Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 5.3: Teknologjia e prodhimit Industrial dhe artizanal

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 5.3

Teknologjia e prodhimit industrial dhe artizanal

TEKNOLOGJIA E PRODHIMIT INDUSTRIAL
Prodhimi industrial përfaqëson aktivitetet që lidhen me përpunimin e lëndëve të para, shfrytëzimin e energjive dhe informacionin, pra është kombinimi i faktorëve të prodhimit për t’i kthyer ato në produkte (output).
Prodhimi i produktit kompleks kërkon procese të projektuara mirë (teknologji, pajisje etj.), si sistem të veçantë prodhimi. Niveli i arritur nga zotërimi i njohurive teknologjike lejon hartim dhe zbatim të metodave të reja të prodhimit si dhe mënyra të reja organizimi, menaxhimi dhe kontrolli. Këto risi të lidhura ngushtë me konteksin ekonomik dhe shoqëror mundësojnë zhvillime të reja teknologjike. Ndikimin më të madh e më të shpejtë në zhvillimin e shoqërisë njerëzore dhe të mjedisit e ka dhënë teknologjia industriale, e cila nisi me krijimin e makinave, të cilat viheshin në lëvizje me fuqi motorike dhe me prodhimin masiv të mallrave në ndërmarrje e fabrika. Epoka e re e revolucionit të automatizimit, teknologjia industriale, bashkë me teknologjitë e tjera çuan në krijimin e shoqërisë të sotme moderne. Teknologjia industriale në bazë të produkteve përfundimtare që përftohen gjatë proceseve të prodhimit ndahet në degë të veçanta.

Gjatë këtyre proceseve objektet e punës mund të ndryshojnë formën dhe përmasat (si në rastin e prodhimit të objekteve prej metali, druri dhe materiale të tjera), gjendjen dhe vetitë kimiko – fizike (si në rasin e shkrirjes të metaleve, përgatitjes të produkteve kimike, ushqimore etj.). Në analizën që i bëhet prodhimit duhen marrë gjithmonë parasysh disa parametra, të cilët bashkëveprojnë midis tyre duke përcaktuar sistemin e prodhimit. Këto parametra janë: cilësia, koha, kosto dhe fleksibiliteti. Teknologjia e prodhimit industrial ka të bëjë me zbatimin e parimeve themelore të inxhinierisë, aftësive teknike dhe dizajnit industrial. Më poshtë jepen disa lloje të teknologjisë të prodhimit industrial.

Mënyra e formimit të objekteve prej qelqi
Teknologjia e prodhimit të qelqit ka pësuar ndryshime thelbësore me zhvillimin e procesit me notim, e cila ka zëvendësuar sistemin e mëparshëm të prodhimit me atë me petëzim (pasta e qelqit kalonte në një seri rulash metalik). Procesi me notim zhvillohet si më poshtë: Lënda e parë (kuarci, soda kaustike, kaliumi, kalçiumi, oksidet e metaleve) përzjehet dhe futet në furrën e shkrirjes në temperaturën rreth 1500°C. Masa e qelqit kalon në vaskën me metal (kallaj i shkrirë), përhapet në mënyrë të njëtrajtëshme dhe kthehet në fletë. Për të mënjanuar ftohjen e shpejtë, qelqi kalon në furrën e ripjekjes (me temperaturë më të ulët), ku fillon të ftohet gradualisht. Shiriti i qelqit në fund pritet në lastra me dimensione të ndryshme në vartësi të kërkesës. Këto fletë xhami kanë gjetur përdorim shumë të madh në ndërtim.

Teknologjia ushqimore
Teknologjia e prodhimit të produkteve ushqimore konsiderohet jo vetëm pasaardhëse e prodhimeve artizanale, por shpesh ajo është e ndërthurur me aspekte të veçanta të tyre. Një rast tipik që shpjegon këtë lidhje është teknologjia e prodhimit të bukës.

Lënda e parë për prodhimin e bukës është mielli, i cili nuk është burim natyror. Për t’u prodhuar ai, nevojitet përpunim industrial i drithrave, të cilat në këtë rast janë burime natyrore. Përveç miellit, në prodhimin e bukës nevojiten: ujë, kripë, maja si dhe shtesa të tjera në përputhje me recetën dhe llojin e bukës. Teknologjia e prodhimit të bukës kalon në këto procese kryesore: përgatitja e brumit, përpunimi, formimi, fermentimi, pjekja dhe ftohja. Në rast të prodhimit me kapacitet të lartë këto procese kryhen të mekanizuara, ndërsa në subjektet e vogla prodhuese (furrë, punishte) kryhen edhe procese të thjeshta me dorë, si: peshimi, prerja, formimi etj.

TEKNOLOGJIA E PRODHIMIT ARTIZANAL
Teknologjia e prodhimit artizanal luan rol të rëndësishëm në sektorin e dytë ekonomik. Aktiviteti artizanal është aktivitet pune i kufizuar, që realizohet kryesisht me dorë ose me mjete të thjeshta dhe drejtohet nga mjeshtër me ndihmën e familjarëve ose një numri të vogël punonjësish. Karakteristika më e veçantë e këtij aktiviteti është lidhja midis: vendndodhjes së lëndës të parë, aftësive krijuese dhe punuese të artizanit në zona të caktuara dhe tregëtimit të produkteve të përftuara.

Punimet artistike që prodhohen në provinca të vogla, në fshatra janë kryesisht prodhime shtëpiake. Industria artizanale është pjesë e trashëgimisë së njerëzimit dhe për këtë arsye i kushtohet rëndësi e veçantë njësoj si monumenteve dhe trashëgimisë kulturore. Që në kohët e lashta dhe përpara krijimit të industrisë, artizanati ka ndihmuar dhe e ka lehtësuar njeriun në punët e tij. Përpara krijimit të fabrikave të mëdha të tekstileve, punishtet e vogla kanë plotësuar nevojat e njerëzve për veshmbathje. Edhe arkitektura ka qenë e lidhur me industrinë artizanale, sepse në arkitekturë nuk mund të mos përdoreshin punimet e ndryshme zbukuruese. Përpunimi i arit dhe argjendit është një nga zejet më të vjetra. Industria artizanale zhvillohet në fabrika e punishte të posaçme, ku aktivitetet kryesore janë: përpunimi i lëkurës, thurja e shportave, punimi i qelqit, thurja e qilimave dhe tapeteve, përpunimi i enëve prej balte etj.

Aktivitetet artizanale klasifikohen:
Artizanati me dorë. Në këtë aktivitet punëtorët kryejnë me dorë me mjeshtëri të gjitha veprimet. I njëjti person kryen të gjitha proceset e realizimit të produktit artizanal, si: studimi, skicimi, fabrikimi, tregëtimi, menaxhimi dhe transporti.
Artizanati i shërbimit përfaqësohet nga një person ose një ndërmarrje, të cilët merren me mirëmbajtjen dhe riparimin.
– Artizanati artistik. Karakteristikë në këtë lloj artizanati është prodhimi i objekteve dhe të mirave, të cilat përfaqësojnë krijimtarinë personale. Industria artizanale në të vërtetë është industri lokale, e cila luan rol të madh në ekonomi. Ajo është më miqësore për natyrën, sepse nuk emeton gaze, nuk dëmton klimën dhe ambientin në atë sasi, krahasuar me teknologjinë e prodhimin industrial.
Artizanati shqiptar dallohet për numrin e madh të objekteve të cilat janë specifike për nga veçoritë, stili, motivet dhe teknikat e prodhimit. Prodhimet me gdhendjet prej druri në instrumentet tradicionale muzikore, si: çiftelia, lahuta, fyelli, punime filigrami, argjendi, bakri, argjili etj., gjenden në dyqane artizanale. Në ditët e sotme specialistët i kushtojnë vëmendje edhe prezantimit të produkteve të tyre artizanale nëpër aeroporte, ekspozita, galeri apo në hapësirat muzeale, ku krahas veshjeve tradicionale renditen edhe objekte të tjera artizanale, si: qilima, xhezve, mulli bloje, kuti duhani etj. Shpesh këto objekte janë tradicionale dhe tërheqin vëmendjen e turistëve.