përdoren dado me gjatësi më të mëdha.

– Rondele , e cila shërben për të ruajtur sipërfaqen e detalit nga shtypjet ose gërvishtjet gjatë shtrëngimeve dhe lirimeve të dadove. Ato vendosen nën dado ose nën kokën e vidhës. Rondelet kanë forma të tilla ndërtimi, të cilat varen kryesisht nga roli që ato kryejnë në nyje. Ato luajnë rol mbrojtës për detalet, sigurojnë që të mos zhvidhosen. Mënyra e bashkimit të dy ose më shumë detaleve mund të bëhet direkt nëpërmjet detaleve, me elemente lidhës ose me kombinimin e tyre. Në bashkimet me fileto, bashkimin e detaleve e kryen çifti vidhë – dado (pjesët e filetuara). Në lidhjet e drejtpërdrejta detalet janë të pajisura me pjesë të filetuara (njëra vidhë, tjetra dado). Në varësi të përdorimit, dadot kanë forma të ndryshme, si: gjashtëkëndore, katrore, me kurorë për t’u fiksuar me tel fiksues, me kanale anësore për t’u kapur me çelësa special, me veshë për forca të vogla dhe montim / çmontim etj. Në bashkimet me elemente bashkues përdoret buloni i shoqëruar me dado. Ndërsa në bashkimet e kombinuara përdoret buloni pa kokë (ose vida), i shoqëruar me njërin detal të filetuar. Në këtë rast detali rolin e dados. Bashkimet me fileto janë të çmontueshme dhe realizohen nëpërmjet elementeve mbëthyes të filetuar, si: bulonat, vidhat, bulonat pa kokë dadot, rondelet etj. Në një vështrim të përgjithshëm mund të thuhet se buloni dhe vidha formohen nga pjesa e filetuar, trupi dhe koka, ndërsa buloni pa kokë, nga pjesët e filetuara dhe trupi. Pjesa e filetuar ruan gjithmonë të njëjtën formë konstruktive, ndërsa trupi dhe koka ndryshojnë.