Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 6 Mësimi 3: Tregu monopol

Hyrje në Ekonomi Tematika 6 Mësimi 3

TEMATIKA 6 STRUKTURA E TREGUT

Tregu monopol

Struktura e tregut monopol
Monopoli është një situatë tregu ku një prodhues apo ofrues shërbimesh i vetëm plotëson gjithë kërkesat e tregut. Për shembull, nëse prodhimi dhe shpërndarja e ujit mineral në një qytet bëhet nga një firmë e vetme, kjo përbën një situatë monopol. Monopoli, apo përqendrimi në një dorë të vetme të ofertës, shpjegohet me ekzistencën e barrierave për të hyrë në treg për firma të ndryshme. Ekzistojnë disa tipa barrierash që shpjegojnë rastet e nivelit të lartë të përqendrimit:
a. prodhimi dhe shpërndarja nga një firmë e vetme e një burimi natyror apo produkti të rrallë (p.sh., një firmë që prodhon dhe tregton gurë të çmuar);
b. ekzistenca në sektorë të caktuar e aktiviteteve që kërkojnë ekonominë e shkallës për të garantuar fitime, çka pengon firmat apo kompanitë e vogla që të hyjnë në këtë treg dhe të jenë rentabël (sa më shumë rritet prodhimi, aq më shumë zvogëlohet kosto mesatare – rasti i firmave të shpërndarjes së gazit natyror, ujit të pijshëm apo kompanive telefonike);
c. monopoli i krijuar nga ndërmarrjet publike, të cilat zotërojnë gjithë tregun për një produkt apo shërbim të caktuar për periudha shumëvjeçare (p.sh., shërbimi hekurudhor publik, shërbimi postar etj.);
d. strategjitë e firmave monopol për të penguar futjen në treg të firmave të tjera konkurruese, duke shitur për një kohë të caktuar produktin apo ofruar shërbimet me çmime më të vogla se kosto mesatare;
e. ekzistenca e të drejtës së pronësisë si licencat, patentat, markat tregtare etj., të cilat nuk lejojnë firma të tjera që të futen në treg, ose që të prodhojnë produkte të njëjta me firmën monopol.
f. një faktor tjetër pengues mund të jetë edhe baza ligjore. Nëpërmjet kufizimeve që mund të përcaktojë, p.sh një nivel i caktuar teknologjik, ajo mund të krijojë tregje monopole.

Ekuilibri monopol – Maksimizimi i fitimit nëpërmjet situatës monopol
Në kushtet e situatës së konkurrencës së pastër dhe perfekte, një firmë monopol kërkon maksimizimin e fitimit të saj. Për të maksimizuar fitimin, një firmë monopol fikson njëkohësish çmimin dhe sasinë e prodhimit. Kjo ndodh deri në momentin kur të ardhurat marxhinale barazohen me kostot marxhinale. Ekzistojnë dy dallime thelbësore për një firmë në situatën monopol:
a. firma ka mundësi ta përcaktojë vetë çmimin e shitjes, por megjithatë nuk mund të abuzojë maksimalisht me rritjen e çmimeve sepse rrezikon të humbë blerësit;

Figura Ekonomia Tematika 6 Mesimi 3.1

b. firma është e vetme në treg dhe duhet ta plotësojë e vetme kërkesën. Por, meqenëse kërkesa është në lidhje të zhdrejtë me çmimin, sa më shumë që firma monopol prodhon, aq më shumë duhet të ulë çmimin e shitjes. Në këto kushte, firma monopol duhet të përcaktojë nivelin e prodhimit që maksimizon fitimin e saj. Është pikërisht ky nivel prodhimi, i cili i përcakton asaj fiksimin e çmimit. Në një situatë tregu monopol, konsumatorët paguajnë një çmim të lartë, ndërkohë që kërkesën e tyre e kënaqin në një sasi më të vogël, sepse çmimi i shitjes redukton tepricën e konsumatorëve. Monopoli prodhon më pak me një çmim më të lartë. Në një situatë konkurrence të pastër dhe perfekte, në periudha afatgjatë, çmimet ulen deri në minimumin e kostos mesatare. Nëse firma kërkon fitime të reja, ajo është e detyruar të reduktojë kostot. Konkurrenca i detyron firmat të përdorin teknologji të reja më eficiente. Ky arsyetim nuk vlen për tregjet monopoliste, sepse firmat monopoliste nuk konkurrohen nga firma të tjera që mund të hyjnë në treg. Në një treg monopolist, sasia e ofruar është më e vogël sesa në një treg të konkurrencës së plotë. Në këto kushte nuk mund të flitet për situatë optimale, sepse konsumatorët mund të konsumonin më shumë dhe çmime më të ulëta, ndërsa prodhuesit mund të prodhonin më shumë.

Një situatë monopol mund të justifikohet në tre raste:
1. Prezenca e rendimenteve rritëse (ekonomisë së shkallës), e cila nuk u krijon mundësi firmave të vogla që të jenë rentabël. Nëse kostot fikse janë të larta, niveli i prodhimit për të cilin kosto mesatare rritet është shumë i lartë. Në këto kushte, kosto marxhinale bëhet më e vogël në raport me koston mesatare.

Nëse çmimi i shitjes është i barabartë me koston marxhinale, atëherë firma rezulton me humbje. Monopoli mund të nxjerrë fitime edhe kur kosto marxhinale është më e vogël se kosto mesatare, sepse çmimi i shitjes është më i lartë se kosto marxhinale.

2. Inovacioni, aplikimi i teknikave dhe teknologjive të reja, që firmat monopol angazhojnë në kërkim të fitimeve më të mëdha ose mbrojtjes më të mirë nga risku i tregut.

3. Monopolet publike. Shteti mund të krijojë monopole publike nëse vlerëson se disa të mira apo shërbime publike (uji, energjia elektrike, gazi, transporti urban, hekurudhat etj.) duhet t’u ofrohen njerëzve me çmime më të ulëta se ato të praktikuara nga monopolet private.

Strategjitë e tjera të monopolit – Shkrirja vertikale dhe horizontale
Maksimizimi i fitimit nuk është e vetmja strategji e adoptuar nga monopoli. Firma monopol mund të vendosë t’i maksimizojë të ardhurat e saj dhe, për pasojë, ta fiksojë volumin e prodhimit edhe përtej pikës kritike të fitimit marxhinal.
Kjo firmë mund të pranojë të shesë nën koston mesatare (çmimet që fiksohen nën koston mesatare janë më të ulëta se kosto marxhinale), megjithëse kjo mënyrë administrimi rrezikon të shkaktojë shpërdorim të përdorimit të burimeve prodhuese. Kjo lloj strategjie aplikohet kryesisht në rastet kur firma monopol i trembet hyrjes në treg të firmave të reja konkurruese.

Monopoli mund të vendosë të shesë me çmime të diferencuara sipas karakteristikave të klientëve të saj, si dhe të praktikojë diskriminime nëpërmjet çmimeve. Kjo lloj strategjie konsiston në shitjen me çmime të ndryshme të të njëjtit produkt dy apo shumë klientëve. Funksionimi i kësaj strategjie bëhet i mundur kryesisht në tregjet e mbyllura dhe me elasticitet të dobët çmimesh. Edhe monopolet publike kanë mundësi zgjedhje ndërmjet një tarifikimi bazuar në kostot marxhinale, ose një tarifikimi bazuar në kostot mesatare, por këto mundësi nuk pengojnë ushtrimin e diskriminimit nëpërmjet çmimeve. Për të arritur objektivat e maksimizimit, firma të ndryshme mund të shkrihen në një të vetme. Shkrirjet ose bashkimet bëhen për të shmangur konkurrencën dhe për të arritur fitime më të mëdha. Ato mund të jenë horizontale, kur firmat që shkrihen kryejnë të njëjtin biznes apo prodhojnë produkte të njëjta, dhe vertikale, kur firmat realizojnë hapa të ndryshëm të të njëjtit proces prodhimi. Shkrirjet horizontale janë më të pranishme kur në treg është një numër i vogël firmash dhe shkrirja do të sjellë sukses. Ndërsa shkrirjet vertikale janë më të pranishme në industri ku nga shkrirja e kompanive mund të përfitohet më shumë. Gjendje tjetër e tregjeve në kushte të konkurrencës joperfekte janë dhe situatat e ndërmjetme midis monopolit dhe konkurrencës së pastër dhe perfekte. Situata më e shpeshtë është ajo e prezencës së disa firmave në një treg, ku secila prej tyre duhet të marrë në konsideratë sjelljen dhe reagimet e konkurrentëve. Natyrisht, qëllimi strategjik i firmave synon gjithmonë objektivin e të qenit në një situatë sa më të përafërt me monopolin, situatë që ju garanton dhe fitime maksimale. Në këtë kuadër, firmat mund të krijojnë një “kartel”, domethënë të bien dakord për çmimet dhe sasitë e prodhimit, në mënyrë që të shmangin konkurrentët e tjerë nga tregu.