Hyrje në Ekonomi Tematika 8 Mësimi 4
Taksimi
Çfarë është taksimi?
Taksimi është sistemi i aplikimit të taksave nga ana e qeverisë kundrejt subjekteve të tjerë në një vend të caktuar. Koncepti themelor i taksimit është ai i taksimit të barabartë. Kjo do të thotë që individë me gjendje ekonomike të barabartë duhet të taksohen në mënyrë të barabartë (barazia horizontale). Individë e subjekte me gjendje të pabarabartë ekonomike nuk taksohen në mënyrë të barabartë (barazia vertikale). Barazia vertikale ndryshe i referohet aftësisë për të paguar, ku, sipas saj, njerëz apo subjekte me aftësi më të mëdha për të paguar taksa, duhet të paguajnë më shumë. Përveç konceptit të barazisë, taksimi i referohet dhe konceptit të përfitimit. Individë apo subjekte që përfitojnë më shumë nga produktet apo shërbimet e ofruara nga qeveria, duhet të paguajnë më shumë taksa. Nga ana tjetër, subjektet që kontribuojnë më shumë në taksa, janë përfituesit më të mëdhenj të produkteve qeveritare. Për shembull, nëse në një vend taksat nga turizmi zënë peshën më të lartë, atëherë edhe produktet qeveritare i duhen dhënë me përparësi turizmit. Një rast tjetër mund të jenë të ardhurat nga taksimi i karburanteve, për të cilat rekomandohet të përdoren për ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës.
Një koncept tjetër i rëndësishëm i taksimit është i lidhur me barrën e taksës. Me barrë takse (tax burden) do të kuptojmë shumën që një taksapagues do të jepte pa ndryshuar mirëqenien e atij të cilit do t’i rëndonte apo do t’i krijohej kjo barrë. Vlen për t’u përmendur fakti që në çdo rrethanë, barra e taksës është më e madhe për një segment taksapaguesish dhe më e lehtë për një tjetër. Në tabelën e mëposhtme paraqiten disa nga taksat kryesore në sistemin e taksimit në Shqipëri.
a. Tatimi mbi fitimin zbatohet në masën 15% mbi fitimin e firmave.
b. Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi aplikohet në formë progresive në bazë të segmentit të të ardhurave, të cilit i përket individi, bazuar në pagën që ai merr. Kjo do të thotë që individët, të cilët marrin pagë më të lartë, do të taksohen më shumë.
Tatimi progresiv mbi të ardhurat në të ardhmen do të përfshijë tërësinë e të ardhurave nga pagat, qiratë, të drejtat e autorëve, të ardhurat nga trashëgimitë dhe çdo burim tjetër.
c. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) në Republikën e Shqipërisë zbatohet në masën 20% mbi diferencën e vlerës së produkteve të shitura në treg apo shërbimeve të ofruara, me vlerën e paguar për prodhimin apo ofrimin e tyre.
Llojet e taksave
Taksat e sheshta janë ato taksa të cilat paguhen nga të gjithë njësoj, në të njëjtën përqindje mbi të ardhurat, fitimet, pasurinë etj. Vlen për t’u theksuar fakti që, ndërsa përqindja e tatueshme është e njëjtë, shuma që paguhet ndryshon sipas nivelit të të ardhurave që taksapaguesit realizojnë gjatë një viti buxhetor. Për këtë mund të shqyrtojmë rastin e dy individëve, individi A ka një pagë prej 30,000 lekë në muaj dhe individi B ka një pagë prej 100,000 lekë në muaj. Nëse norma e tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi do të ishte 10%, individi A do të paguante: 30,000 lekë * 10% =3,000 lekë. Ndërkohë, individi B do të paguante 100,000 lekë* 10% = 10,000 lekë.
Taksat progresive janë ato që paguhen në përqindje më të madhe nga individë dhe subjekte që kanë të ardhura më të larta. Një shembull i tillë në Republikën e Shqipërisë është tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi, i përmendur në tabelën e mësipërme.
Taksat regresive janë taksa, niveli i të cilave ulet kur baza e tatueshme rritet. Një shembull i mirë janë akcizat, taksat që vendosen mbi produkte si cigaret, alkooli, nafta apo mallrat e luksit. Përjashtimi nga disa taksa i mallrave jetike, kreditimi i taksave për familjet në nevojë që kanë paguar më shumë gjatë vitit, për shkak të njohjes së disa shpenzimeve të zbritshme, prodhojnë efekte rishpërndarëse zbutëse për barrën e taksave që paguajnë shtresat e varfëra.
Taksat e drejtpërdrejta janë taksa që rëndojnë drejtpërdrejtë mbi atë që paguan. Të tilla janë taksat mbi të ardhurat vetjake dhe taksat mbi pasurinë.
Taksat e tërthorta janë taksa që kanë si subjekt të tyre shpenzimet. Quhen taksa të tërthorta pasi ai që e paguan taksën mund ta kalojë barrën e saj te dikush tjetër në formën e çmimeve më të larta. Një shembull i tillë është TVSH-ja. Barra e TVSH-së për biznesin mund të reflektohet në ulje të marzhit të fitimit për biznesin për çdo njësi produkti të shitur ose shërbimi të ofruar, ose biznesi mund të zgjedhë të kalojë barrën e kësaj takse te konsumatorët duke rritur çmimet e produkteve ose shërbimeve që ofron.
Pra, përpara se qeveria të bëjë ndryshime të shpeshta të taksave, ajo duhet të përmirësojë dhe modernizojë mbledhjen e të ardhurave buxhetore. Parimet moderne të politikave fiskale janë përpunuar nga Adam Smith. Sipas këtyre parimeve duhet që:
a. Secili qytetar është i detyruar t’i paguajë shtetit tatimin sipas aftësisë dhe mundësive ekonomike për mbulimin e shpenzimeve të tij (barazia);
b. Obligimi tatimor duhet të jetë i rregulluar me ligj, shuma e tatimit nuk duhet të jetë arbitrare, por shuma e tatimit, mënyra dhe koha e pagimit, vendi i pagimit duhet të jenë të njohura për obliguesin tatimor (saktësia);
c. Tatimi duhet të mblidhet atëherë kur është më e përshtatshme për tatimpaguesin (përshtatshmëria);
d. Shpenzimet e caktimit dhe të mbledhjes së tatimit duhet të jenë sa më të vogla, që do të thotë se shpenzimet e administratës duhet të jenë të vogla, në mënyrë që sa më shumë mjete/ të ardhurat të hyjnë në arkën shtetërore (leverdia ekonomike e vjeljes).