Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.4 Veglat dhe pajisjet

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.4

Veglat dhe pajisjet për vizatimin teknik

Për të realizuar vizatime teknike, krahas mjeteve të domosdoshme, nevojiten edhe veglat e vizatimit. Veglat kryesore, që përdoren për të vizatuar janë: vizore, trekëndësha, vizorja T, raportori, kurbalinja dhe kompasi.

– Vizoret përdoren për realizimin e vijave të drejta si edhe për matjen e gjatësive. Ato janë të shkallëzuara ose jo dhe kanë gjatësi të ndryshme. Materialet me të cilat ato janë ndërtuar janë : druri, plastika dhe metali.

VIZORJA
Vizorja T, ka formën e shkronjës “T” dhe është mjet vizatimi, i cili ndihmon për përpunim cilësor të vizatimeve teknike. Kjo vizore mund të jetë metalike, plastike ose dru i butë. Në njërën anë të saj është fiksuar një dërrasë e vogël, që krijon kënd 90° me vizoren dhe kjo quhet koka e vizores.Vizorja – T shërben për heqjen me saktësi e lehtësi të vijave paralele horizontale. Para se të përdoret, duhet të kontrollohet këndi i drejtë, kontrroll i cili bëhet me vendosjen e trekëndëshit tek koka e saj. Në vizatime përdoren edhe vizoret trekëndësh. Ato janë: trekëndëshi dybrinjënjëshëm me kënde të ngushta 45°, ku gjatësia e njërës nga katetet e tij mund të ketë përmasat 12 – 25 cm dhe trekëndëshi me kënde të ngushta 30° dhe 60°, i cili ka përmasat e brinjëve 20 me 30 cm. Vizoret plastike janë të tejdukshme dhe të lehta për përdorim dhe për mirëmbajtje.

KOMPASI
Kompasi është pajisje e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme, për të vizatuar rrathë ose harqe rrethore. Ai përdoret edhe për të kryer matje. Disa kompase përdoren për vizatimin e rrathëve të vegjël me diametër nga 1- 20 mm dhe të tjerë për realizimin e harqeve me rreze të mëdha. Në këto raste përdoret edhe zgjatuesi metalik, i cili është në kompletin e kompaseve. Një tip tjetër kompasi është kompasi me gjilpëra fikse në të dy krahët, i cili shërben për matje dhe transmetim të madhësive të caktuara.

KURBALINJA
Mjet tjetër vizatimi është kurbalinja e cila është e përshtatshme për të realizuar vija të lakuara, që nukbëhen dot me kompas. Të tilla janë vijat: eliptike, parabolike, spirale. Kurbalinjat janë të llojeve dhe madhësive të ndryshme dhe ndihmojnë për të realizuar vizatime të sakta.

RAPORTORI
Shërben për të matur dhe për të ndërtuar kënde. Ai ka formë rrethore ose gjysmë rrethore. Gjatë punës me këtë mjet duhet pasur kujdes, që kulmi i këndit të ndodhet me saktësi në qendrën e raportorit dhe ndarja 00 të ndodhet në njërën nga brinjët e këndit që matet.

SHABLLONAT
Shërbejnë për të vizatuar numra, shkronja, simbole, rrathë, elipse dhe figura nga më të ndryshmet me cilësi dhe saktësi të madhe. Ato gjithashtu përdoren në projekte teknike për të vizatuar mobilime, paisje hidrosanitare dhe simbole të ndryshme. Për këto arsye janë të punuara në mënyrë shumë preçize nga material i tejdukshëm plastik, në madhësi dhe forma të ndryshme.

RAPIDOGRAFËT
Rapidografët janë të ngjashëm me stilografët dhe kanë rezerva me bojë të zezë, të quajtur “tush”. Ato përdoren në përgjithësi për të kopjuar vizatimet nga letra origjinale në letrën transparente (kalk), të cilat ruhen si fletë origjinale.

TEKNOGRAFI
Teknografi është tavolinë pune për vizatimet teknike. Ai është i paisur me dy vizore, që formojnë ndërmjet tyre kënd 90 grade dhe mund të zhvendosen lirisht gjatë gjithë dërrasës, me anë të një mekanizmi. Teknografi shërben për ndërtimin e shpejtë dhe të saktë të vizatimit dhe përdoret për të pasur pozicion të rregullt të trupit gjatë punës.

PËRGATITJA E VENDIT TË PUNËS
Për një punë të suksesshme ka rëndësi edhe organizimi i drejtë i vendit të punës. Ai duhet të jetë i ajrosur dhe i ndriçuar mirë. Nga kjo varet cilësia dhe produktiviteti i punës. Drita, qoftë ajo natyrale ose artificiale (drita elektrike), duhet të ndriçojë vendin e punës patjetër nga e majta dhe nga latrt. Zgjedhja e përshtatshme e vendit, si dhe qëndrimi i drejtë gjatë punës kanë rëndësi të madhe, jo vetëm për shëndetin, por edhe për kryerjen me saktësi të vizatimit.
Që të bëhet punë me cilësi dhe me pak lodhje, duhet që gjatë punës, trupi të mbahet i përkulur pak përpara. Largësia nga syri në tavolinë duhet të jetë rreth 25 – 35 cm. Pozicioni më i mirë është qëndrimi në mënyrë simetrike në karrige, në mënyrë që vija e supeve të jetë paralel me buzën e tavolinës. Gjithashtu, pozicioni dhe mbajtja e këmbëve ka rëndësi, ato duhen të jenë të mbështetura me taban tërësisht në dysheme, kurse largësia e gjoksit nga tavololina duhet të jetë 3 – 5 cm. Nëse tavolina është më e lartë ose më e ulët kjo reflektohet në përkeqësim të frymëmarrjes, lodhje të shpejtë dhe ulje të rendimentit në punë. Pjerrësia e sipërfaqes së tavolinës duhet të jetë me kënd rreth 30 grade ndaj horizontit, që rrezja e shikimit të bjerë afërsisht pingul mbi vizatim. Materialet dhe veglat duhet të vendosen me rregull mbi tavolinë, mundësisht të vendosen në anën e djathtë të saj. Mbi tavolinë duhet të vendosen vetëm ato vegla dhe materiale, që janë të nevojshëm për të realizuar vizatimin.

PËRGATITJA DHE MIRËMBAJTJA E MATERIALEVE DHE VEGLAVE TË VIZATIMIT PËR PUNË
Në vizatim, cilësia e lapsit ka rëndësi të madhe. Në varësi nga cilësia e letrës dhe karakteri i punës që do të kryhet, duhet të përdoren lapsa me shkallë të ndryshme fortësie. Rëndësi të veçantë ka mprehtësia e lapsit në gjatësinë e duhur dhe llogaritja e shufrës së grafitit (të dalë rreth 10mm). Gjithashtu edhe kompasi duhet të përgatitet për punë. Para se të fillohet vizatimi i rrathëve dhe harqeve, duhet të vendoset në të njëjtin nivel, shufra prej grafiti dhe gjilpëra, pavarësisht nga largësia ndërmjet tyre. Prandaj ato trajtohen me kujdes dhe duke i mbajtur vazhdimisht të pastra dhe të pa dëmtuara. Të gjitha materialet dhe veglat, pa përjashtim, duhet të ruhen në vende të thata, jo të nxehta  dhe të ruhen nga goditjet. Duhet treguar kujdes për majat e gjilpërave të kompasit, që të mos thyhen. Përpara punës, duhet të lahen dhe të fshihen duart dhe veglat e punës me një copë të butë e të thatë. Për të kryer shpejt dhe me cilësi vizatimin teknik, ka rëndësi të madhe edhe mirëmbajtja e materialeve dhe veglave të vizatimit. Trajtimi i tyre pa kujdes shkurton afatin e përdorimit dhe ul saktësinë e vizatimit.