Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 3.3 Tekstilet dhe lëkura

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 3.3

Tekstilet dhe lëkura

TEKSTILET
Nevojat për tekstilet përbën një nga kërkesat e domosdoshme të njerëzve në jetën e përditshme. Industria tekstile është një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, i cili lidhet me zhvillimin dhe rritjen e mirëqenjes ekonomike të popullit. Larmia e tekstileve lidhet dhe zhvillohet me përdorimin e tyre. Lloje të shumta tekstilesh përdoren, për: veshje dhe aksesorë, zbukurimin e brendshëm të shtëpisë (perde, çarçafë, mbulesa, qilima, çentro etj), përdorime të ndryshme familjare (pastrim), litarë, spango, materiale izoluese. Njohuritë për fibrat tekstile, ndihmojnë në përzgjedhjen e copës së duhur, që do të përdoret për veshje ose për përdorime të tjera. Në figurat e mëposhtme jepen katër lloje tekstilesh me veti të ndryshme.

Xhinsi është një pëlhurë shumë e përdorshme për lloje të ndryshme veshjesh. Fleksibiliteti i këtyre fibrave lejon që ato të palosen lehtësisht për t’u vendosur në dollap. Rezistenca, bën që ato mos konsumohen shpejt nga fërkimet.

 

Tapiceria për divane e kolltuqe është pëlhurë e trashë dhe e plotë, rezistente ndaj fërkimeve gjatë qëndrimeve në to.

Çarçafi është pëlhurë e lëmuar, e hollë dhe krijon ndjesi të kënaqshme me trupin e njeriut. Lahet me lavatriçe,  lekuroset dhe paloset me lehtësi.

Peshqiri i banjës është i butë, përdoret për trupin dhe fytyrën. Ai e thith shumë mirë lagështirën.

Fibrat tekstile Për prodhimin e artikujve tekstile, përdoren pëlhura, të cilat përgatiten nga fibra që dallojnë nga njëra – tjetra, si nga ndërtimi ashtu dhe nga vetitë. Ato ndahen në: fibra natyrore dhe fibra të fituara në rrugë kimike (industriale).

Nga minerale të ndryshme, si: alumini, bakri, qelqi dhe azbesti përftohen fibra, me të cilat prodhohen tekstilet, që gjejnë përdorim në teknikë dhe nuk janë të përshtatshme për veshje. Me to përftohen: fije dhe kabllo për përcjellës elektrikë, izolues të mirë të nxehtësisë,elektricitetit dhe zërit, veshje zjarrduruese (këpucë, doreza etj.). Pëlhurat mund të jenë edhe me fibra të përzjera si në rastin e kombinimit të pambukut me poliester me të cilat janë të përbëra këmishat dhe bluzat. Këto përzierje bëjnë që pëlhurat të jenë të forta, të freskëta dhe të mos rrudhosen. Nga përzjerja e fibrave poliester dhe najlon përftohet mikrofibra, e cila është shumë e butë dhe përdoret për pastrim. Fibrat, që të mund të përdoren si lëndë e parë dhe të përpunohen në makinat e ndryshme tekstile, duhet të kenë disa veti, si: pesha, trashësia, gjatësia, fortësia, butësia etj. Aftësia e fibrave për: t’u zbardhur dhe ngjyrosur, thithur ujin, ndezshmëria, ngjyra, shkëlqimi, forma, rezistenca ndaj mikroorganizmave dhe rezistenca ndaj substancave kimike, përcaktojnë vetitë e tekstileve të prodhuara prej tyre. Për përftimin e një njësie pëlhurë duhen ndjekur disa hapa që fillojnë me përftimin e fijes.

Nga fibrat në fije Të gjitha fibrat pavarësisht origjinës së tyre, pasi grumbullohen, pastrohen dhe më pas kalojnë në procesin e tjerrjes për përfitimin e fijes. Me termin tjerrje (filaturë) kuptohen proceset e nevojshme për transformimin e fibrave tekstile në fije. Qëllimi i procesit të tjerrjes është marrja e produktit përfundimtar me veti të mira të elasticitetit, rezistencës, ngjyrës. Tjerrja realizohet me dorë ose në mënyrë të mekanizuar. Gjatë tjerrjes, kryhet hollimi i fijes për t’u përdorur më pas në procese të tjera për përftimin e pëlhurës.

Nga fija në pëlhurë Pëlhura është produkti përfundimtar që përftohet me kryqëzimin e fijeve me thurje dhe endje. Kjo realizohet me një makineri, që quhet tezgjah. Për të përftuar një pëlhurë duhet të gërshetohen dy fije me njëra – tjetrën. Njëra formon pëlhurën në drejtimin vertikal (fija e bazës) dhe tjetra në drejtim horizontal (fija e indit). Në endjen e çdo pëlhure rëndësi ka rregulli dhe mënyra si janë thurur fijet me njëra – tjetrën. Thurja dhe endja e fijeve shumë vite më parë kryhej në mënyrë artizanale në shtëpi, duke përdorur mjete të thjeshta. Kjo traditë vazhdon edhe sot, sepse punimet artizanale pëlqehen për bukurinë dhe cilësinë e tyre.

LËKURA
Lëkurët e marra nga kafshët kanë përdorime të ndryshme në industrinë e këpucëve,veshjeve, në galanteri, për të prodhuar aksesorë (çanta, valixhe, portofolë, rripa) dhe në prodhimin e veshjeve për shtëpi (kolltuqe, divane lëkure etj.). Industritë e lëkurës dhe e këpucëve përpunojnë zakonisht lëkurë gjedhi (dem, lopë, buall, viç), bagëti të imta (dele, dash dhe qingji) etj. Vlera tregëtare e lëkurës varet nga mosha, raca, gjendja shëndetësore e kafshës. Lëkurat kanë veti të ndryshme dhe në bazë të tyre zgjidhet edhe përdorimi.

Vetitë e lëkurës
Lëkura është një produkt higjenik dhe praktik. Ajo i reziston konsumimit, është e padepërtueshme nga uji, në të njëjtën kohë lejon të depërtohet nga ajri dhe lagështira (djersa). Defektet më të shpeshta që dallohen në të janë: njollat (sjellin ndryshimin e ngjyrës natyrore), ashpërsia e madhe, plasaritja etj.

Struktura e veçantë e lëkurës, e përbërë nga një thurje tri – dimensionale e fibrave të kolagjenit (proteinë), e bën atë të ketë vetitë termoizoluese, veçanërisht të dobishme në sezonin e dimrit. Nga ana tjetër, ajo ka përçueshmëri të mirë elektrike dhe për këtë arsye, p.sh., përdorimi i këpucëve prej lëkure shmang ndjenjën e pakëndshme të “goditjes elektrike”. Për këto arsye, si dhe për aspektet estetike dhe ndjeshmërinë e këndshme në prekje, që japin produktet prej lëkure, vazhdimisht janë bërë përpjekje për të prodhuar materiale alternative, që imitojnë lëkurën. Këto materiale të prodhuara, nganjëherë duken shumë të ngjashme me lëkurën nga pikëpamja vizuale, por nga ana tjetër, nuk kanë karakteristikat funksionale si të lëkurës së vërtetë. Prandaj, në mbrojtje të konsumatorit, është e nevojshme të përcaktohet nga pikëpamja legjislative, që materialet të cilat përkufizohen, “lëkurë”, të jenë lëkurë e vërtetë me të gjitha vetitë karakteristike.