Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 1 Mësimi 4 Modelet ekonomike

Hyrje në Ekonomi Tematika 1 Mësimi 4

TEMATIKA 1 ÇFARË STUDION EKONOMIA?

Modelet ekonomike
Ashtu si dhe shkencat e tjera, edhe ekonomia përdor metodën e saj për të shpjeguar botën, modele që konsistojnë kryesisht në diagrame dhe ekuacione.

Modeli i diagramit të qarkullimit ekonomik
Modeli i parë që do të shtjellojmë është ai i diagramit të qarkullimit ekonomik, siç demonstrohet në figurën 1.1.

Figura Ekonomia Mesimi 4

Konsumatorët dhe firmat ndërveprojnë në dy lloje tregjesh:
në tregjet e mallrave e shërbimeve dhe në tregjet e faktorëve të prodhimit. Në tregjet e mallrave dhe shërbimeve konsumatorët janë blerës, ndërsa firmat shesin, kurse në tregjet e faktorëve të prodhimit konsumatorët shesin dhe firmat janë blerëse. Në diagram dallohen qartë dy qarqet e shkëmbimeve: në qarkun e brendshëm dallohen shkëmbimet e mallrave dhe faktorëve të prodhimit, ndërsa në qarkun e jashtëm dallohet drejtimi nga lëviz paraja. Ekonomia konsiston në miliona individë të angazhuar në aktivitete ekonomike, që blejnë dhe shesin, punojnë dhe prodhojnë. Për të kuptuar se si funksionon ekonomia, duhet të ndërtojmë një model që të shpjegojë se si organizohet ajo dhe si ndërveprojnë individët dhe firmat me njëri-tjetrin. Në këtë model të thjeshtuar dallohen dy lloje vendimmarrësish: individët ose familjet dhe firmat – dhe dy lloje tregjesh – tregjet e mallrave dhe tregjet e faktorëve të prodhimit. Firmat blejnë në treg dhe përdorin inputet si punën, tokën dhe kapitalin (ndërtesat, makineritë etj.,) për të prodhuar mallra dhe shërbime. Këto inpute quhen faktorët e prodhimit. Individët zotërojnë faktorët e prodhimit, të cilat duke i shitur te firmat, krijojnë të ardhurat që i përdorin për të konsumuar mallrat dhe shërbimet që prodhohen nga firmat. Siç duket dhe nga diagrami, qarkullimi i mallrave, shërbimeve, faktorëve të prodhimit dhe i parasë në drejtimin e kundërt, janë si qarkullimi i gjakut për organizmin e njeriut. Po e ilustrojmë me një shembull të thjeshtë. Prindi ju jep një kartëmonedhë 1,000 lekëshe, me të cilën ju do të shkoni me shoqërinë e klasës për një picë. Kur ju paguani te kasa e picerisë, kartëmonedha 1,000 lekëshe bëhet e ardhur për picerinë, të cilën pronari i restorantit do ta përdorë për të paguar qiranë e lokalit, pagat e punonjësve dhe shpenzime të tjera të veprimtarisë. Kështu këto pagesa do të transformohen në të ardhura për disa të tjerë. Dhe kështu vazhdon pafundësisht ky qarkullim ekonomik midis firmave dhe konsumatorëve që kryhen në treg.

Modeli i kurbës së mundësive të prodhimit
Shumica e modeleve të ekonomisë janë ndërtuar duke përdorur mjetet e shkencës së matematikës. Një model i thjeshtë është ai i kurbës së mundësive të prodhimit që do të shpjegojmë në vijim, duke ilustruar disa ide ekonomike. Siç do të shtjellojmë më poshtë, kurba e mundësive të prodhimit shpreh kombinimet e ndryshme të mallrave dhe shërbimeve që prodhon ekonomia me një nivel të caktuar të burimeve dhe të teknologjisë. Pra kurba e mundësive të prodhimit tregon maksimumin që mund të prodhojë një vend, duke përdorur mënyrë eficente të gjitha burimet. Të supozojmë se ekonomia prodhon dy mallra: të themi grurë dhe makina. Të gjitha burimet ekonomike ndahen midis këtyre dy produkteve, industrisë së makinave dhe prodhimit të grurit. Kurba e mundësive të prodhimit paraqet një grafik, ku mund të ilustrohen kombinime të ndryshme të prodhimit të të dy llojeve të mallrave.

Figura Ekonomia Mesimi 4.1

Te grafiku 1.1 mund të shohim se me burimet që disponon ekonomia, ne mund të prodhojmë 1,000 makina dhe asnjë ton grurë, ose 3,000 tonë grurë dhe asnjë makinë. Nëse duam që t‘i prodhojmë të dy mallrat, atëherë ne duhet të ndajmë burimet në kombinime të ndryshme. Për shembull, supozojmë se, në një moment të dhënë të kohës, ekonomia prodhon 600 makina dhe 2,200 tonë grurë. Nëse duam të shtojmë prodhimin e makinave edhe me 100 makina shtesë, do të duhet të heqim burimet që përdorim për prodhimin e grurit, duke prodhuar kështu vetëm 2,000 tonë grurë. Kështu ne mund të realizojmë kombinime të ndryshme duke lëvizur përgjatë lakores së kurbës së mundësive të prodhimit. Pikërisht lëvizjet përgjatë kësaj lakoreje demonstrojnë konceptin e zgjedhjeve përjashtuese (trade-offs) që shpjeguam më sipër. Për të prodhuar 100 makina më shumë, shoqëria duhet të heqë dorë nga 200 tonë grurë. Me fjalë të tjera, kostoja oportune e një makine është e barabartë me 2 tonë grurë (200 tonë grurë/100 makina). Duke qenë se kostoja oportune nuk është një numër konstant, kjo shpjegon edhe formën e lakores së kurbës së mundësive të prodhimit. Në qoftë se kosto oportune do të ishte 1 makinë ekuivalente me heqjen dorë nga 1 ton grurë, atëherë kurba do të ishte një vijë e drejtë. Nëse ekonomia prodhon shumë grurë, që i referohet pikës C në grafik, do të thotë se burimet e ekonomisë janë të specializuara në këto lloje aktiviteti, prandaj kostoja oportune e prodhimit të makinave në shkëmbim të grurit është e ulët. Alternativisht, kur ekonomia prodhon me shumicë makina, siç pasqyrohet në pikën B të grafikut, kostoja oportune e prodhimit të një ton gruri më shumë është e lartë, pasi kjo do të kërkonte që burime shumë të specializuara në prodhimin e makinave të shkonin për prodhimin e grurit. Kjo shpjegon se pse kurba e mundësive të prodhimit në këto pika është më e sheshtë.

Duke qenë se burimet janë të rralla dhe me nivelin e teknologjisë që disponojmë ekonomia nuk mund të prodhojë makina dhe grurë në pikën E në grafik. Ajo mund të prodhojë vetëm në kombinime të ndryshme përgjatë kësaj lakorje ose poshtë kurbës, siç tregohet në pikën F në grafik. Kur ekonomia prodhon mallra që ndodhen në lakore, atëherë themi se ekonomia po përdor në mënyrë eficiente burimet e saj. Nëse ekonomia ndodhet në pikën F në grafik, pra poshtë lakores së kësaj kurbe, atëherë themi se ekonomia nuk po i përdor në mënyrë eficiente burimet e veta. Rezultati i prodhimit është joeficient. Duke kërkuar te burimi i moseficiencave, për shembull nëse nuk shfrytëzohet e gjithë fuqia punëtore, atëherë ne mund ta zhvendosim ekonominë në një nivel më të lartë prodhimi, për shembull në pikën A apo B në grafik.

Por, kurba e mundësive të prodhimit mund të ndryshojë si rezultat i ndryshimeve në teknologji. Në qoftë se teknologjitë e reja bëjnë të mundur që me të njëjtat burime ekonomike ne të prodhojmë më shumë makina, atëherë kurba e mundësive të prodhimit do të zhvendosej në një pikë të re, G, siç demonstrohet në grafikun 1.2.

Figura Ekonomia Mesimi 4.2

Kjo zhvendosje e lakores shpjegon se si rritet ekonomia përgjatë kohës.