Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.23: Urbanistika

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.23

Urbanistika

Zhvillimi i shoqërisë njerëzore është i lidhur me ndërtimin e vendbanimeve. Këto vendbanime janë zona urbane. Urbanistika ka ekzistuar si profesion që në themelimin e qyteteve të para. Ndërsa urbanistika moderne lindi si profesion, në dekadat e para të shek. XX, si nevojë për përmirësimin e kushteve higjieno – sanitare dhe social
– ekonomike të qyteteve industriale, që po zhvilloheshin me shpejtësi. Fillimisht me këto studime u morën specialistët më të përgatitur në fushat e arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit. Më pas, në këto grupe u shtuan edhe specialistë të shëndetit publik, ekonomistë, sociologë, juristë dhe gjeografë, sepse kompleksiteti i menaxhimit të qyteteve filloi të kuptohej më qartë nga të gjithë. Sinteza e të gjitha këtyre fushave çoi në zgjerimin e teknikave bashkëkohore të planifikimit urban e rajonal për analizimin, projektimin dhe krijimin e zonave urbane.

Urbanistika është shkenca, që merret ndërtimin dhe rregullimin qyteteve (urbane) ose fshatrave (rurale), sipas një plani të caktuar me synime të afërta ose të largëta, në bazë të kërkesave të shoqërisë. Termi urbanistikë nënkupton projektimin urban, si fushë e gjerë e shumë disiplinave dhe mund të përshkruhet si proces teknik dhe politik. Ky proces synon të përmirësojë mirëqenien e popullsisë, kontrollin e përdorimit të tokës, projektimin e mjedisit urban, përfshirë rrjetet e transportit dhe komunikacionit dhe mbrojtjen e mjedisit natyror. Prandaj ajo studiohet dhe realizohet nga specialistë të fushave të ndryshme, si: urbanistë, arkitektë e inxhinierë, të cilët krijojnë, projektojnë dhe ndërtojnë vendet për komunitetet dhe gjeneratat e ardhshme. Ata studiojnë zgjidhje sa më të mira të gjithë sistemeve, si: furnizimi me ujë, gaz, energji elektrike, sistem transporti, linja telefonike, largimi i ujrave të zeza nëpërmjet instalimeve të veçanta etj.

Përveç urbanistëve, arkitektëve e inxhinierëve një rol të rëndësishëm luajnë edhe ekspertët ligjorë, të cilët konrollojnë zbatimin e legjislacionit urbanistik dhe vendosin rregulla e dispozita të reja, që u përgjigjen kushteve konkrete dhe mbrojnë mjedisin nga ndërtimet e jashtëligjshme, ndotja, zhurmat etj.

Studim urbanistik pjesor Në institucionet urbanistike, urbanistët hartojnë:
• masterplanet janë studime urbanistike, që përfshijnë të gjithë (ose një pjesë të caktuar) territorin kombëtar, me një temë të caktuar,
• studime urbanistike rajonale, të cilat janë studime urbanistike, që përfshijnë një rajon (disa qytete dhe fshatra),
• plane rregulluese të përgjithshme, që studiojnë zhvillimin e një qyteti, në hapësirë kohore 10-15 vjeçare, duke parashikuar shpërndarjen e zonave të banimit, institucioneve, shërbimeve spitalore, arsimore, sportive etj.

Plani i përgjithshëm urbanistik i Tiranës
• plane të detajuara vendore (studime urbanistike të pjesshme), që bazohen në planin rregullues të përgjithshëm, duke detajuar një pjesë territori. Ato bëjnë zgjidhjet e volumeve të objekteve, në të cilat kryhen ndërhyrje urbane.

Këto plane, para se të aprovohen për zbatim, kalojnë në disa faza. Konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare marrin në shqyrtim projektet e paraqitura (projekt – idetë), për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Projektet vizatohen në harta, të cilat janë në shkallë të ndryshme, 1: 5000, 1: 2500, 1:100 etj. Përveç hartave të planeve rregulluese, përdoren edhe hartat (relievet) topografike, të cilat shërbejnë për qëllime kadastrale. Në hartat topografike paraqiten izoipset dhe kuotat, si dhe godina e troje. Këto harta janë në shkallën 1:500. Për ndërtimin e objektit kërkohet edhe planvendosja e tij, e cila është planimetri (hartë) ku evidentohet objekti që do të ndërtohet, në lidhje me territorin rreth tij. Në planvendosje më e përdorshme është shkalla 1:200, 1:500 etj.