Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 12 Mësimi 3: Tregtia e lirë dhe proteksionizmi

Hyrje në Ekonomi Tematika 12 Mësimi 3

TEMATIKA 12 NDËRVARËSIA DHE PËRFITIMET NGA TREGTIA NDËRKOMBËTARE

Tregtia e lirë dhe proteksionizmi

Deficiti tregtar dhe politikat tregtare
A është deficiti tregtar një problem? Çfarë politikash tregtare mund të ndihmojnë në rritjen e eksporteve dhe përmirësimin e deficitit tregtar me jashtë?

Shpeshherë qeveritë ndërmarrin masa për të penguar hyrjen e mallrave të huaja, ose për të kufizuar importet, me qëllim që të mbrojnë prodhuesit e brendshëm nga falimentimi. Këto njihen edhe si politika tregtare proteksioniste. Argumenti për të justifikuar politika të tilla është ai i ruajtjes së vendeve të punës. Falimentimi i firmave të vendit për shkak të importeve me çmime më të lira, shoqërohet me rritje të papunësisë, e cila ndikon në përkeqësimin e kushteve të jetesës së familjeve që preken nga papunësia. Një tjetër argument që përdoret shpesh për të penguar importet është argumenti i sigurisë kombëtare. Për shembull, meqenëse çeliku është një produkt strategjik që përdoret për industrinë e armatimit, sa herë që prodhuesit e çelikut kërcënohen nga konkurrenca e huaj, vendet e ndryshme mund të përdorin këtë argument për të penguar tregtinë e lirë të çelikut. Argumenti më gjerësisht i përdorur është ai i industrisë foshnjore. Meqenëse vendet e zhvilluara janë më eficiente në prodhimin e gjithçkaje për shkak të superioritetit teknologjik, atëherë vendet e varfra mendojnë se duke mbrojtur industritë e reja, deri sa ato të bëhen eficiente, është një mënyrë e mirë për industrializimin e një vendi. Ekonomistët përgjithësisht janë skeptikë mbi këtë model të zhvillimit ekonomik. Në shumë vende që e ndoqën këtë model zhvillimi, ai ka dështuar, me përjashtim të disa ekonomive aziatike. Kjo është një temë ku debati vazhdon akoma dhe çdo vend duhet t’i studiojë rrethanat e veta nëse politika të tilla do të jenë të dobishme apo të dëmshme. Një tjetër argument për politika proteksioniste është ajo e konkurrencës së pandershme. Ka raste kur firmat e huaja futen në tregun e një vendi me politika agresive të çmimeve, derisa të falimentojnë prodhuesit e vendit dhe pastaj rrisin përsëri çmimet. Në këto raste vendet kanë të drejtë që zbatojnë masa për të mbrojtur industritë nga kjo konkurrencë e pandershme, duke vendosur barazinë e firmave në treg. Politikat tregtare proteksioniste më tipike që janë përdorur tradicionalisht për të penguar importet e huaja janë:
Tarifat doganore – janë taksa që vendoset mbi vlerën e mallrave të importuara.
Kuotat – janë një kufizim mbi sasinë e lejuar të importimit të një produkti.
Kufizimet jotarifore – janë të shumëllojta dhe që lidhen me standartet e prodhimit dhe të cilësisë që duhet të plotësojë një produkt përpara se ai të lejohet të importohet, kërkesat për certifikimin e një produkti, formalitetet doganore që duhet të plotësohen përpara se malli i importuar të lejohet të shitet në tregun e brendshëm, etj.

Kutia 1:
Shembuj të politikave tregtare:
Tarifat doganore – Qeveria mendon se duhet të mbrohet industria e qumështit pasi një pjesë e madhe e popullsisë është e punësuar në këtë industri, atëherë ajo vendos një tarifë doganore mbi çdo litër qumësht që importohet nga jashtë vendit. Për shembull, supozojmë se një litër qumësht mund të blihet në Itali me një çmim 1 euro, ndërsa një litër qumësht iu kushton prodhuesve të vendit 1.1 euro, atëherë qeveria mund të vendos një tarifë doganore 10% mbi çdo litër qumësht të importuar nga Italia. Në këtë mënyrë, në momentin që produkti hyn në territorin e vendit, importuesi duhet të paguaj një çmim sa çmimi i blerjes, 1 euro, plus tarifën doganore 0.1 euro (1 euro që është vlera e importit x 10%), pra 1.1 euro. Me këtë çmim të importit që është sa dhe çmimi i tregut të brendshëm, importuesit bëhen të pa interesuar që të importojnë qumësht nga Italia. Në këtë mënyrë pengohet importi, dhe mbrohen interesat e prodhuesve të brendshëm të qumështit.
Kuotat – Në vend të një tarife mbi importin e qumështit, qeveria mund të përcaktojë që importuesit të lejohet të importojnë gjatë një viti deri në 1,000 hektolitër qumësht.
Kufizimiet jotarifore – Qumështi i importuar të lejohet të shitet në tregun e brendshëm, duhet që ai të shoqërohet nga certifikatë, në gjuhën shqipe, që përmban të gjitha të dhënat për cilësinë e produktit, që në momentin që qumështi paraqitet në kufi, në pikën doganore të jetë dhe një ekspert i kësaj industrie për të bërë verifikimet e nevojshme, etj. Të gjitha këto kërkesa, e rrisin koston e produktit të importit, duke bërë që edhe pengesat jotarifore të kenë të njëjtat efekte kufizuese të importeve si edhe vetë tarifat.

Cili është efekti i politikave tregtare proteksioniste? Siç del qartë nga sa thamë më sipër, efekti i tyre është një rritje e çmimeve të produkteve të importit. Ne, si konsumatorë që jemi blerës të këtyre produkteve, paguajmë një çmim më të lartë dhe kjo ndikon në uljen e të ardhurave reale të konsumatorit. Ndërkohë ata që fitojnë janë firmat e brendshme që prodhojnë këto produkte, të cilat mund të vendosin çmime më të larta për produktet e tyre nga sa do të kishin vendosur në rast të mungesës së një tarife të tillë mbrojtëse. Gjithashtu edhe shteti përfiton nga tarifat, pasi të ardhurat nga tarifat doganore janë të ardhura për buxhetin e shtetit. Pra, tarifat dhe masat e tjera proteksioniste ndaj importeve krijojnë një rishpërndarje të të ardhurave nga konsumatorët drejt firmave dhe buxhetit të shtetit.

Përveç masave që pengojnë importet, me qëllim reduktimin e deficitit tregtar, qeveritë gjithashtu ndërmarrin edhe politika për të mbështetur industritë e eksportit. Eksportuesit mund të ndihmohen me kredi bankare me kushte të favorshme, me ndihma të drejtpërdrejta financiare për të gjetur tregje të reja shitjeje, si pjesëmarrjen e tyre në panaire ndërkombëtare etj.

Çmimet në transaksionet ndërkombëtare dhe kursi i këmbimit
Ndryshe nga blerja dhe shitja e produkteve në tregjet e brendshme që kryhen me monedhën kombëtare, lekun, transaksionet në tregjet e huaja bëhen me monedha të huaja, të cilat tregtohen lirisht në tregjet valutore. Tregjet valutore janë tregjet ku tregtohen monedhat e vendeve të ndryshme. Sigurisht që edhe monedhat kanë një çmim me të cilën ato shkëmbehen me njëra-tjetrën dhe ky çmim i shkëmbimit të tyre quhet kurs këmbimi. Për shembull nëse për të blerë një monedhë prej një euro ne duhet të shpenzojmë 135 lekë, atëherë çmimi i monedhës sonë kombëtare në raport me euron do të jetë: 135 lekë për një euro. Por edhe çmimet e monedhave ndryshojnë çdo moment. Ligjet e kërkesës dhe ofertës veprojnë njësoj ,si dhe në tregjet e mallrave. Çmimi i monedhave varion sipas ndryshimeve të kërkesës dhe ofertës për para.

Në rast se për të blerë një euro do të duhen më shumë lekë, të themi 136 lekë, atëherë themi se monedha jonë, leku, është zhvlerësuar, është bërë më pak e vlefshme. Në rast se për të blerë një euro duhen vetëm 134 lekë, atëherë themi se leku është vlerësuar. Ose e shprehur në gjuhën korrekte të teorisë ekonomike, në rast se me një lek blihet më shumë euro, atëherë themi se leku është vlerësuar në raport me euron, ndërsa në rast se me një lek blejmë më pak euro themi se leku është zhvlerësuar në raport me euron. Ose në një terminologji tjetër themi se në rastin e parë leku është fuqizuar në raport me euron, ndërsa në rastin e dytë themi se leku është dobësuar në raport me euron.

Kursi i këmbimit të monedhës është me shumë rëndësi në tregtinë ndërkombëtare pasi, siç e theksuam, pagesat kryhen në monedhën e huaj. Gati 70% e tregtisë së jashtme të Shqipërisë kryhet me vendet e Bashkimit Europian, prandaj dhe euro është një monedhë me rëndësi për ekonominë tonë. Duke qenë se ne blejmë dhe konsumojmë produkte që blihen në tregjet e huaja, ne ndikohemi shumë nga kursi i këmbimit. Për shembull supozojmë se ne konsumojmë djathin italian parmigiano, i cili importohet nga tregtarët me 50 euro kilogrami. Kursi i këmbimit të lekut me euron në momentin e blerjes është 140 lekë për një euro.

Pra, janë shpenzuar 7,000 lekë për blerjen e këtij malli. Por, në momentin e konsumit kursi i këmbimit për një euro është 135 lekë. Që do të thotë se në qoftë se tregtari do ta shiste këtë produkt me kursin aktual të këmbimit, ai do të merrte në shkëmbim vetëm 6,750 lekë (50 euro x 135 lekë/euro), pra tregtari do të kishte humbur 250 lekë për një kilogram. Ose në qoftë se kursi i këmbimit është 145 lekë dhe ne e blejmë djathin në treg me këtë kurs këmbimi, atëherë ne do të shpenzojmë 7,250 lekë, ose 250 lekë më shumë se kur leku ishte më i fortë.

Pra, zhvlerësimi i lekut në këtë rast rrit çmimin e mallrave të importuara të shprehura në monedhën e vendit. Dhe e kundërta, forcimi i monedhës së vendit ul çmimin e mallrave të importit të shprehura në monedhën tonë kombëtare. Ndërsa efekti i ndryshimit të kursit të këmbimit është i kundërt për mallrat tona që shiten jashtë vendit. Forcimi i monedhës sonë do të bënte që çmimi i mallrave tona që shiten jashtë, të shprehur në monedhën e atij vendi, të ishte më i lartë dhe zhvlerësimi i monedhës sonë do të bënte që çmimi i mallrave tonë të shprehur në monedhën e vendit të huaj, të ishte më i ulët.

Pikërisht për këtë arsye, shpeshherë kursi i këmbimit përdoret edhe si instrument i politikave tregtare për të stimuluar eksportet (duke zhvlerësuar me dashje monedhën tonë) apo për të kufizuar importet (duke fuqizuar vlerën e monedhës sonë).

Në këtë aspekt njohja e faktorëve që ndikojnë në kursin e këmbimit është e një rëndësie të veçantë.

Disa nga faktorët kryesor janë:
1. Inflacioni – Nëse një vend ka normë më të ulët inflacioni se një vend tjetër, do të shoqërohet me një vlerësim të monedhës së vetë.
2. Normat e interesit – Sa më të larta të jenë normat e interesit në një vend, aq më shumë vlerësohet monedha e këtij vendi për shkak të rritjes së interesit nga investitorët e huaj.
3. Borxhi i shtetit – Një vend me borxh shtetëror të lartë ka tendencë që të shoqërohet me një zhvlerësim të monedhës vendase.
4. Stabiliteti politik – Një vend me stabilitet ka më shumë interes për investitorët e huaj e si rrjedhim mund të shoqërohet me forcim të monedhës vendëse.
5. Periudhat e recesionit – Kur një vend është në periudhë recesioni ka shumë mundësi që të shoqërohet me rënie të normave të interesit e si rrjedhim edhe me zhvlerësim të monedhës vendase.

Është e rëndësishme të theksojmë se të gjitha veprimet që kryen një vend me vendet e tjera, ose më saktë që kryejnë rezidentët e një vendi me jo-rezidentët pasqyrohen në një analizë që është e njohur si bilanci i pagesave. Pra bilanci i pagesave nuk është gjë tjetër veçse të gjitha transaksionet që ndodhin mes rezidentëve dhe jorezidentëve. Ai përbëhet nga importet dhe eksportet e të mirave, shërbimeve dhe kapitalit, si dhe pagesat e transferueshme siç janë huat dhe remitancat. Bilanci i pagesave përbëhet nga dy llogari kryesore, llogaria korrente dhe llogaria kapitale. Duke qenë se ai pasqyron të gjitha hyrjet dhe daljet për një vend, shuma e të gjitha transaksioneve duhet të jetë e barabartë me zero.