Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 1.1
Teknologjia dhe roli i saj në zhvillimin e shoqërisë
Teknologjia është shkenca, që merret me mjeshtërinë e përpunimit të materialeve dhe prodhimin e produkteve të ndryshme. Fjala teknologji vjen nga greqishtja dhe do të thotë njohuri për mjeshtërinë, ku: tekno – mjeshtëri dhe logos – (fjalë) njohuri. Termi teknologji në literaturë jepet me përkufizime të ndryshme, dy prej tyre janë:
– Teknologjia është procesi i drejtpërdrejtë i prodhimit të të mirave materiale.
– Teknologjia është tërësia e njohurive për ndryshimet kimike, fizike, mekanike, termike dhe ndryshime të tjera, me qëllim shndërrimin e burimeve natyrore në të mira materiale.
Teknologjia si veprimtari njerëzore është shumë e vjetër. Ajo është zhvilluar në periudha të ndryshme të zhvillimit teknologjik:
Epoka e zejtarisë ( deri shek. XVIII).
Epoka industriale (fundi shek. XVIII deri në mes të shek. XX).
Epoka e automatizimit, nga viti 1950 dhe deri në ditët e sotme.
Që në kohët e hershme (kur njeriu përdori gurin si mjet për të siguruar gjahun, mineralet për të prodhuar mjete pune të ndryshme e të domosdoshme) e deri në ditët e sotme, teknologjia me tërësinë e metodave dhe proceseve, ka shërbyer për të përpunuar lëndë të ndryshme, për të prodhuar mjete pune, gjysmëprodukte dhe produkte të gatshme. Gjatë proceseve të prodhimit, materialet mund të ndryshojnë formën, strukturën dhe përbërjen e tyre. Duke u bazuar në këto ndryshime që pëson materiali, teknologjia ndahet në këto grupe:
– Teknologjia mekanike, e cila bazohet në ndryshimin e formës dhe të vetive fiziko – mekanike të materialit.
– Teknologjia kimike, që konsiston në ndryshimin e strukturës dhe ndërtimin brenda materialit.
Në sektorët e ndërmarjeve përpunuese dhe prodhuese, veprimtaritë kryhen si në një cikël duke filluar me zgjedhjen e lëndës së parë, përpunimin, prodhimin dhe riqarkullimin. Në këtë mënyrë koordinohet aktiviteti përpunues i materialit dhe transformimi i tij në produkt. Në skemën e mëposhtme, nëpërmjet figurave dallohet aktiviteti i përpunimit të pambukut dhe i prodhimit të produkteve të tekstilit si dhe kontrollit laboratorik të procesit.
Sipas sektorëve në të cilët aplikohet teknologjia, dallohen:
– Teknologjia prodhuese, e cila merret me përpunimin e lëndëve të para, shndërrimin e tyre në gjysmëprodukte dhe produkte të gatshme, gjen përdorim në fusha të ndryshme të industrisë prodhuese. Këto produkte quhen produkte teknologjike.
– Teknologjia joprodhuese merret me çështjet e shndërrimit të energjisë, informacioneve, transportit, ruajtjes dhe shqyrtimit të materialeve dhe produkteve.
Për arsye të numrit të madh të produkteve që prodhohen sot, njhen edhe klasifikime të tjera për teknologjinë në vartësi të lëndës së parë që shfrytëzohet, të produktit që përftohet, gjendjes agregate të tij etj., p.sh: teknologjia e përpunimit/ prodhimit të metaleve, drurit, plastikës, tekstilit, letrës, produkteve ushqimore, naftës etj. Zhvillimi i teknologjisë ka sjellë përmirësime në lidhje me:
• Mënyrën e shfrytëzimit të burimeve natyrore.
• Rritjen e numrit të materialeve në dispozicion të inxhinierëve projektues, zbatues etj.
• Rritjen e rolit dhe rëndësisë së vetë materialit në zhvillimin e qëndrueshëm teknologjik – industrial, ekonomik, ekologjik. Nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë, njerëzit kanë përmirësuar mjedisin rreth vetes së tyre duke krijuar mjedisin teknologjik.
TEKNOLOGJIA DHE SHKENCA
Shkenca dhe teknologjia janë të pandara dhe që zhvillojnë njëra – tjetrën. Shkenca është një nga fushat më të rëndësishme të veprimtarisë së njeriut dhe përbëhet nga:
• tërësia e njohurive, koncepteve dhe teorive për natyrën dhe shoqërinë;
• tërësia e metodave që përdoren për studimin e natyrës dhe shoqërisë.
Shkenca i referohet sistemit të marrjes të njohurive. Ky sistem përdor vëzhgimin dhe eksperimentin për të përshkruar dhe shpjeguar fenomenet natyrore.
Fushat e shkencës përgjithësisht klasifikohen në dy grupe të mëdha:
– Shkencat natyrore, që studiojnë fenomene natyrore (duke përfshirë dhe jetën biologjike).
– Shkencat sociale, që studiojnë sjelljen e njeriut dhe shoqërisë.
Zhvillimi i teknologjisë mund të përdorë shumë fusha të njohurive, si: shkencore, inxhinierike, matematikore, gjuhësore dhe njohuri historike për të arritur në rezultate praktike. Ky zhvillim është i lidhur ngushtë me zhvillimin e shkencës, megjithatë teknologjia ka edhe shumë ndryshime prej saj.
Në tabelën e mëposhtme renditen dallimet kryesore midis tyre duke u nisur nga cilësitë, aftësitë, qëllimet, metodat e zhvillimit e të vlerësimit dhe deri në përkufizimet kryesore të tyre.
Studimi i shkencës dhe teknologjisë ka ndihmuar në gjetjen e gjuhës së përbashkët në trajtimin e shumë çështjeve shkencore dhe kulturore për t’u dhënë përgjigje pozitive pohimeve të tilla, si:
• shkenca dhe teknologjia janë të rëndësishme për shoqërinë;
• shkenca dhe teknologjia janë të nevojshme për zhvillimin e një vendi;
• shkenca dhe teknologjia i bëjnë jetët tona më të shëndetshme, më të lehta dhe më të rehatshme;
• shkenca dhe teknologjia do të ndihmojnë në zhdukjen e urisë dhe varfërisë në botë;
• anët pozitive të shkencës dhe teknologjisë janë më të mëdha se pasojat e dëmshme që mund të kenë;
• vetëm duke përparuar shkenca dhe teknologjia do të ketë mundësi më të mëdha për brezat e ardhshëm.
Krahas ndryshimeve në fusha të ndryshme, teknologjia nxit ndryshime të rëndësishme të strukturës ekonomike, ndihmon në rritjen e produktivitetit të punës, standardeve, ndryshimin në nevojat njerëzore, rritjen e dijes dhe shkencës.
TEKNOLOGJIA DHE KULTURA
Në këtë mijëvjeçar të ri, sikurse përgjatë gjithë historisë njerëzore, teknologjia dhe njerëzimi po zhvillohen në mënyrë të ndërsjelltë. Ndryshimet dhe zhvillimet në një sferë, kanë nxitur dhe mbështetur ndryshimet në sfera të tjera dhe anasjelltas. Mbetet vendimtar roli i teknologjisë që në kohën e gurit e deri në atë të teknologjisë së informacionit. Shoqëria, individi, teknologjia dhe kultura janë të lidhura me njëra- tjetrën. Teknologjia paraqet një veçori që e dallon nga kultura. Si formë e caktuar e kulturës apo formë e njohjes, teknologjia është kulturë përmes dy përbërësve kryesorë, shpirtërorë dhe informues. Sot teknologjia vepron jo vetëm nëpërmjet faktorit ekonomik, por dhe atij kulturor dhe anasjelltas.