Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 9 Mësimi 2: Oferta monetare dhe roli i bankave

Hyrje në Ekonomi Tematika 9 Mësimi 2

TEMATIKA 9 PARAJA DHE INSTITUCIONET FINANCIARE

Oferta monetare dhe roli i bankave

Oferta e parasë
Oferta e parasë përfaqëson sasinë totale të parasë në ekonomi. Oferta e parasë është një nga instrumentet kryesore të politikës monetare, me anë të së cilës bankat qendrore realizojnë politikat monetare lehtësuese dhe politikat monetare shtrënguese. Në rastin e politikave monetare lehtësuese, bankat qendrore rrisin ofertën e parasë në ekonomi, ulin interesin bazë të parasë dhe, në qoftë se është e domosdoshme, ulin rezervën e detyrueshme që bankat tregtare kanë pranë bankës qendrore. Në rastin e politikave monetare shtrënguese bankat qendrore, ulin ofertën e parasë në ekonomi, rrisin interesin bazë të parasë dhe në qoftë se është e domosdoshme rrisin rezervën e detyrueshme që bankat tregtare kanë pranë Bankës Qendrore.

Një instrument i rëndësishëm i politikës monetare është interesi bazë i parasë në ekonomi, i cili ndikon në interesat e depozitave dhe në interesat e kredisë. Kur interesi i parasë ulet, kostoja e parasë është më e ulët për individët, biznesin dhe buxhetin e shtetit. Kur interesi i parasë rritet, paraja bëhet më e shtrenjtë, individët, biznesi dhe buxheti i shtetit kanë një kosto më të rëndë të financimit të shpenzimeve dhe investimeve të tyre. Ndikimi i politikës monetare në ekonomi mund të përcillet nëpërmjet:
a. rritjes ose uljes së ofertës monetare;
b. interesit bazë të parasë;
c. rezervës së detyrueshme të ndërmarra nga banka qendrore ose bankat e nivelit të dytë.

Kur politika monetare është lehtësuese, oferta e parasë në ekonomi rritet, kostoja e parasë ulet dhe konsumi investimi rriten dhe e anasjellta kur politika monetare është shtrënguese.

Oferta monetare mund të matet nëpërmjet këtyre agregatëve monetarë:
M1 – përfshin instrumentet e sistemit të pagesave që realizojnë këmbimin e mallrave në çdo kohë pa kushte dhe kufizime. Këtu përfshihen monedhat dhe kartmonedhat, si dhe çdo mjet pagese lëshuar mbi bazën e depozitave të poseduesit të çekut, si llogaritë e çekueshme dhe çeqet e udhëtarëve. Karakteristika kryesore e tyre është se janë plotësisht likuide. Me likuiditet kuptojmë lehtësinë dhe shpejtësinë e kthimit të një aktivi në para.

M2 – Ndryshe quhet paraja e gjerë. M2, përveç M1, përfshin edhe forma të tjera aktivesh që mund të kthehen me shpejtësi në para, si për shembull depozitat afatshkurtra etj. Këto aktive nuk janë plotësisht likuide, por kanë likuiditet të lartë dhe kthehen me një kosto të ulët në para likuide.

M3 – Përfshin M2 dhe aktivet që janë me pak likuide se sa ato që futen te M2. Këtu mund të përfshijmë depozitat e kursimit afatgjatë, valuta e huaj etj.

L – Është një agregat tjetër monetar ku futen M3 dhe aktivet e tjera që kanë një likuiditet shumë të ulët ose nuk janë fare likuide. Të tilla mund të jenë bonot e thesarit etj.

Mundësia konkrete, shpejtësia dhe kostoja e konvertimit të depozitave, bonove dhe obligacioneve të thesarit kushtëzohen nga shkalla e zhvillimit të tregjeve të kapitaleve.

Procesi i kryer nga bankat tregtare për depozitimin e kursimeve dhe fitimeve në trajtë të depozitave pa afat, afat shkurtër dhe afatgjatë, në monedhë kombëtare dhe/ose monedhë të huaj, si dhe përdorimi i këtyre burimeve financiare për të kredituar individët, biznesin dhe buxhetin e shtetit, përfaqëson ndërmjetësimin financiar. Ndërmjetësit financiarë janë bankat, bursat, fondet e investimeve dhe institucionet financiare jobankare.

Misioni i ndërmjetësve financiarë është të grumbullojnë kursimet e individëve, fitimet e papërdorura të biznesit dhe tepricat pozitive të buxhetit të shtetit, në trajtën e depozitave me dhe pa afat, në monedhë kombëtare dhe monedhë të huaj. Këto depozita do të përbëjnë burimin kryesor të financimit të ekonomisë. Ky ndërmjetësim duhet të realizojë kalimin e kursimeve drejt kreditimit të aktiviteteve më të suksesshme të ekonomisë. Pra, ndërmjetësimi financiar shërben për të kanalizuar fondet nga ata që i kanë me tepri tek ata që kanë kërkesë për to. Plotësimi i misionit të ndërmjetësve financiarë kushtëzohet nga cilësia e përzgjedhjes së huamarrësve të tyre. Në këtë mënyrë ekonomia, nëpërmjet projekteve të sukseshme, do të gjallërohet, do të rritet dhe do të bëhet më konkurruese.

Në një ekonomi konkurruese rriten shitjet, punësimi, pagat, ardhurat dhe fitimet. Individët, bizneset dhe buxheti i shtetit do të kenë më shumë të ardhura dhe më pak borxhe. Ka një lidhje pozitive midis shkallës së ndërmjetësimit financiar dhe shkallës së zhvillimit të një vendi. Në Shqipëri, pjesën më të madhe të sistemit financiar e zënë bankat dhe kjo për dy arsye kryesore: Shqipëria deri në vitin 2017 nuk ka pasur bursë të kapitaleve, ndërsa fondet e investimeve financiare kanë filluar të veprojnë vetëm pas viteve 2000, prandaj edukimi i popullsisë për investimet financiare është relativisht i dobët.

Sistemet bankare
Sistemi bankar është i organizuar në dy nivele. Niveli i parë janë bankat qendrore dhe niveli i dytë janë bankat tregtare.

Figura Ekonomia Tematika 9 Mesimi 2 F 1

Bankat qendrore kanë funksionet e mëposhtme:
a. hartojnë dhe implementojnë politikat monetare;
b. emetojnë monedhën kombëtare;
c. zhvillojnë sistemin e pagesave;
d. mbajnë dhe investojnë rezervat valutore;
e. hartojnë dhe ndjekin politikat e kursit të këmbimit si edhe rregullojnë;
f. licensojnë dhe mbikqyrin bankat e nivelit të dytë, që janë bankat tregtare.

Bankat tregtare janë kanali më i mirë që, nëpërmjet politikave për depoziat dhe kreditimet, të përcjellin në ekonominë reale impaktet e politikave monetare. Bankat tregtare grumbullojnë depozita dhe kreditojnë bizneset. Shkalla e zhvillimit të bankave tregtare dhe ndërmjetësve të tjerë financiarë janë domethënëse për zhvillimin ekonomik e social. Në shekullin XXI, për shkak edhe të avantazheve të krijuara nga teknologjitë e reja, është synuar që disa funksione të bankave tregtare në fushën e kreditimit të bizneseve, të bëhen jashtë bankave tradicionale.

Bankat tregtare dhe ndërmjetësit e tjerë financiarë shpesh iu nënshtrohen politikave rregulluese dhe derregulluese, sepse ato luajnë një rol të rëndësishëm në financimin e ekonomisë. Bankat i kalojnë fondet e mbledhura nga kursimet te huamarrësit që duhet të kenë projekte sa më të suksesshme. Që të japin kredi, bankat duhet të kenë burimet e tyre të financimit si: kapitalin themelues, depozitat dhe burime të tjera alternative. Për këtë, një nga funksionet thelbësore të bankave është mbledhja e fondeve të lira të individëve dhe kompanive, për të rritur burimet potenciale për kredidhënie. Depozitat janë të shumëllojshme, por ne do të veçojmë dy llojet kryesore: depozitat në të parë dhe depozita me afat.

1. Depozitat në të parë janë ato depozita që mund të përdoren në çdo kohë nga ana e zotëruesve të tyre pa asnjë kusht apo kufizim. Ato depozitohen pa afat. Po kështu, burime kreditimi janë edhe llogaritë pa afat të biznesit.

2. Depozitat me afat janë depozita që zotëruesit e tyre nuk mund t’i tërheqin para afatit të caktuar, në të kundërt penalizohen në përputhje me kushtet e paracaktuara në kontratë në momentin e depozitimit. Ato mund të jenë afatmesme 3 deri ne 5 vite dhe afatgjata mbi 5 vite. Por grumbullimi i këtyre fondeve të lira ka kosto për bankat, pasi ato paguajnë interesa për poseduesit e tyre. Prandaj, aktiviteti i dytë thelbësor i bankave, përfshin dhënien e huave firmave dhe individëve që kanë nevojë. Për këtë shërbim banka merr interes, i cili është më i lartë se interesi që ajo jep për depozita, sepse banka ka shpenzime për funksionimin e saj, duke synuar njëkohësisht edhe një normë fitimi.

Interesat që merr banka nga huatë që jep, përfaqësojnë të ardhurat e bankës, kurse interesat që paguan për depozitat përfaqësojnë një pjesë të shpenzimeve të saj përveç atyre për pagat e punonjësve të bankës, shpenzimet për energjinë elektrike, pajisjet, qiratë, etj. Diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve përbën fitimin e bankës. Bankat janë shumë të kujdesshme gjatë dhënies së kredive për shkak se ekziston rreziku i moskthimit të tyre, dhe varësisht nga shkalla e rrezikut caktohet edhe norma e interesit për kreditë e dhëna. Sa më e lartë të jetë shkalla e rrezikut, aq më e lartë do të jetë norma e interesit për kreditë që japin bankat.

Ndikimi i bankave në ekonominë e një vendi
Bankat tregtare, nëpërmjet grumbullimit të parave të lira dhe kreditimit të individëve, biznesit dhe buxhetit, nëpërmjet blerjes së instrumenteve të borxhit publik, kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit. Bankat tregtare mund të luajnë një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në ekonominë e një vendi kur kredidhënia e tyre mbështetet në projekte të suksesshme. Kjo sepse, projektet e suksesshme lehtësojnë kthimin e kredive, duke ndihmuar në një sistem bankar likuid dhe me rreziqe të vogla të stabilitetit financiar të vendit. Duke qenë se kredidhënia synon projektet më të suksesshme, indirekt bankat tregtare orientojnë dhe mbështesin ndryshimet strukturore të ekonomisë së një vendi. Për shembull, kur bankat mbështesin ndërtimin, teknologjitë e reja, projektet në sektorët me norma më të larta fitimi, ekonomia ndryshon pozitivisht strukturën e saj.

Bankat tregtare ofrojnë edhe një sërë shërbimesh të tjera për klientët e tyre, si këshilla për investimin e kursimeve të tyre, për kurset e këmbimit, për opsionet më të mira të depozitave për arsimimin e fëmijëve apo depozitat për moshën e tretë. Nuk duhet harruar se bankat tregtare kanë si qëllim fitimin dhe se kjo arrihet më mirë duke rritur cilësinë e kredidhënies, se sa duke synuar fitime nga aktivitete të tjera dytësore, siç janë, tarifat e shërbimeve të tyre, të cilat shpesh u rëndojnë padrejtësisht klientëve të tyre dhe mbajnë larg bankave një pjesë të popullsisë.

Domosdoshmëria e rezervës së detyrueshme bankare
Për të plotësuar misionin e saj të arritjes dhe ruajtjes së një niveli të caktuar të inflacionit, banka qendrore përdor instrumentat indirekte të cilat përfshijnë:
(1) Operacionet e tregut të hapur;
(2)
Instrumentet mbështetëse dhe
(3) Rezerva e detyrueshme.

Rezerva e detyrueshme përfaqëson atë pjesë të fondeve që bankat e nivelit të dytë duhet të mbajnë në llogaritë e tyre pranë bankës qendrore, në lekë dhe në valutë. Masa e rezervës së detyrueshme është pjesë e politikave rregullatore të bankës qëndrore. Respektimi i këtij detyrimi ligjor është pjesë e mbikqyrjes së bankave tregtare. Mosplotësimi i rezervës së detyrueshme në kohën e duhur i penalizon bankat tregtare me penalitete deri në heqjen e licencës. Rezerva e detyrueshme është një instrument i rëndësishëm i politikës monetare, pasi banka qendrore mund ta përdorë madhësinë e saj për të ndikuar normën e interesave afatshkurtër në tregun e parasë. Më konkretisht, kur banka qendrore synon të rrisë ofertën e parasë, ajo ul nivelin e rezervës së detyrueshme të bankave tregtare. Kjo masë rrit likuiditetin e bankave të nivelit të dytë, kështu ato do të japin më shumë kredi, oferta e parasë do të rritet dhe kostoja e parasë do të ulet.

E kundërta, kur banka qendrore është e shqetësuar nga rreziku i rritjes së inflacionit mbi objektivin e saj vjetor, ajo duhet të ulë kërkesën e përgjithshme të parasë në ekonomi. Në këtë rast rrit nivelin e rezervës së detyrueshme, gjë që ul madhësinë e likuiditeteve të bankave tregtare për të dhënë kredi. Oferta e parasë ulet, kostoja e parasë rritet dhe rreziqet e rritjes së inflacionit nga rritja e kërkesës bazuar te paraja e lirë reduktohen.