Hyrje në Ekonomi Tematika 1 Mësimi 3
TEMATIKA 1 ÇFARË STUDION EKONOMIA?
Ekonomia si një e tërë
Si funksionon ekonomia si një e tërë?
Parimi i tetë: standardi i jetesës së një vendi varet nga aftësia e tij për të prodhuar mallra dhe shërbime. Diferencat në standardin e jetesës midis vendeve të ndryshme janë shumë të mëdha. Për shembull, të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri në vitin 2014 ishin 4,500 dollarë amerikanë, ndërsa ishin 55,000 dollarë për frymë në SHBA, 13,000 dollarë për frymë në Kinë etj. Ky ndryshim i madh në të ardhurat për frymë përcakton edhe ndryshimet e mëdha në standardin e jetesës së qytetarëve të vendeve të ndryshme. Çfarë e shkakton këtë ndryshim? Pothuajse i gjithë ky ndryshim u atribuohet diferencave në produktivitetin e ekonomisë, që është sasia e mallrave dhe shërbimeve që prodhon një punëtor. Kjo do të thotë që mënyra për të rritur standardin e jetesës është duke prodhuar më shumë mallra dhe shërbime. Duke rritur produktivitetin e ekonomisë, mund të rrisim dhe të ardhurat dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës. Kjo është një çështje me ndikime shumë të mëdha për politikat ekonomike dhe do të trajtohet gjerësisht gjatë studimit të kësaj disipline.
Parimi i nëntë: çmimet rriten kur qeveria prodhon shumë para. Një bukë standarde në vitin 1990 në Shqipëri kushtonte vetëm 4 lekë, kurse aktualisht kushton 60 apo 70 lekë, ose rreth 17 herë më shtrenjtë. Ky fenomen i rritjes së nivelit të përgjithshëm të çmimeve njihet me emrin inflacion. Në historinë e ekonomisë njihen periudha të rritjes së çmimeve në përmasa dramatike. Për shembull, në Gjermani, në vitet 1920 çmimet trefishoheshin brenda një muaji. Kur Shqipëria hyri në sistemin e ekonomisë së tregut të lirë, duke liberalizuar çmimet e mallrave në vitin 1992, çmimet më shumë u dyfishuan brenda një viti. Ndërsa tani inflacioni është rreth 2%-3% në vit, që do të thotë se duhen më shumë se 30 vjet që çmimet të dyfishohen. Natyrshëm mund të pyesim: çfarë e shkakton inflacionin? Në të gjitha rastet inflacioni shkaktohet kur qeveritë rrisin sasinë e parave në qarkullim. Kur sasia e parasë në qarkullim rritet, vlera e parasë bie.
Parimi i dhjetë: shoqëria ballafaqohet me zgjedhje përjashtuese midis inflacionit dhe papunësisë. Edhe pse, siç e theksuam më sipër, rritja e sasisë së parasë në ekonomi shkakton fenomenin e inflacionit, shumë ekonomistë, por jo të gjithë, besojnë se në afat të shkurtër rritja e sasisë së parasë mund të prodhojë një stimulim të ekonomisë, duke ulur çmimin e parasë dhe rritur investimet private. Kjo lidhje midis parasë dhe investimeve është një mënyrë për të ndikuar ciklin e biznesit në ekonomi. Ciklet e biznesit janë luhatje të paparashikueshme dhe të mëdha në aktivitetin ekonomik. Politikëbërësit mund të shfrytëzojnë në afat të shkurtër përdorimin e parasë për të rritur aktivitetin ekonomik dhe punësimin. Kjo çështje gjithashtu zë një vend qendror në ekonomi, prandaj dhe do të trajtohet më hollësisht në temat në vazhdim.
Kutia 1: Dhjetë parimet e ekonomisë
Si i marrin njerëzit vendimet?
1. Njerëzit përballen me zgjedhje përjashtuese (trade offs).
2. Kostoja e diçkaje është gjëja tjetër prej së cilës ju hiqni dorë që ta keni.
3. Njeriu racional mendon në kufijtë e marxhinalitetit.
4. Njerëzit reagojnë ndaj nxitësve.
Si ndërveprojnë njerëzit?
5. Tregtia mund t‘i bëjë të gjithë të jenë më mirë.
6. Tregjet janë një mënyrë e mirë për të organizuar aktivitetin ekonomik.
7. Qeveritë mund të përmirësojnë rezultatet e tregjeve.
Si funksionon ekonomia si një e tërë?
8. Standardi i jetesës së një vendi varet nga aftësia për të prodhuar mallra dhe shërbime.
9. Çmimet rriten kur qeveria prodhon më shumë para.
10. Në afat të shkurtër, shoqëritë përballen me zgjedhje përjashtuese midis inflacionit dhe papunësisë.