Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 4.9: Bashkimet me saldim

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 4.9

Bashkimet me saldim

Bashkimet me saldim bëjnë pjesë në grupin e bashkimeve të pazbërthyeshme. Saldimi është procesi i bashkimit të pjesëve metalike, që kryhet me nxehje deri në shkrirje, duke përdorur material mbushës, ose kryhet deri në gjëndje plastike duke ushtruar forca të jashtme. Si rrjedhim në vendet e bashkimit ndodh futja e ndërsjelltë e atomeve të metaleve që saldohen tek njëri – tjetri, gjë që siguron bashkimin e tyre të pazbërthyeshëm.

Bashkimi me saldim shpesh realizohet nga shkrirja pjesëve të materialit, duke shtuar material mbushës për të formuar zonën e materialit të shkrirë që quhet banjë saldimi, e cila mbas ftohjes krijon lidhje të fortë duke bashkuar pjesët në një trup të vetëm. Ky proces ndryshon nga ai i ngjitjes me kallaj, që realizohet nga shkrirja e kallajit për të bashkuar dy pjesë metali, pa i shkrirë ato. Vendi i bashkimit të pjesëve metalike formon tegelin metalik, i cili nuk duhet të ndryshojë nga materiali bazë, si nga karakteristikat mekanike, ashtu edhe nga përbërja kimike. Tegeli i saldimit është pjesë e detalit të salduar dhe përfshin të gjithë zonën që i nënshtrohet saldimit. Klasifikimi i tyre bëhet duke u nisur nga pozicioni i pjesëve, që do të saldohen dhe nga forma e buzëve të tyre në vendin e saldimit. Sipas pozicionit të pjesëve që do të saldohen, tegelat e saldimit ndahen: tegela të bashkimeve kokë më kokë, në qoshe, në formë T dhe tegela të bashkimeve një mbi një. Më i përdorshëm është tegeli normal, i cili vendoset në varësi të seksionit të tegelit. Në figurë paraqitet përdorimi i këtij tegeli, si një element i bashkëngjitjes së tubit në të cilin futet një tub tjetër me diametër më të vogël. Këto përdoren kryesisht për mbrojtjen e fllanxhave.

Tegelat e saldimit mund të jenë të vazhdueshëm ose të ndërprerë. Tegelat e ndërprerë janë të njëanshëm ose të dyanshëm. Këta të fundit mund të jenë paralel ose të alternuar. Për të realizuar saldimin mund të përdoren burime të ndryshme energjie, si: flakë gazi, hark elektrik, rreze lazer, rrymë elektronesh dhe ultratingull. Ky proces paraqet rrezikshmëri të lartë dhe nevojiten masa të nevojshme për të shmangur djegien, goditjen elektrike, dëmtimin e shikimit, thithjen e gazrave e tymrave helmues si dhe ekspozimin ndaj rrezatimit të dendur ultraviolet. Përdorimi i teknologjive të reja dhe mbrojtja e duhur kanë sjellë zvogëlimin e rreziqeve që vijnë nga saldimi. Për të parandaluar dëmtimet, saldatorët duhet të përdorin pajisje personale mbrojtëse, si: dorashka lëkure, xhaketa mbrojtëse me mëngë të gjata, syze dhe maska saldimi me xhama të errët. Bashkimet me saldim përdoren gjerësisht në të gjitha degët e ekonomisë, si: në industrinë e ndërtimit, të mjeteve të transportit (anije, aeroplanë, trena etj.), në metalurgji, ndërtim, industri kimike, elektronikë etj. Mënyrat e saldimit janë:

SALDIMI ME GAZ
Procesi më i zakonshëm i saldimit me gaz është saldimi me oksigjen. Ky është një nga proceset më të vjetra dhe më të përdorshme të saldimit dhe përdoret gjerësisht për bashkime tubash. Në vitet e fundit është bërë më pak i përdorshëm në aplikime industriale. Meqenëse flaka është më pak e përqendruar se një hark elektrik, ftohja e saldimit është e ngadalshme, gjë që mund të çojë në krijimin e mbeturave dhe në deformime.

Në figurë tregohet saldimi me gaz. Të dy pjesët që do të ngjiten nxehen në vendin e saldimit, nga flaka e krijuar si rezultat i përzjerjes së gazit me oksigjenin në majën e pajisjes. Pajisja është e lirë, e thjeshtë dhe realizon djegien e acetilenit në oksigjen duke prodhuar flakën me temperaturë rreth 3100°C. Në të njëjtën kohë nxehet deri në shkrirje edhe materiali metalik mbushës, i cili rrjedh dhe mbush hapësirën midis dy pjesëve që do të saldohen. Procesi i saldimit quhet i përfunduar vetëm mbas ngurtësimit.

SALDIMI ME HARK ELEKTRIK
Nxehtësia që nevojitet për shkrirjen e pjesëve, merret nga energjia termike që çlirohet gjatë harkut elektrik. Kjo energji krijohet nga elektroda metalike dhe detali që do të saldohet. Në këtë proces mund të përdoret ose rrymë elektrike e vazhduar (DC) ose alternative (AC), dhe elektroda të konsumueshme ose të pakonsumueshme. Banja e saldimit është e mbrojtur nga disa lloj gazesh që quhen gaze mbrojtës dhe mund të përdoret edhe material mbushës. Pjesët që do të saldohen lidhen me njërin pol të burimit të rrymës elektrike, kurse elektroda lidhet me polin tjetër. Nga nxehtësia e harkut elektrik shkrijnë buzët e pjesëve në vendin e saldimit dhe materiali i elektrodës, i cili mbush boshllëkun midis dy pjesëve që do të saldohen. Në pikën e kontaktit pjesët shkrihen si rezultat i presionit të ushtruar, duke u bashkuar në saldim. Edhe kjo mënyrë saldimi quhet e përfunduar vetëm pas ngurtësimit. Ky lloj saldimi përdoret për bashkimin e nyjeve të kangjellave.

SALDIMI ME REZISTENCË
Saldimi me rezistencëështë efikas dhe shkakton pak ndotje, por kërkesat e tyre janë të kufizuara dhe kostoja e pajisjeve është e lartë. Saldimi me rezistencë realizohet me dy mënyra:
1. Saldimi me kontakt me pika është një metodë e përhapur e saldimit me rezistencë, që përdoret për saldimin e fletëve metalike me trashësi deri në 3mm, të vendosura njëra mbi tjetrën. Këto fletë metalike kapen midis dy elektrodave dhe nëpër to kalon rryma elektrike. Përparësitë e kësaj metode janë përdorimi efikas i energjisë, deformim i kufizuar pjesëve që saldohen, automatizimi lehtë dhe nuk ka nevojë për material mbushës. Kjo metodë përdoret gjerësisht në industrinë e ndërtimit të makinave.
2. Saldimi me kontakt me tegel realizohet me dy elektroda që ushtrojnë presion dhe rrymë elektrike për të salduar fletët metalike.

PROCESE SPECIALE TË SALDIMIT
– Saldimi me lazer është metodë saldimi shumë e rallë. Përparësi kryesore është se në këtë proces nuk kërkohen materiale shtesë dhe përftohet tegel i ngushtë, i pastër dhe me zonë shumë të vogël të ndikimit të nxehtësisë (< 0,1mm). Saldimi me lazer mundëson bashkimin e detaleve me trashësi shumë të vogël dhe të shufrave të telave me trashësi deri 25mm.
-Saldimi me frekuenca të larta, metodë kjo, që realizohet me induksion elektromagnetik të rrymës me frekuencë të lartë.

CILËSIA E SALDIMIT
Faktorët që ndikojnë në procesin e saldimit janë: metoda e përdorur për saldim, sasia dhe përqendrimi i energjisë së përdorur, saldueshmeria e materialit bazë, materiali mbushës, forma e vendit të saldimit dhe bashkëveprimi midis të gjithë faktorëve. Llojet e defekteve të saldimit mund të jenë: shtrembërim, çarje, depërtim i gazrave (porozitet), depërtim të materialeve jometalike, shkrirje jo e duhur, thellësi jo e plotë etj. Procesi i saldimit ka shumë përparësi në krahasim me bashkimet me perçina. Kostoja e prodhimit dhe humbja e fuqisë është shumë e vogël. Me gjithë përparësitë e treguara më lart bashkimet me saldim kanë edhe mangësi, si:
• Tkurrja e metalit të shkrirë gjatë ngurtësimit shkakton tensione të mëdha të mbetura në tegel, të cilat mund të ulin qëndrueshmërinë e bashkimit.
• Saldimi mund të jetë jo i plotë në të gjithë trashësinë e fletës.
• Ka përmbajtje skorjesh dhe oksidesh.
• Nga çlirimi i gazrave mund të krijohen zgavra në material.
• Tegeli i saldimit është i ndjeshëm ndaj ngarkesave të ndryshueshme.
• Vështirësi në kontrollin e cilësisë së saldimit.