Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.18
Grafika nëpërmjet projeksioneve
Projeksionet transformojnë pikat e hapësirës që i përkasin sistemit koordinativ 3D, në pikat e planit të fletës së vizatimit, që i përkasin sistemit koordinativ 2D. Projektimi i objekteve 3D realizohet nëpërmjet rrezeve të projektimit (projektorit), që fillojnë nga qendra e projektimit, kalojnë nëpër çdo pikë të objekteve dhe ndërpresin planin e projektimit, që e paraqet atë. Projeksionet ndodhin në boshtin treaksial të referimit, në lidhje me të cilat krijohen situata të ndryshme, të dhëna në skemën e mëposhtme.
ÇFARË JANË PREZANTIMET GRAFIKE?
Që në kohërat e lashta, njeriu është përpjekur të përfaqësojë në mënyrë grafike botën rreth tij, duke përdorur mjete të thjeshta dhe metoda spontane. Gjurmët e tyre kanë mbetur në pllaka apo enë qeramike, piktura në muret e shpellave etj. Me zhvillimin e njerëzimit, teknikat e prezantimeve grafike janë bërë gjithmonë e më të pranishme, deri në ditët e sotme, ku janë vendosur rregulla të sakta për paraqitjet e formave gjeometrike.
– Nga realiteti në 3D tek fleta në 2D
Gjithmonë ka qenë problem, se si objektet tredimensionale të paraqiten me vërtetësi në sipërfaqen dydimensionale të një flete vizatimi. Artistët ishin të parët në përdorimin e teknikës së perspektivës. Një problem që kërkonte paraqitje teknike, ishte vizatimi i ndërtesave ose objekteve, që duhet të ndërtoheshin. Në këtë rast, vizatimi teknik ishte i nevojshëm, sepse jo vetëm lejonte të kuptohej lloji i objektit, por edhe përcaktonte raportet dhe përmasat e përgjithshme të pjesëve të veçanta.
– Projeksioni
Zgjidhja e problemit, si për artistët ashtu edhe për teknikët, qëndron në përdorimin e të ashtuquajturave projeksione. Kur flitet për projeksionet, instinktivisht mendohet për kinemanë: nga llambat e projektorit (qendra e projektimit) një kon i dritës fillon të kalojë përmes filmit (objekti që do të projektohet), për t’u shfaqur në një ekran të bardhë, i cili është plani i projeksionit. Ashtu si tek kinemaja, në vizatimin teknik projektimi i një objekti 3D, arrihet përmes rrezeve të projektimit, që fillojnë nga një qendër projektimi, kalojnë nëpër çdo pikë të objektit dhe ndërpresin planin e projektimit (foto) duke krijuar projeksionin. Në terma gjeometrike, me metodën e projeksionit, transformohen pikat e hapësirës, të cilat janë në sistemin koordinativ 3D, në pikat e planit, në sistemin koordinativ 2D.
– Perspektiva, projeksionet paralele
Projeksionet ndahen në dy kategori kryesore:
• Perspektiva (ose koni), në të cilën qendra e projeksionit është në distancë dhe rrezet e projektimit ndryshojnë në formën e konit ose piramidës. Kjo është metoda më e përdorur nga artistët, për të paraqitur natyrën në mënyrë sa më reale. Rregullat e perspektivës, të zhvilluara nga artistët e Rilindjes (Brunelleschi, Leon Battista Alberti, Donatello etj.) janë përcaktuar në bazë të kësaj metode.
• Projeksionet paralele (ose cilindri), në të cilat qendra e projeksionit është në distancë të pafundme dhe rrezet e projektimit kalojnë përmes pikës së figurës duke qëndruar paralel, në formë cilindrike. Rrezet e projeksioneve mund të jenë ortogonale (kënddrejta) ose të pjerrëta në planin e projektimit.
– Aksonometria është përdorur në periudhën e Rilindjes (shek. XV – XVII), për projektimin e makinave të luftës, fortifikimeve etj. Projeksionet ortogonale, u bënë të njohura vetëm në fund të shek. XVIII, nga shkencëtari francez Gaspard Monge, i cili ishte teoricieni i Gjeometrisë Diskriptive, shkencës që dikton parimet gjeometrike të paraqitjeve grafike.