Hyrje në Ekonomi Tematika 7 Mësimi 2
TEMATIKA 7 TREGJET E FAKTORËVE TË PRODHIMIT
Kapitali si faktor prodhimi
Ndarjet e faktorit kapital
Koncepti kapital ka shumë këndvështrime në funksion të kontekstit ku përdoret. Në ekonomi, në rastin e sipërmarrjeve, faktori kapital ndahet në disa elemente të veçanta, në të cilat përfshihen:
1. Kapitali fizik – Quhet ndryshe si kapitali produktiv ose kapitali teknik, ku bëjnë pjesë materialet e prodhimit, pasuritë e patundshme, mjetet, makineritë dhe pajisjet që shërbejnë për shumë procese prodhimi etj. Kapitali fizik rritet nëpërmjet investimeve të natyrave të ndryshme dhe zvogëlohet me kalimin e kohës si efekt i amortizimit apo normës së zhvlerësimit të kapitalit.
2. Kapitali financiar – Nënkupton paratë e investuara në një sipërmarrje nga ortakët apo aksionerët, nga kreditë bankare apo investimet e institucioneve të ndryshme financiare. Kapitali financiar shërben për blerjen e materialeve dhe lëndëve të para, makinerive dhe pajisjeve apo pagat e punonjësve të sipërmarrjes.
3. Kapitali human – Korrespondon me dijet dhe njohuritë e akumuluara nga punonjësit e kategorive të ndryshme. Ky lloj kapitali shprehet nëpërmjet nivelit të formimit profesional të punonjësve, diplomave të ndryshme universitare e profesionale, eksperiencës së grumbulluar etj. Koncepti “kapital human” u zhvillua për herë të parë në vitin 1961 nga ekonomisti amerikan Theodore Schltz, kurse në vitin 1965, ekonomisti amerikan Gary Becker, Çmimi Nobel në Ekonomi (1992), e përkufizoi si “stokun (inventarin) e burimeve produktive që ekziston brenda çdo individi”, i cili përbëhet nga elementë të ndryshëm, si niveli i edukimit, eksperienca profesionale, niveli i dijeve ekonomike e financiare, gjendja shëndetësore e fizike etj.
4. Kapitali jomaterial – Ky koncept u zhvillua veçanërisht nga “ekonomia e dijes” që korrespondon me vlerat e akumuluara nga sipërmarrjet në formën e modeleve organizative, eksperiencës së grumbulluar në prodhimin e produkteve të caktuara apo shërbimeve specifike për një periudhë shumëvjeçare, imazhi i kompanisë në treg, mënyrat dhe format e komunikimit me klientët etj. Në kushtet e sotme vlerësohet se kapitali jomaterial përfaqëson rreth 60-70% të vlerës së sipërmarrjeve. Ai lidhet ngushtë me konceptin dhe efektet e “menaxhimit”.
5. Kapitali social – Në ekonominë e sipërmarrjeve, kapitali social, i quajtur shpesh edhe si “kapitali i përballimit të rrezikut”, është kapitali apo burimet që formohen nga kontributi i aksionerëve apo ortakëve. Quhet kapital i përballimit të riskut në rastet kur aktiviteti i një sipërmarrje ndërpritet ose ajo duhet të shpallë falimentin dhe të likuidohet. Në këtë rast, mbas likuidimit të aktiveve të sipërmarrjes, paguhen detyrimet kundrejt aksionerëve apo ortakëve në raport të kontributeve dhe shkallës së hierarkisë së tyre në biznesin në fjalë.
6. Kapitali natyror – U referohet veçanërisht burimeve natyrore, si toka, mineralet, bimët, kafshët, ajri, uji, nafta dhe gazi etj. Kapitali natyror është një nocion relativisht i ri, që vlerëson “ekosistemin”, është një alternativë më moderne kundrejt vlerësimit tradicional, sipas të cilit natyra dhe jeta jonjerëzore përbëjnë burime natyrore pasive pa prodhim të mirëfilltë. Në këtë këndvështrim, kapitali natyror bën pjesë në nocionin e kapitalit prodhues.
Toka si faktor specifik prodhimi
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, “shkolla e fiziokratëve”, e cila kontribuoi në formimin e mjaft koncepteve moderne të ekonomisë, e konsideronte tokën “si të vetmin faktor real të prodhimit dhe krijimit të pasurisë”. Për ekonomistët e kësaj shkolle, bujqësia, e cila përfaqësonte në atë periudhë pjesën më të rëndësishme të aktivitetit ekonomik, ishte i vetmi aktivitet prodhues i mirëfilltë, ndërkohë që industria dhe tregtia konsideroheshin si “aktivitete sterile”, që nuk bënin gjë tjetër veçse transformonin dhe shpërndanin produktet e aktivitetit bujqësor.
Duke e supozuar tokën si një faktor të fundmë, pra sipërfaqja e tokës është e fiksuar, oferta për tokë është inelastike, d.m.th pavarësisht se çfarë ndodh me çmimin e saj, kjo sipërfaqe nuk mund të ndryshojë, për këtë qëllim kurba e ofertës për tokë do të jetë vertikale, ndërkohë që kërkesa për tokë do të varet nga çmimi i saj në mënyrë të zhdrejtë. Në figurën më poshtë pasqyrohet një ekuilibër i tregut të kapitalit tokë.
Më vonë, në shek. XIX dhe XX, shkolla klasike dhe ajo neoklasike e ekonomisë, në analizat e tyre nuk e përfshinë në mënyrë specifike “faktorin tokë” në grupin e faktorëve të prodhimit, duke identifikuar vetëm faktorët kapital dhe punë. Prodhimi mbështetej gjithnjë e më shumë tek “instalimet industriale” dhe kapitali prodhues që mund të shtohej nëpërmjet investimeve, ndërkohë që bujqësia, së cilës i referoheshin fiziokratët, po e humbte gjithnjë e më shumë rëndësinë.
Toka vlerësohej si diçka statike, e krijuar nga natyra dhe që nuk mund të prodhohej nga njeriu. Pra, toka nuk konsiderohej si faktor prodhimi dhe, për pasojë, nuk konsiderohej as si kapital specifik. Toka përfaqësonte një të mirë materiale natyrore ekzistuese njësoj si mineralet, ndërkohë që kapitali u referohej vetëm të mirave materiale të prodhuara nga njeriu nëpërmjet punës. Megjithatë, në dekadat e fundit, ky argument po kundërshtohet nga ekonomistët, të cilët mbështesin tezën se “sistemet natyrore duhen vlerësuar si kapital”, pasi ato mund të përmirësohen apo degradohen nga veprimtaria prodhuese njerëzore.
Për pasojë, përcaktimi i “vlerës prodhuese të tokës si diçka e fiksuar vetëm nga natyra” nuk konsiderohet i saktë dhe i vetëm. Burimet e kufizuara të lëndëve të para dhe burimeve natyrore dhe ndikimi i aktivitetit njerëzor mbi mjedisin në përgjithësi dhe tokës në veçanti, veçanërisht ai prodhues, kërkojnë përfshirjen e tokës në grupin e kapitaleve prodhuese.