Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 12 Mësimi 2: Shkaqet e tregtisë ndërmjet vendeve

Hyrje në Ekonomi Tematika 12 Mësimi 2

Shkaqet e tregtisë ndërmjet vendeve

Tregtia e jashtme e Shqipërisë dhe roli i politikave tregtare
Duke qenë një veprimtari me përfitime pozitive, edhe vendi ynë zhvillon një aktivitet tregtar të zgjeruar me vendet e tjera të botës. Parimi i përparësive krahasuese shërben për të argumentuar përfitimet që siguron vendi ynë nga tregtia me jashtë. Nëpërmjet tregtisë me jashtë, vendi ynë siguron për konsumatorët shqiptarë mallrat që nuk janë eficiente të prodhohen brenda vendit dhe shet në tregjet ndërkombëtare mallra që firmat shqiptare prodhojnë në mënyrë më eficiente se prodhuesit e huaj. Mallrat që prodhohen jashtë vendit dhe që shiten në tregun e brendshëm quhen importe, ndërsa mallrat që prodhohen në vendin tonë dhe shiten në tregun e huaj quhen eksporte.

Sipas Institutit të Statistikave, INSTAT, në vitin 2017 Shqipëria ka eksportuar 265 miliardë lekë mallra në tregun botëror dhe ka importuar 626 miliardë lekë mallra. Kur diferenca midis eksporteve dhe importeve është pozitive, pra kur vendi shet më shumë mallra në tregun e huaj se sa importon, quhet suficit tregtar, ndërsa kur importet janë më të mëdha se eksportet, themi se vendi ka një deficit tregtar. Siç shihet nga të dhënat, Shqipëria ka një deficit në tregtinë me jashtë prej 361 miliardë lekë, që me kursin aktual të këmbimit është rreth 2.7 miliardë euro. Tabela më poshtë pasqyron kategoritë e mallrave të importit dhe eksportit.

Figura Ekonomia Tematika 12 Mesimi 2 F 1

Duke ju referuar tabelës së mësipërme gjithkush nga ne mund të bëjë një analizë të plotë të atyre produkteve që eksporton dhe importon vendi ynë. Mallrat nuk janë e vetmja gjë që ne shkëmbejmë me vendet e tjera. Ne shesim dhe blejmë dhe shërbime, siç janë për shembull shërbimet e turizmit, transportit etj. Gjithashtu, kapitalet monetare lëvizin përgjatë kufijve pa pengesa. Veprimet që një vend kryen në shitjen dhe blerjen e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve me jashtë vendit, regjistrohen në një dokument statistikor, i cili quhet Bilanci i Pagesave me jashtë. Ky dokument hartohet dhe botohet nga Banka e Shqipërisë. Përbërësit më të rëndësishëm të Bilancit të Pagesave janë: Bilanci i llogarisë korrente: ku regjistrohen tregtia e mallrave dhe e shërbimeve (ose që njihet edhe si bilanci tregtar) dhe disa të ardhura, ku më të rëndësishme për ekonominë tonë janë dërgesat e emigrantëve që punojnë jashtë vendit, shpeshherë të quajtura remitanca.

Bilanci i llogarisë kapitale dhe financiare: ku vendin kryesor e zënë investimet e huaja, si investimet që të huajt kryejnë në Shqipëri, por dhe investimet që investitorët tanë kryejnë jashtë vendit. Tabela më poshtë na jep një pasqyrë të bilancit të pagesave të Shqipërisë në fund të vitit 2016, ku ju mund të krijoni një perceptim për shkallën e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare të vendit tonë me botën.

Figura Ekonomia Tematika 12 Mesimi 2 F 2

Përparësitë e tregtisë së lirë
Tregtia e jashtme mundëson që vendet të përfitojnë nga procesi i shkëmbimeve duke u specializuar në prodhimin e produkteve. Që një vend prodhon në mënyrë më eficiente, do të thotë se ne harxhojmë më pak burime ekonomike të kufizuara në prodhimin e mallrave dhe sigurojmë nga tregtia e jashtme mallrat që vendet e tjera i prodhojnë në mënyrë më eficiente se ne. Kjo bën që ne të shfrytëzojmë në mënyrë më eficiente burimet ekonomike duke ndikuar në rritjen ekonomike të vendit dhe në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Në mënyrë të përmbledhur, disa nga përparësitë e tregtisë së lirë janë:
1. Varietet më i madh produktesh për t’u zgjedhur nga konsumatorët – Nëpërmjet tregtisë me jashtë, ne mund t’u sigurojmë konsumatorëve mallrat që ekonomia jonë nuk është në gjendje t’i prodhojë. Për shembull, ne nuk mund të prodhojmë dot makina, aparate celular, kompjuterë etj., por nëpërmjet tregtisë me jashtë konsumatori ka mundësi t’i konsumojë.
2. Kosto më të ulëta për shkak të ekonomisë së shkallës – Disa mallra mund të prodhohen me kosto më të ulëta në rast se prodhohen në sasi të mëdha – një fenomen që ekonomistët e quajnë ekonomia e shkallës. Tregtia e lirë bën që firmat e vendeve të vogla dhe me një numër të kufizuar konsumatorësh, në kushtet e tregtisë së lirë, të prodhojnë edhe për tregje më të mëdha. Kjo bën që ata të jenë eficientë dhe të ndikojnë pozitivisht në ekonominë e vendit.
3. Rritje e konkurrencës – Në tregtinë e lirë, firmat e huaja mund të shërbejnë tregjet tona të vendit, të cilat, në rast se do të shërbehen nga një numër më i vogël firmash, do të gëzonin një pushtet mbi tregun. Siç e kemi theksuar, ky do të ishte një dështim i tregut dhe kjo fuqi monopoliste e firmave do të prodhonte çmime më të larta dhe më pak mundësi zgjedhje për konsumatorët. Tregtia e lirë e rrit konkurrencën midis firmave dhe i jep dorës së padukshme një mundësi që të veprojë më mirë.
4. Akses i pakufizuar ndaj ideve – Tregtia e lirë u krijon mundësi vendeve më të varfra, që nuk prodhojnë dot mallra të teknologjive të përparuara, t’i blejnë këto mallra dhe t’i përdorin për konsumatorët e tyre. Për shembull, përdorimi i internetit sot krijon akses të pakufizuar ndaj dijeve dhe kërkimeve shkencore më të fundit.