Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 9 Mësimi 1: Paraja dhe zhvillimi i saj

Hyrje në Ekonomi Tematika 9 Mësimi 1

TEMATIKA 9 PARAJA DHE INSTITUCIONET FINANCIARE

Paraja dhe zhvillimi i saj

Format e parasë
Format e parasë kanë evoluar nga format mall me mall filluar që në shoqëritë primitive, deri te debatet e hapura për monedhat virtuale. Disa klasifikime të formave të parasë përfshijnë:
1. Paraja primitive
– Si mjet këmbimi kanë shërbyer mallra të
ndryshme, të cilat lehtësonin plotësimin e nevojave të shitësit dhe blerësit, për shembull, gruri, lëkura, guackat, kripa etj.

2. Paraja metalike
– Iu përgjigj zhvillimeve pozitive ku tregtia po
rritej në volum dhe po zgjerohej territorialisht. Monedhat e para metalike datojnë gjashtë shekuj p.e.s. Ato kishin disa avantazhe krahasuar me mallrat e tjera që luanin rolin e mjetit të shkëmbimit. Paratë metalike ishin të lehta për këmbim. Ato ndaheshin në shumëfisha dhe nënfisha, ishin lehtësisht të transportueshmepër biznes, si dhe për t’u kursyer. Gjithashtu paratë metalike nuk e humbisnin vlerën e tyre nga faktorë të tjerë. Por jo çdo metal mund të fitonte statusin e monedhës, kështu që në dinamikë ari dhe argjendi fituan besueshmërinë si mjet këmbimi, matëse vlere dhe rujatëse vlere.

3. Paraja letër
– Volumi tregtar brenda shteteve dhe midis
shteteve po rritej ndjeshëm për shkak të politikave tregtare që synonin uljen e barrierave tarifore. Fillimisht, paraja letër është emetuar si kundërvlerë e arit dhe metaleve të tjera të çmuara. Kjo e bënte të pamundur rritjen e aktivitetit tregtar. Ndërsa volumi tregtar dhe deficiti tregtar i disa vendeve rritej ndjeshëm, ekspertët vlerësuan se ishte e pamundur të përballoheshin shpenzimet e deficiteve të mëdha tregtare dhe fiskale nga kundërvlefta e arit. Në vitin 1971 sistemi i arit, i miratuar në Bretton Woods, ku u themeluan Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, ra. Pas këtij momenti historik, kartëmonedhat nuk do të përfaqësoin më pjesën respektive të vlerës së depozituar të arit. Ato morën një vlerë ligjore të shpallur, e pasyruan në raportet e shkëmbimeve dhe të kursimeve.

4. Paraja depozitare
– Hapja e tregjeve, rritja e klasës së mesme,
globalizimi i ekonomisë, e bëri të vështirë edhe për paranë letër të lehtësonte sistemin e pagesave kombëtare dhe ndërkombëtare. Pagesat elektronike filluan të zinin një peshë të rëndësishme.

5. Paraja fiat
– Paraja e shpejtë përfaqëson paratë të cilat mund të kthehen lehtësisht dhe
menjëherë në likuiditete dhe të hyjnë në qarkullim. Këtu përfshihen depozitat e kursimit, depozitat pa afat dhe me afat deri në një vit.

Historia e parasë
Këmbimi i mallrave midis individëve ka lindur bashkë me njerëzimin, ndërsa format konkrete të këmbimit, lehtësimit dhe rritjes së tregtisë kanë evoluar bashkë me zhvillimin njerëzor. Në hapat e para të zhvillimit të tregtisë, këmbimi realizohej në mënyrë të drejtpërdrejtë ku shitësi dhe blerësi shkëmbenin mallrat e tyre. Termi “para” në thelbin e vet kupton pranimin e një malli si mjet këmbimi midis mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global. Në nivel lokal nënkupton faktin që, në fazën e zhvillimit të qyteteve, qyetete të ndryshme emetonin monedhat e tyre.

Në hapat e para të shkëmbimeve, rolin e matjes së vlerës dhe lehtësimit të këmbimit, e morën disa mallra të veçantë, si: guaskat, lëkura, kripa, druri, letra dhe metalet e çmuar. Këmbimet më të thjeshta në shoqëritë primitive ishin midis prodhimeve blegtorale dhe bujqësore. Për sa i përket parasë letër, forma më e vjetër daton në Aurignacian, rreth 30,000 vjet më parë. Paratë u shfaqën fillimisht si kredi dhe vetëm më vonë morën formën e një ndërmjetësi të shkëmbimit. Në perandoritë e lashta të Egjiptit, Babilonisë, Indisë dhe Kinës, tempuj dhe pallate shpesh kishin depot e mallrave, të cilat lëshonin certifikatat e depozitimit si dëshmi të një kërkese mbi një pjesë të mallrave të depozituara në depo, një formë e “parave përfaqësuese”.

Mallrat mund të shkëmbeheshin kur kishte shitës dhe blerës për këto mallra. Përzgjedhja e një malli që do të shërbente si: matës vlere; mjet këmbimi dhe ruajtëse vlere, ka evoluar në përgjigje të rritjes së volumit të këmbimit, rritjes së mallrave, shërbimeve dhe zgjerimit të hapësirës gjeografike të këmbimit drejt hapësirave globale.

Në mënyrë graduale njerëzit filluan të këmbenin jo vetëm për nevojat e domosdoshme, por edhe për mallra që nuk këmbeheshin vetëm drejtpërdrejtë, duke u shfaqur statusi i tyre si mjet këmbimi. Të tilla mallra kanë qenë metalet e rralla, kripa, lëkura, me të cilat njerëzit mund të bënin këmbime në momente të ndryshme. Këmbimi mall me mall kishte kufizimet e veta, sidomos për këmbime mallrash në sasi të mëdha dhe fizikisht masive: plotëpjestimi në shumëfish dhe nënfish i tyre ishte i vështirë, mundësia për t`i ruajtur këto mallra kishte kufizime kohore.

Nga ana tjetër, zhvillimi njerëzor nga njëri shekull në tjetrin po përparonte, numri i pjesëmarrësve në tregje po rritej ndjeshëm, shumëllojshmëria e mallrave po rritej shumë shpejt, tregtia ndërkufitare me vende të tjera po zgjerohej me shpejtësi, duke impononuar përsosjen e procesit të këmbimit. Prandaj, në mënyrë graduale, statusin e parasë e zunë monedhat metalike, të cilat u bënë të gjithëpranuara dhe filluan të zëvendësonin mallrat e tjerë që kishin realizuar më parë funksionet e parasë.

Në disa raste, pas periudhave relativisht të gjata, vende të ndryshme kanë ndryshuar edhe vlerën nominale të monedhave, prandaj shpesh dëgjojmë lekë të rinj dhe lekë të vjetër. Ka pasur vende që kanë kaluar periudha të gjata me inflacione të larta deri në hiperinflacion, që kanë reduktuar ndjeshëm vlerën e monedhave të tyre. Deri kohët e fundit, ari dhe argjendi ishin monedhat kryesore.

Për të reduktuar vështirësitë që kishin metalet e çmuara për këmbime në vlera të mëdha, zotëruesit e tyre i depozitonin ato në bankë. Banka, në raport me vlerën e këtyre metaleve, lehtësonte tregtinë duke ju dhënë poseduesve të arit dhe argjendit dëftesa bankare të garantuara nga kundërvlera e metaleve të çmuara. Një nga arritjet më të mëdha të parave ishte rritja e shpejtësisë në të cilën mund të bëhej biznesi.

Paraja ka vlerën e prodhimit të saj dhe vlerën nominale. Pra, prodhimi i monedhave metalike dhe kartëmonedhave ka një vlerë bazuar në kostot e tyre të prodhimit, por ato kanë edhe një vlerë nominale të dekretuar në të cilën emetohen, për shembull kartmonedhat 100 dollarë, 100 euro apo 200 lekë apo monedhat metalike 50 cent, 2 euro apo 100 lekë. Gjithnjë vlera e prodhimit të çdo kartmonedhe apo monedhe metalike, është shumë e vogël krahasuar me vlerën e dekretuar. Kjo e ardhur njhet me emrin Seignorage, e cila përfaqëson diferencën midis vlerës së parave dhe kostos për të prodhuar dhe shpërndarë atë. Seignorage përbën një të ardhur për buxhetin e shtetit.

Funksionet e parasë
Përgjithësisht kur flasim për para kemi parasysh kartëmonedhat apo monedhat metalike. Megjithatë, paraja nuk kufizohet vetëm në këto forma. Me para kuptojmë çdo objekt standard përgjithësisht të pranuar për të shërbyer si mjet këmbimi apo pagese. Monedhat kanë qenë pjesë përfaqësuese e identitetit kombëtar. Shtetet vlerësohen referuar edhe hershmërisë historike të krijimit dhe zhvillimit të tyre, bazuar në gjetjet arkeologjike të monedhave përkatëse.

Funksionet kryesore të parasë janë:

1. Funksioni i parasë si mjet këmbimi:
Përfaqëson një ndër funksionet më të rëndësishme të parasë sepse nëpërmjet tij realizohen transaksione të këmbimit në treg ndërmjet shitësve dhe blerësve në mënyrë eficiente. Në fillimet e proceseve tregtare këmbimi kryhej mall me mall, quajtur ndryshe ekonomia barter. Por kjo mënyrë këmbimi kishte kosto tepër të larta si në terma financiare, ashtu edhe në terma kohore, pasi njerëzve u duhej të gjenin pikërisht individët që prodhonin mallin për të cilin ata kishin nevojë dhe në kohën e përshtatshme për të dy, që të mundësonin transaksionin. Për realizimin e këtij funksioni paraja duhet të plotësojë disa karakteristika:

a. Lehtësia në këmbim
– Shprehet në pranimin gjerësisht të parasë si mjet këmbimi dhe
ndashmërisë së saj në njësi monetare të ndryshme (p.sh. 1, 2, 5, 10, 20, 50…, euro). Në qoftë se paraja nuk pranohet gjerësisht nga njerëzit, ajo nuk mund ta kryejë funksionin e mjetit të këmbimit dhe del nga qarkullimi.

b. Uniformiteti në paraqitje
– Që paraja të bëhet e pranueshme dhe lehtësisht e përdorshme
duhet që madhësia dhe forma e saj të jenë uniforme.

c. Lehtësia në transport
– Përfaqëson një karakteristikë tjetër të parasë, e cila është e domosdoshme
për të ulur koston e transportit, e cila rritet shumë me rritjen e vëllimit të transaksioneve. Është kjo arsyeja që gjatë zhvillimit historik, me zgjerimin e tregut, është kaluar nga përdorimi si para për mallrat e rënda në peshë, si gjë e gjallë, sexhade etj, në metalet e çmuara që janë më të lehta dhe pastaj në kartmonedhat që janë akoma më të lehta.

d. Qëndrueshmëri
– Karakteristika e parasë për të ruajtur formën për një periudhë relativisht të
gjatë kohore. e. Siguria nga falsifikimi – Historia njeh shembuj të shumtë dhe shpesh spektakolarë të falsifikimit të parasë. Është kjo arsyeja që emetuesi i saj kërkon vazhdimisht ta bëjë atë sa më të pafalsifikueshme, megjithëse është vështirë që kjo të arrihet plotësisht.

2. Funksioni i parasë si matëse e vlerës
– Përfaqëson një funksion tjetër të rëndësishëm të
parasë, e cila shërben së pari, për të matur me të njëjtën njësi mallra që nuk janë të bashkëmatshëm në njësi fizike. Po qe se do të kishim një ekonomi të këmbimit mall me mall, mallrat do të masnin vlerën e tyre në sasitë e mallit më të cilin këmbehen. Përdorimi i parasë e thjeshton mjaft problemin sepse secili mall e shpreh çmimin e tij në para, duke pakësuar numrin e çmimeve në aq sa janë edhe mallrat dhe duke reduktuar në këtë mënyrë edhe koston e transaksioneve. Duhet theksuar që paraja e mat vlerën e mallit jo sipas dobishmërisë që sjell secili mall që konsumohet, por sipas vlerës së tregut që përcaktohet nga kërkesa dhe oferta në treg.

3. Funksioni i parasë si ruajtëse e vlerës
– Paraja shërben dhe si mjet për të transferuar fuqinë
blerëse në periudha të ardhshme kohore. Në këtë kuadër, nga format e ruajtës së pasurisë, paraja shfaqet si aktive financiare. Funksionin e ruajtjes së vlerës e kryejnë edhe aktivet e tjera financiare, ato kanë përparësinë se sjellin interes më të lartë se paraja. Por paraja ka një përparësi tjetër të madhe që e bën atë të pranueshme, krahas aktiveve të tjera si ruajtëse e vlerës. Ajo është plotësisht likuide (shpejtësia dhe lehtësia për tu përdorur për kryerjen e trasaksioneve). Paraja është mjet këmbimi, pra është plotësisht likuide, ndërsa aktivet kërkojnë kohë dhe shpenzime për t’u kthyer në para, të cilat lidhen me procesin e shitjes së tyre në tregun e aktiveve.