Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 8 Mësimi 1: Roli i qeverisë në ekonomi

Hyrje në Ekonomi Tematika 8 Mësimi 1

TEMATIKA 8 ROLI I QEVERISË NË EKONOMINË E TREGUT

Roli i qeverisë në ekonomi

Këndvështrime teorike mbi rolin e qeverisë në ekonomi
Në kohët e sotme qeveria përkufizohet si “një grup njerëzish të organizuar politikisht, që ushtrojnë pushtetin e tyre në një territor të caktuar gjeografik”. Por, ky është vetëm njëri nga përkufizimet e përdorura në kohë. Origjina e këtij termi daton që në shekullin e XIII (status: stats rei republicae) dhe do të thotë: pushteti sovran që miraton ligje dhe merr vendime me objektivitet, në të mirë të komunitetit ku ai vepron, lidhur me çështje të brendshme apo të jashtme. Në analizën e historisë së zhvillimit njerëzor, njerëzit kanë kaluar nga një stad i ulët i organizimit drejt statuseve më të larta të organizimit për t’iu përgjigjur sfidave që një nivel organizimi shoqëror i mëparshëm nuk i përballonte dot. Kjo argumenton faktin se qeveritë janë të domosdoshme për të përballuar disa probleme të vështira, të cilët individët nuk mund t’i përballojnë vetë, siç janë sigurimi i rendit publik, mbrojtja e kufijve të shtetit, ndërtimi i veprave të mëdha infrastrukturore, parandalimi dhe menaxhimi i krizave humanitare dhe natyrore, parandalimi dhe ndërhyrja me politika aktive monetare e fiskale ndaj krizave ekonomike e financiare. Në historinë e ekonomisë, duke filluar që në Greqinë e Lashtë, gjithmonë është parë me një rëndësi të veçantë ndërhyrja dhe roli i qeverisë. Për të pasur një pasqyrim sa më të saktë të ndikimit që qeveria ka në ekonomi, është e nevojshme të shqyrtohen teoritë e shkollave të ndryshme të mendimit ekonomik lidhur me këtë debat.

1. Liberalizmi klasik – Konceptet kryesore të kësaj teorie janë liria individuale dhe eficienca. Teoria e liberalizmit klasik është teoria politike dhe ekonomike që pohon se, rregullatori më i mirë i ciklit prodhues, jetës shoqërore dhe i shpërndarjes sa më efikase të resurseve është tregu i lirë. Përkrahësit e kësaj teorie mbështesin derregullimin dhe ndërhyrjen minimale të qeverisë.

2. Neoliberalizmi – Bazohet në teorinë ekonomike klasike të Adam Smith-it1. Përkrahësit e kësaj rryme i japin një rol më të rëndësishëm qeverisë në ekonomi, pasi sipas tyre, vetë ekzistenca e dështimit të tregut justifikon nevojën e ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi. Sipas kësaj rryme, liria e tregut është absolute në mbarëvajtjen ekonomike të vendeve. Gjithashtu, ajo duhet shoqëruar me luftën kundër monopoleve, si dhe formave të tjera që cenojnë lirinë e tregut. Kjo teori fokusohet në pesë aspekte: individualizmi, prona private, liria, shpërndarja e resurseve dhe të ardhurave, konkurrenca.

3. Teoria marksiste – Barazia në ndarjen e burimeve duhet të aplikohet në ekonomi dhe e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është nëpërmjet shpronësimit (eliminimit të pronës private). Në këtë teori, qeveria ka rol dominues, duke pasur kontroll mbi të gjitha mjetet e prodhimit. Kjo e lejon qeverinë të shpërndajë të gjithë resurset në ekonomi nëpërmjet planeve politike të zhvillimit. Në ekonomi qeveria luan një rol rregullator. Ndërhyrja e qeverisë në ekonomi është e pashmangshme, pasi ekzistojnë disa role dhe përgjegjësi që nuk mund të merren përsipër nga sektori privat.

4. Teoria kejnsianiste – Kjo teori u formulua nga J.M. Keynes (1883-1964) dhe mbështet rolin e qeverisë në ekonomi, i cili shihet më qartë në stabilizimin e ekonomisë së një shteti. Qeveria duhet të luftojë për qëndrueshmëri, rritje ekonomike dhe për të kapërcyer me kosto sa më të ulët ciklet ekonomike rënëse. Tregu nuk është në gjendje t’i zgjidhë në mënyrë eficiente dështimet e tij. Për këtë teoria kejnsianiste përkrah ndërhyrjen e qeverisë si rregullator në sektorë të ndryshëm, si: arsimi, shëndetësia, ofrimi i shërbimeve publike, ndotje etj.

Roli i qeverisë në ekonominë e tregut
Ekonomia e tregut mund të përkufizohet si sistemi në të cilin kërkesa dhe oferta për produkte dhe shërbime luajnë rolin kryesor në një treg konkurrues. Këtë gjë ju mund ta vëreni në jetën tuaj të përditshme. Kur shpërndarja e mallrave dhe shërbimeve nuk është efikase, atëherë tregjet mund të dështojnë duke sjellë pasoja negative ekonomike te konsumatorët, si dhe në produktivitetin e ekonomisë.

Për të vlerësuar rolin e qeverisë në ekonomi shpesh përdoren konceptet qeveri e vogël ose qeveri e madhe. Në aspektin sasior, për dallimin nëse qeveria është e madhe apo e vogël, përdoret madhësia e qeverisë bazuar në përqindjen e PBB-së që qeveritë mbledhin dhe shpenzojnë në ekonomi. Madhësia e qeverisë përcaktohet nga totali i shpenzimeve ku përfshihet edhe deficiti buxhetor. Për shembull, një qeveri që shpenzon nëpërmjet buxhetit 27% të PBB-së vlerësohet qeveri e vogël. Një qeveri që shpenzon nëpërmjet buxhetit mbi 33-36% të PBB-së vlerësohet qeveri e mesme. Një qeveri që shpenzon nëpërmjet buxhetit mbi 45% të PBB-së vlerësohet qeveri e madhe. Në vendet nordike, ky tregues arrin deri në 55% të PBB-së. Kjo ndodh sepse këto vende aplikojnë modelin e ekonomisë sociale të tregut që vendosin në qendër të zhvillimit të tyre politikat e kohezionit social. Qeveritë e këtyre vendeve aplikojnë politika publike dhe projekte sociale që luftojnë papunësinë dhe varfërinë, që synojnë cilësi të lartë të arsimit dhe shëndetit publik, që e mbështesin zhvillimin në harmoni me ambientin, duke mos dëmtuar apo zvogëluar burimet natyrore të zhvillimit për brezat e ardhshëm.

Në aspektin cilësor, një qeveri konsiderohet e vogël apo e madhe në varësi të shkallës së ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi nëpërmjet politikave rregullatore apo mbikëqyrëse. Në rastet kur qeveria fokusohet te politikat derregullatore, duke minimizuar rastet dhe përmasat e ndërhyrjeve, qeveria vlerësohet e vogël. Shpesh politikat rregullatore dhe derregullatore kushtëzohen edhe nga fazat e cikleve ekonomike. Kur ndodhemi në fazën e ekspansionit marrin prioritet politikat rregullatore për të reduktuar risqet e flluskave financiare. Kur ekonomia ndodhet në fazën e recesionit marrin mbështetje politikat derregulluese për të rritur impaktin e biznesit në rritjen e ekonomisë.

Debati qeveri efektive ose joefektive po merr gjithnjë e më shumë rëndësi. Në këtë rast mbahen parasysh një sërë treguesish socialë për të vlerësuar qeveritë. Pra, pavarësisht nga madhësia e qeverive vlerësohet nëse janë efektive apo jo bazuar te treguesit e punësimit, papunësisë, varfërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në tërësi.

Në një ekonomi tregu individët konsumatorë dhe kompanitë private luajnë rol më të rëndësishëm se qeveria. Natyrshëm lind pyetja: kur është e nevojshme ndërhyrja e qeverisë në një ekonomi tregu? Sipas teorive të ekonomisë, “dora e padukshme” e Adam Smith-it vepron për të rregulluar tregun, por është e pafuqishme përkundrejt dështimeve të tregut. Nëse i referohemi një ekonomie tregu ideale, në të cilën të vetmet palë të interesuara janë shitësit dhe blerësit, shpërndarja e resurseve do të bëhej në një mënyrë eficiente. Po në rastet kur prodhimi i një produkti të caktuar apo ofrimi i një shërbimi ka ndikim dhe mbi palë të treta?

Në këtë rast, do të duhej një rregullator, arbitër, i cili të mbronte interesat e palëve të treta të ndikuara. Pra, nëse çdo gjë do të lihej në dorën e tregut, do të lindnin dyshime mbi shpërndarjen eficiente të të mirave materiale në ekonomi. Në këtë rast është qeveria që ndërhyn nëpërmjet politikave të ndryshme për të siguruar një shpërndarje sa më eficiente të resurseve të një ekonomie. Për sa u përmendën më sipër, mund të themi që tregu vetërregullohet nëpërmjet “dorës së padukshme” vetëm nëse qeveria forcon rregullat dhe mbështet institucionet.