Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 2 Mësimi 2: Kërkesa

Hyrje në Ekonomi Tematika 2 Mësimi 2

TEMATIKA 2 KËRKESA, OFERTA DHE ÇMIMI I TREGUT

Kërkesa

Ligji i kërkesës
Kërkesa përbën sasinë e kërkuar të një malli apo shërbimi që blerësit janë të gatshëm dhe në gjendje të blejnë për nivele të ndryshme çmimesh në një kohë dhe në një vend të dhënë. Kemi nënvizuar fjalët të gatshëm dhe gjendje, për të shprehur se, edhe pse ndoshta shumë individë mund të dëshirojnë të blejnë një produkt, ata mund të mos kenë mundësi ta realizojnë këtë dëshirë. Një nga faktorët kryesorë, që ndikon në mundësimin apo pamundësinë për ta blerë një produkt, është çmimi. Nëse ju do të vendosni një çmim më të lartë për akullore, është e kuptueshme se mund të humbisni disa nga blerësit që nuk janë në gjendje të paguajnë çmimin e rritur të saj. Kjo marrëdhënie midis çmimit dhe sasisë së kërkuar të një malli quhet ligji i kërkesës dhe është i vërtetë për shumicën e mallrave që ne konsumojmë. Kur çmimi i një malli bie, në kushte të tjera të pandryshueshme, kërkesa për këtë mall rritet dhe e kundërta, kur çmimi i mallit rritet, kërkesa për të bie. Këtë lidhje negative midis çmimit dhe kërkesës për akullore po e shprehim në mënyrë grafike si më poshtë dhe që quhet lakorja e kërkesës. Paraqitja në formë tabele e sasisë së kërkuar për çdo nivel të dhënë të çmimit quhet skeduli i kërkesës.

Figura Ekonomia Mesimi 1.2.1

Zhvendosjet në kurbën e kërkesës Kërkesa për mallra nuk është një lakore e pandryshueshme përgjatë kohës. Kërkesa mund të rritet ose të ulet kur kushtet që e përcaktojnë atë ndryshojnë. Cilët janë disa nga faktorët që bëjnë të mundur që lakorja e kërkesës të zhvendoset, në rritje apo në ulje?

Figura Ekonomia Tematika 2 Mesimi 2

Të ardhurat
Në qoftë se pikërisht në stinën e verës, kur konsumi i akullores rritet, ju humbisni vendin e punës, çfarë do të ndodhë me kërkesën për akullore? Me shumë gjasa, kërkesa juaj për akullore do të bjerë. Një rënie e të ardhurave do të thotë se ju keni më pak para për të blerë mallra, prandaj dhe kërkesa bie. Lakorja e kërkesës do të zhvendoset poshtë. Në këtë rast ne u referohemi këtyre mallrave si mallra normale ose të mira normale. Ka dhe raste kur, me rritjen e të ardhurave, kërkesa për një mall bie. Këto quhen mallra inferiore ose të mira inferiore. Një shembull tipik është transporti publik. Kur të ardhurat tuaja rriten, ju keni mundësi të udhëtoni me makinë apo me taksi dhe jo me autobusin urban.

Çmimet e mallrave të lidhur
Mallra të lidhur me njëri-tjetrin mund të jenë mallra zëvendësues ose bashkëplotësues të njëri-tjetrit. Mallra bashkëplotësues janë ata mallra, të cilat konsumohen së bashku, pavarësisht nëse konsumohen në raporte të barabarta apo jo. Për shembull, kafja dhe sheqeri mund të konsiderohen mallra bashkëplotësues për ata persona që kafen e shoqërojnë gjithnjë me sheqer. Ndërsa mallra zëvendësues quhen ato mallra, të cilat mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin në konsum, për shkak të karakteristikave apo funksioneve të tyre të ngjashme, duke bërë që konsumatorët të sigurojnë dobi të njëjtë apo të ngjashme nga secila prej tyre. Për shembull, gjalpi dhe margarina konsiderohen mallra zëvendësues. Supozojmë se çmimi i automjeteve në një vend ulet. Sipas ligjit të kërkesës, sasia e kërkuar për automjete do të rritet. Duke qenë se blerja e automjeteve është e lidhur me blerjen e karburantit, atëherë me rritjen e kërkesës për automjete, do të rritet edhe kërkesa për karburant. Pra, dy mallra quhen bashkëplotësues atëherë kur rritja e çmimit të njërit shkakton ulje të kërkesës edhe për mallin tjetër. Supozojmë se çmimi i biletave të trenit rritet. Sipas ligjit të kërkesës, kjo do të çojë në rënien e kërkesës për të blerë bileta për transportin me tren dhe rritjen e kërkesës për alternativat e tjera të transportit, për shembull shërbimin e transportit me autobus. Pra, dy mallra quhen zëvendësues atëherë kur rritja e çmimit të njërit mall shkakton rritjen e kërkesës për mallin tjetër.

Shijet
Shijet janë një përcaktues i rëndësishëm i kërkesës për një mall. Ju do të blinit më shumë çokollata apo akullore nëse shijet tuaja janë të forta për këto mallra. Edhe pse është e vështirë që ekonomistët t‘i matin me saktësi shijet dhe preferencat, roli i tyre në kërkesën për mallra është shumë i rëndësishëm dhe ato mbahen në konsideratë nga ekonomistët.

Pritshmëritë
Nëse ju prisni që çmimet e mallrave në muajt në vazhdim do të rriten, atëherë edhe ju mund të shpenzoni më shumë në blerjen e mallrave që ju preferoni. Për shembull, në konsumin e akullores; ose, nëse pritet që çmimi i apartamenteve të rritet në muajt e ardhshëm, ju mund të vendosni që të blinit që tani një banesë. Kjo do të bëjë që kërkesa për banesa të rritet.

Numri i blerësve
Në qoftë se blerësi i një produkti do të bëhej dhe shoqja apo shoku juaj i klasës, kërkesa për produktin do të rritej. Sa më i madh të jetë numri i blerësve të një malli, aq më e lartë është kërkesa për të.

Figura Ekonomia Tematika 2 Mesimi 2.2