Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 4.3
Mekanizmat transmetues të fuqisë mekanike
Transmision quhet mekanizmi, që shërben për transmetimin dhe shndërimin e lëvizjes midis dy pjesëve të së njëjtës makinë ose të dy makinave të ndryshme. Nevoja e përdorimit të transmisionit lind sepse ajo shërben si hallkë lidhëse midis motorit dhe makinës punuese, kështu shpesh herë:
• shpejtësia e lëvizjes së kërkuar e organit të punës së makinës, nuk përputhet me shpjetësinë e lëvizjes së motorit, pasi zakonisht ky i fundit ka shpejtësi më të madhe;
• shpejtësia e mekanizmit të makinës është e nevojshme që të ndryshohet (rregullohet), por ky ndryshim nuk mund të kryhet drejpërdrejt me motor, për shkak të kostos të lartë;
• kërkohet moment përdredhës më i madh se momenti përdredhës i boshtit motorik në momente të veçanta të punës së makinës;
• motorët janë të detyruar të kryejnë lëvizje rrotulluese të njëtrajtshme, ndërsa në disa raste mekanizmi i makinës, duhet të kryejë lëvizje drejtvizore me shpejtësi të ndryshueshme. Sot strukturat dhe mekanizmat transmetuese janë të shumta. Më poshtë jepen të renditura disa klasifikime.
– Në bazë të mënyrës së transmetimit të lëvizjes:
• transmisione me fërkim me rule;
• transmisione me fërkim me pulexhë e rrip;
• transmisione me rrota të dhëmbëzuara;
• transmisione me zinxhir.
Duke u bazuar në këtë mënyrë të transmetimit të lëvizjes ato ndahen edhe në dy grupe të tjera:
• transmisione, që bazohen në shfrytëzimin e forcave të fërkimit. Transmetimi i lëvizjes realizohet nëpërmjet kontaktit të drejpërdrejtë të elementeve transmetues të ngurtë (transmision me fërkim me rula), ose nëpërmjet elementit të përkulshëm;
• transmisione me ingranim. Transmetimi i lëvizjes mund të realizohet nëpërmjet kontaktit të drejpërdrejtë të elementeve transmetues (transmisionet me rrota të dhëmbëzuara dhe me rrota burmore), ose nëpërmjet elementit të përkulshëm (transmisionet me zinxhir, rrip dhe litar).
– Në bazë të pozicionit të akseve të elementeve transmetues:
• transmisione me akse paralele;
• transmisione me akse që priten;
• transmisione me akse të kithta.
TRANSMISIONET ME FËRKIM ME RULE
Transmisionet me fërkim me rule janë transmisionet më të thjeshtë. Ato përbëhen nga dy rule cilindrike të lëmuara, të mbërthyera në boshte paralele, që i nënshtrohen forcës shtrënguese (Q). Këto mekanizma shfrytëzojnë forcën e fërkimit, për të transmetuar lëvizjen rrotulluese ndërmjet dy boshteve të vendosura në distancë të kufizuar. Kështu, transmisioni me fërkim realizon transmetimin e lëvizjes ndërmjet dy boshteve në sajë të forcës së fërkimit ( F), e cila lind në zonën e kontaktit të dy trupave (ruleve), që rrotullohen nën veprimin e forcës shtrënguese (Q). Në pikën e kontaktit, të dy rulet kanë shpejtësi të barabartë. Transmisioni me fërkim me rule transmeton lëvizjen ndërmjet boshteve paralele dhe ndërpriten me kënd 900. Forca e fërkimit ka kah të tillë, që mund të prodhojë moment rrotullues të kundërt me atë të kërkuarin. Pra mund të ndalojnë rrotullimin në drejtimin të akrepave të sahatit në rulin më të madh dhe në drejtim të kundërt në rulin më të vogël. Meqenëse forca e fërkimit është forcë e pranishme, ajo përcakton rregullat e: drejtimit, kahut, pikës së zbatimit dhe forcës që transmetohet pingul me zonën e kontaktit. Këto rregulla janë:
• Drejtimi duhet të jetë, tangjent me rrotën në pikën e kontaktit.
• Kahu zgjidhet i tillë, që të prodhojë moment frenues.
• Pika e zbatimit është në pikën e kontaktit të dy ruleve.
Kushti themelor është: Pn ≤ F. Ku: Pn është forca, që transmetohet pingul me zonën e kontaktit.
Prishja e këtij kushti themelor sjell rrëshqitje dhe konsumim shumë të madh të ruleve. Për të patur siguri më të madhe ndaj rrëshqitjeve, si rezultat i mbingarkesave të rastit dhe i ndryshimit të madhësisë së koefiçentit të fërkimit ndërmjet dy ruleve, vendoset koefiçenti i sigurisë ( C), sipas barazimit: F = C ∙ Pn.
Moment rezistues fërkimi Mr = T∙ b kundështon rrotullimin. Në kushtet e ekuilibrit forca F prodhon lëvizje me shpejtësi v: F ∙ r = T ∙ b = Pn ∙ b
Duhet që F = R , ku R është forca e fërkimit, atëherë: R ∙ r = Pn ∙ b; R= Pn∙ b /r = C ∙ Pn
Dallojmë se forca e fërkimit është në përpjesëtim të zhdrejtë me rrezen e rulit, pra sa më e vogël forca e fërkimit aq më e madhe është rrezja. Por diametër më i madh do të thotë edhe inerci më e madhe (inercia është proporcionale me katrorin e rrezes). Në varësi të materialit të trupave, transmisionet me fërkim me rule ndahen në transmisione me trupa punues metalikë dhe transmisione me trupa punues jometalikë.
TRANSMISIONET ME FËRKIM ME PULEXHA E RRIP
Transmisionet me fërkim me pulexha e rrip përbëhen nga dy makina të thjeshta (pulexha motore dhe pulexha rezistente), të cilat lidhen ndërmjet tyre me një element të përkulshëm (rripi). Edhe këto transmisione bëjnë pjesë në grupin e transmisioneve me fërkim, por në ndryshim nga të parat, distancat ndërmjet boshteve janë relativisht të mëdha. Raporti i transmetimit jepet me raportin e numrit të rrotullimeve të pulexhës motor (nm) me numrit të rrotullimeve të pulexhës rezistente (nr), pra i = nm / nr. Gjithashtu duke ditur trashësinë e rripit (s), llogaritet raporti i transmetimit (i). i = Dr + s / Dm + s ku: Dr – diametri i pulexhës rezistente Dm – diametri i pulexhës motore Transmetimi i fuqisë mekanike nga pulexha motore në pulexhën rezistente kryhet në sajë të forcës së fërkimit, që lind ndërmjet rripit dhe pulexhave. Këto transmisione kanë dy elemente kryesore pulexhat dhe rripin. Pulexhat duhet të kenë peshë të vogël dhe sipërfaqja e jashtme( ku vendoset rripi )të jetë cilindrike për rripat e sheshtë; ndërsa për rripat trapezoidalë të kenë kanale trapezoidalë, në të cilat futen rripat. Materialet kryesore nga të cilat përgatiten rripat janë prej tekstili, gome dhe sholle. Sipas formës të seksionit tërthor të rripit, njihen disa lloje transmisione me rrip:
• të sheshtë (seksion tërthor katërkëndor),
• trapezoidalë (seksion trapez).
Këto transmisione përdoren në makina metalprerëse, autovetura etj.