Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 4 Mësimi 1: Firma dhe objektivat e saj

Hyrje në Ekonomi Tematika 4 Mësimi 1

TEMATIKA 4 FILLIMI I NJË BIZNESI DHE FINANCIMI I TIJ

Firma dhe objektivat e saj

Çfarë është sipërmarrja?
Sipërmarrja është një organizatë apo njësi institucionale që bazohet në një projekt dhe strategji zhvillimi, në politika dhe plane veprimi. Qëllimi i saj është që të sigurojë fitime nëpërmjet prodhimit të mallrave apo ofrimit të shërbimeve të destinuara për një tërësi klientësh apo përdoruesish. Për realizimin e qëllimeve të saj, sipërmarrja mobilizon dhe konsumon burime materiale, njerëzore e financiare, duke kordinuar funksionet e blerjes, tregtimit dhe menaxhimit. Sipërmarrja e ushtron aktivitetin e saj në kuadrin e një konteksti të përcaktuar ku bëjnë pjesë elemente të tilla si:
a. mjedisi konkurrues;
b. struktura e makinerive dhe pajisjeve;
c. modeli ekonomik e social;
d. modeli institucional dhe forma juridike;
e. ligjet dhe rregullat financiare e fiskale etj.

Objektivi kryesor i saj është sigurimi i eficiencës së prodhimit i shprehur në formën e fitimit financiar. Për të ekzistuar juridikisht, sipërmarrja duhet të ketë një nga format juridike të parashikuara në ligj. Çdo sipërmarrje duhet të ketë një statut juridik, fiskal dhe tregtar të qartë, i cili përcakton mënyrën e organizimit dhe funksionimit të saj, llojin e aktiviteteve, natyrën dhe burimet e kapitalit, aksionerët etj; kërkohet të krijohet një biznes individual, një shoqëri aksionere, një shoqëri tregtare, etj.

Format juridike më të njohura të sipërmarrjeve janë:
1. Strukturat individuale – Kur sipërmarrja është aktivitet dhe kontribut i një individi të vetëm (artizanat, shërbime, profesione të lira etj.).
2. Shoqata apo kooperativa – Kur objekti i punës së sipërmarrjes nuk ka qëllime direkte fitimi, por fokusohet në shërbime të ndryshme me qëllime sociale.
3. Shoqëri juridike prodhuese, tregtare ose shërbimesh – Në rastet kur sipërmarrja ka dy ose më shumë ortakë (shoqëri anonime, shoqëri aksionere, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, etj.).
4. Korporatat – janë forma të organizimit të biznesit në të cilat përgjegjësia e pronarëve është e kufizuar deri në masën e kapitalit të investuar prej tyre.

Faktorët e sipërmarrjes
Studimi i sipërmarrjes kërkon marrjen parasysh të disa faktorëve. Ekzistojnë vlerësime të ndryshme pse disa njerëz vendosin të punësohen dhe disa të tjerë vendosin të punojnë për dikë tjetër.

Prirja për sipërmarrje diktohet nga disa sfera kryesore ndikimi:
Personaliteti – Personaliteti i çdo individi është pararendësi kryesor i prirjes që kanë njerëzit për t’u marrë me sipërmarrje. Tiparet kryesore të personalitetit të një sipërmarrësi janë:
a. pasioni për biznes;
b. këmbëngulja pavarësisht dështimeve;
c. vetëbesimi;
d. prirja për të vendosur vetë;
e. menaxhimi i riskut;
f. vlerësimi i ndryshimeve si mundësi zhvillimi;
g. toleranca ndaj situatave të paqarta;

Faktorët motivues
– Shumë njerëz kanë ide shumë të
mira biznesi, por motivimi bënë që ëndrrat personale të bëhen të vërteta. Të jesh i motivuar është një nga pikat kryesore të suksesit. Shumë individë mund të kenë një nivel të lartë të motivimit në fazat e para të biznesit, por me kalimin e kohës ky motivim zbehet e po ashtu fillon zbehet edhe sipërmarrja.

Faktorët kulturorë
– Studimet specifike të realizuara në këtë drejtim dëshmojnë për një ndërthurje të
konsiderueshme ndërmjet ndikimit të kulturës dhe tipareve të personalitetit të individit. Elementë të tillë kulturorë si: vlerësimi i sipërmarrjes si diçka pozitive, konsiderimi i saj si profesion jo shumë i dobishëm, besimi te tregu dhe liria ekonomike, koncepti për sakrificat personale dhe mirëqenien etj. ndikojnë ndjeshëm në iniciativat e sipërmarrjes.

Gjendja shoqërore dhe profesionale
– Prirja drejt vetëpunësimit është e ndikuar dhe nga situata
shoqërore e individëve dhe profesioni i tyre. Plani për t’u bërë sipërmarrës ndikohet nga fakti nëse je i punësuar apo i papunë, nga të ardhurat dhe niveli social, nga profesioni që ke aktualisht apo edhe nga gjendja e tregut dhe politikat ekonomike ku është e orientuar qeveria.

Tipologjia ekonomike e sipërmarrjeve
Nga pikëpamja ekonomike, sipërmarrjet klasifikohen sipas disa kritereve:
1. Sektorit ekonomik – Ndërmarrjet kanë një klasifikim ndërkombëtar që është i njohur si nomenklatura e veprimtarisë ekonomie, ku të gjitha ndërmarrjet grupohen sipas specifikave që ato kanë në produktet që prodhojnë ose shërbimet që ofrojnë. Gjithsesi, në një grup më të agreguar mund ti ndajmë:
a. sektori bujqësor – ku përfshihen aktivitetet e lidhura me bujqësinë, shfrytëzimin e pyjeve, peshkimi etj.;
b. sektori industrisë – ku përfshihen aktivitetet e industrisë nxjerrëse (naftë, krom etj,) dhe prodhuese që përpunojnë dhe transformojnë burimet natyrore të prodhuara, të tilla si makineri e pajisje, ndërtime dhe vepra infrastrukturore, makina, anije, avionë, pajisje elektroshtëpiake etj.
2. Madhësisë dhe impaktitit ekonomik – Sipas kritereve aktuale në vend, sipërmarrjet klasifikohen në 4 grupe:
a. mikro-bizneset (kanë 1 – 4 punonjës);
b. bizneset e vogla (kanë 5 – 9 punonjës);
c. bizneset e mesme (kanë 10 – 49 punonjës);
d. bizneset e mëdha (kanë mbi +50 punonjës).
3. Degës homogjene dhe sektorit ekonomik: sipërmarrje që prodhojnë vetëm një produkt ose grup produktesh specifike; sipërmarrje që punojnë vetëm në një sektor ekonomik; sipërmarrje komplekse që e ushtrojnë aktivitetin në një apo disa sektorë ekonomikë.

Objektivat e sipërmarrjes
Sipërmarrja, si aktor ekonomik, ka dy kategori objektivash: objektiva ekonomike dhe objektiva sociale. 

1. Objektivi kryesor ekonomik i sipërmarrjes është realizimi i fitimit në mënyrë që të financojë aktivitetin prodhues, investimet e ndryshme dhe punonjësit, si dhe të shpërblejë pronarët apo aksionerët e saj. (Objektiva të tjerë me natyrë ekonomike e financiare) janë: prodhimi i mallrave dhe shërbimeve cilësore;
a. plotësimi i kërkesës konsumatore në treg;
b. përballimi i konkurrencës;
c. përmirësimi i treguesve të rentabilitetit financiar, etj.

Objektivat socialë të sipërmarrjes janë:
a. krijimi i sa më shumë vendeve të punës;
b. motivimi dhe shpërblimi sa më i mirë i punonjësve;
c. rritja e formimit profesional të punonjësve;
d. kontributi për komunitetin dhe shoqërinë;
e. stimulimi i bizneseve sociale etj.

Disa gabime që duhen evituar përpara krijimit të një biznesi:
a. Mungesa e koherencës në përshkrimin e projektit dhe nënvlerësimi i kohës dhe etapave të domosdoshme të zhvillimit të projektit.
b. Përqendrimi vetëm te produkti duke neglizhuar studimin e tregut dhe klientët.
c. Vlerësimi i gabuar i mjeteve dhe instrumenteve të domosdoshme për realizimin e objektivave.
d. Të mendosh vetëm për “fitimin” duke neglizhuar financimin dhe investimet etj.

Disa këshilla për të krijuar një biznes të suksesshëm:
a. Ti kushtosh kohën e duhur reflektimit për çdo element të projektit dhe të formalizosh në gjithë detajet e domosdoshme;
b. Të identifikosh një model ekonomik të përshtatshëm dhe cilësor;
c. Të vlerësosh dhe evidentosh në detaje gjithë nevojat për zhvillimin e projektit;
d. Të bësh një prezantim sa më të qartë të planit të biznesit dhe fazat e zhvillimit të tij;