Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 10 Mësimi 1: Treguesit makroekonomikë dhe produkti i përgjithshëm

Hyrje në Ekonomi Tematika 10 Mësimi 1

TEMATIKA 10 TREGUESIT KRYESORË MAKROEKONOMIKË

Treguesit makroekonomikë dhe produkti i përgjithshëm

Treguesit makroekonomikë
Në analizat e tyre, ekonomistët përgjithësisht përdorin disa tregues bazë për të matur gjendjen e ekonomisë, si:
a. punësimi
b. inflacioni
c. rritja ekonomike
d. stabiliteti i financave publike

Në thelbin e saj, teoria makroekonomike studion ekonominë kombëtare si një ekosistem ku faktorët bashkëveprojnë dhe kushtëzojnë efektet e tyre. Treguesit makroekonomikë të sipërpërmendur japin një pamje të qartë të situatës ekonomike të një vendi.

Në dinamikë analizohen zhvillimet në ekonomi dhe impaktet në treguesit makroekonomikë gjatë fazave të ciklit ekonomik. Studimi i detajuar i ekonomisë, përveç treguesve të mësipërm, përfshin edhe produktivitetin, bilancin e pagesave, bilancin tregtar dhe kursin e këmbimit. Integrimi i të gjithë këtyre treguesve dhe shtrirja në kohë e analizës së tyre mundëson një pamje të plotë të ecurisë ekonomike të vendit dhe gjithashtu shenjat e para për sektorët që kanë nevojë për ndërhyrje.

Në kushtet kur qeveritë synojnë një zhvillim ekonomik e social harmonik dhe të qendrueshëm, studimi i këtyre treguesve duhet parë në dinamikën dhe kompleksitetin e efekteve gjatë fazave të ndryshme të cikleve ekonomike.

Punëzënia e plotë dhe stabiliteti i çmimeve janë dy objektiva kryesore të qeverive, të cilët duhet të analizohen në periudha të ndryshme kohore. Në periudhën afatshkurtër duhet të harmonizohen politikat monetare dhe politikat fiskale, ndërsa në periudhën afatgjatë reformat strukturore, ku janë thelbësore funksionimi i shtetit ligjor, e drejta e pronës, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, cilësia e arsimimit dhe shëndetit publik dhe një administratë sa më profesionale.

Për të qartësuar politikat publike, objektivat e qeverive, si dhe për të matur arritjet apo dështimet është i nevojshëm një sistem treguesish ekonomik e social dhe i financave publike.

Analiza e treguesve makroekonomikë, ku një ndër më kryesorët është Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), është e rëndësishme për njohjen e situatës reale dhe përmirësimin e politikave publike. PBB shërben për të vlerësuar vlerën e ekonomisë në terma nominale dhe reale, analiza sipas sektorëve, rritjen ekonomike, llogaritjen e të ardhurave për frymë dhe për të bërë të mundur krahasimin midis vendeve dhe kohëve të ndryshme.

Papunësia
Objekti më i rëndësishëm i treguesve makroekonomikë është punëzënia e plotë. Nëpërmjet tij synohet të rriten të ardhurat e disponueshme të individëve dhe familjarëve. Rritja e të ardhurave ndihmon në uljen e varfërisë dhe pabarazisë.

Nëpërmjet punësimit duhet të arrihet rritja dhe shpërndarja më e mirë e përfitimeve të rritjeve ekonomike. Ekonomitë e shumë vendeve, por edhe ekonomia globale përballen me një sërë sfidash sociale, të cilat në vendet e varfëra dhe në zhvillim janë papunësia dhe varfëria e lartë, ndërsa në vendet e zhvilluara thellimi i pabarazisë. Ashpërsimi i plagëve sociale dëmton kohezionin social, ushqen pakënaqësitë, e deri ekstremet politike. Pavarësisht shumë diskutimeve mbi politikat e ndryshme në luftën kundër varfërisë, papunësisë dhe pabarazisë, ndërprerja e këtij zinxhiri është rritja e punësimit dhe rritja e të ardhurave të disponueshme për individët dhe familjet e tyre.

Inflacioni
Qëndrueshmëria e çmimeve është një tregues tjetër i rëndësishëm i vlerësimit të gjendjes së ekonomisë. Inflacioni përgjithësisht përkufizohet si rritje e vazhdueshme e nivelit të çmimeve të të mirave dhe shërbimeve. Arritja dhe mbajtja e një niveli të caktuar të inflacionit është objektiv kryesor i bankave qendrore. Kjo pasi që një ekonomi të prodhojë mirëqënie/prosperitet, duhet që të ardhurat për frymë të jenë në rritje, ndaj kërkohet që rritja e tyre vjetore të jetë më e lartë se rritja e inflacionit. Rritja e të ardhurave reale të disponueshme i jep mundësinë çdo individi dhe familje të financojnë më lehtë shpenzimet dhe investimet për një jetë më të mirë. Për një kohë relativisht të gjatë ekonomitë e shumë vendeve janë prekur nga rritje ekonomike pa rritje punësimi dhe pa rritje reale të të ardhurave. Kjo e ka thelluar pabarazinë dhe e ka shndërruar atë në një problem kritik social.

Financat publike
Financat publike, në kuptimin primar të tyre, kanë të bëjnë me shpenzimet dhe të ardhurat e qeverisë. Në ditët e sotme me këtë term janë të lidhura një sërë funksionesh të qeverisë për të siguruar mirëqenien e qytetarëve të vet. Lidhur me pjesën e stabilitetit të financave publike, me të cilin nënkuptohet një nivel i shëndetshëm i borxhit publik i krijuar për shkak të deficiteve buxhetore, këshillohet të synohet një rritje ekonomike jo nga rritja e borxheve të individëve, biznesit dhe atij publik. Një ekonomi është në një gjendje të mirë ekonomike kur veç të tjerash, ka financa publike të shëndetshme, pra nivele deficiti dhe borxhi publik që financojnë me kosto të ulët ekonominë. Teorikisht nuk ka një nivel deficiti dhe borxhi të rekomandueshëm për të gjithë vendet, kjo edhe për faktin se vende të ndryshme kanë histori të ndryshme të zhvillimeve ekonomike, nivele të ndryshme të produktivitetit, të mbledhjes së të ardhurave buxhetore dhe të ardhurave nga eksportet, si dhe të borxheve të trashëguara.

Studiuesit i referohen raportit të të ardhurave dhe shpenzimeve ndaj PBB-së, si një nga treguesit më kryesorë për të bërë të mundur matjen e performancës së qeverisë.