Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 8 Mësimi 3: Qeveria si menaxhere

Hyrje në Ekonomi Tematika 8 Mësimi 3

TEMATIKA 8 ROLI I QEVERISË NË EKONOMINË E TREGUT

Qeveria si menaxhere

Roli i qeverisë në menaxhim
Ofrimi i një stabiliteti ekonomik
– Ashtu sikurse u përmend dhe më
sipër, në kohët moderne, ndërhyrja e qeverisë në ekonomi në disa raste është e nevojshme. Loja e lirë e forcave ekonomike (kërkesa dhe oferta që vjen nga shitësit dhe blerësit), shpeshherë, shoqërohet me luhatje, të cilat njihen ndryshe si ciklet e biznesit. Qeveria ndërhyn në ekonomi nëpërmjet politikave monetare dhe fiskale për të zbutur ashpërsinë që këto cikle biznesi kanë në familje dhe firma. Kjo bëhet duke ulur papunësinë, duke stabilizuar çmimet dhe ndihmuar në rritjen ekonomike.

Rishpërndarja e të ardhurave – Për shkak se burimet e të ardhurave janë të kufizuara, shpërndarja e tyre tek individët e një shoqërie bëhet në mënyrë të pabarabartë në bazë të produktivitetit. Individë që zotërojnë më shumë burime ose kanë produktivitet më të lartë përfitojnë më shumë të ardhura. Pjesa tjetër, kanë një pasiguri më të madhe ekonomike, por kjo pjesë nuk duhet të ndihet e braktisur. Vendet e Bashkimit Europian për shembull, aplikojnë modelin e ekonomisë sociale të tregut, ku politikat dhe fondet për kohezionin dhe solidaritetin social asistojnë njerëzit dhe rajonet më të varfëra. Qeveria ndërhyn në ekonomi nëpërmjet politikave të arsimimit, shëndetit publik, trajnimit dhe ritrajnimit dhe subvencioneve për bizneset në zonat më të varfëra të vendit për të zbutur varfërinë.

Qeveria si pjesëmarrëse në treg
Në një ekonomi tregu ekzistojnë disa të mira dhe shërbime që nuk mund të ofrohen nga sektori privat. Kjo ndodh, për shkak se për sektorin privat, këto shërbime nuk janë fitimprurëse ose risku i humbjes është i lartë. Këto kategori njihen si të mira publike, qëllimi i të cilave është që t’u ofrojnë njerëzve disa shërbime dhe të mira, të cilat në mënyrë private nuk mund të ofroheshin. Shërbime të tilla janë: siguria kombëtare, ruajtja e rregullit publik, mbrojtja nga zjarret etj. Për shembull, në rastin e mbrojtjes kombëtare, ky është një shërbim prej të cilit, në momentin që ofrohet nga një shtet, përfitojnë të gjithë qytetarët e atij shteti pa asnjë kosto shtesë. Investimet që bëhen nga shteti në këtë sektor, pajisjet ushtarake apo krijimi i ushtrisë janë në përfitim të të gjithë banorëve të një vendi, pa përjashtuar edhe ata që nuk kanë paguar për këtë shërbim. Në këtë kategori shërbimesh mund të klasifikohen edhe ofrimi i hapësirave publike të gjelbëruara, ndriçimi i rrugëve dhe infrastruktura, ajri i pastër etj., të cilat nuk përjashtojnë asnjë njeri që të përfitojë nga këto shërbime. Pra, shoqëria si një e tërë, nëpërmjet taksave të ndryshme, kontribuon në buxhetin e shtetit që, më pas, të përfitojë një sërë të mirash për vendin. Në këtë aspekt, qeveria për të ofruar këto shërbime bën blerje mallra dhe shërbime nga sektori privat, duke vepruar në këtë mënyrë si konsumatore në treg, pra duhet të ketë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar të gjitha shërbimet e saj. Është shumë e rëndësishme të ndalemi në të kuptuarin e të mirave publike si një funksion gjithëpërfshirës. Qytetarët e një vendi kur paguajnë taksa nuk duhet të shohin lidhje të drejtpërdrejtë me familjen e tyre, por me shoqërinë si një e tërë. Kështu, për shembull, kur paguajmë taksa për arsimin, shëndetësinë, sigurinë etj., kjo nuk do të thotë se, nëse nuk ke fëmijë në shkollë, je i shëndetshëm dhe ke një sistem shumë të mirë sigurie në shtëpinë tënde, të mos paguash taksa. Kjo do të thotë që të jetosh në një shoqëri të miredukuar dhe kulturuar, të shëndetshme, pa epidemi dhe të sigurt në të gjitha vendet.

Buxheti i qeverisë
Buxheti është një plan financiar në të cilin paraqiten të ardhurat dhe shpenzimet e parashikuara për një periudhë të caktuar, tremujore, vjetore apo afatmesme (zakonisht tri vjet) në varësi të qëllimit të përdorimit të tij. Objektivi kryesor i buxhetit është të lehtësojë dhe mbështesë një rritje ekonomike të lartë, të qëndrueshme dhe të drejtë. Kjo kërkon financimin e politikave dhe projekteve prioritare në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, ambient etj. Njëkohësisht, stabiliteti i financave publike kërkon që arritja e objektivave kryesore makroekonomike, punëzënia e plotë dhe inflacioni i ulët të arrihen pa rritur deficitin buxhetor, borxhin publik dhe koston e financimit të buxhetit.

Shpenzimet e qeverisë – Funksionet e saj kryesore dhe shërbimet që ofron në publik, qeveria i plotëson nëpërmjet reformave strukturore dhe shpenzimeve buxhetore, të cilat ndahen në dy kategori kryesore:
1. Shpenzime korrente: janë shpenzime jokapitale, të cilat kryhen pothuajse çdo ditë për të mbuluar veprimtaritë e qeverisë. Në këtë kategori përfshihen pagat e punonjësve të administratës, pagesat për interesat e borxhit, pagesat sociale të transferueshme për pensionet, sigurimet shëndetësore, pagesat e papunësisë dhe mbrojtjes sociale etj. Tregues të rëndësishëm për të vlerësuar stabilitetin e financave publike dhe parandalimin e krizave të borxheve janë: niveli i interesave me të cilin qeveria financon borxhin publik, totali i interesave për financimin e borxhit të brendshëm dhe të jashtëm (yield/interesat e bonove dhe obligacioneve të thesarit), përqindja e deficitit buxhetor dhe niveli i borxhit publik ndaj PPB-së.
2. Shpenzime kapitale: përfshijnë çdo shpenzim që qeveria kryen për investime afatgjata. Në këtë kategori përfshihen investimet për shkolla, spitale, infrastrukturë etj. Përzgjedhja e kujdesshme dhe financimi me kosto të arsyeshme e investimeve publike mbetet një prioritet i rëndësishëm i mirëqeverisjes. Një nga sfidat kryesore të menaxhimit me eficiencë të financave publike është që, me më pak lekë, të arrihen më shumë rezultate ekonomike dhe sociale.

Të ardhurat e qeverisë – Për të mbuluar shpenzimet e saj, qeveria mbledh të ardhura në buxhet, të cilat burojnë kryesisht nga taksat. Pra, qëllimi kryesor i taksimit në një ekonomi është krijimi i burimeve të financimit për funksionet dhe shërbimet që qeveria duhet të plotësojë. Më kryesoret janë mirë arsimimi, shëndeti publik, rendi publik, siguria kombëtare, investimet infrastrukturore, mbrojtja sociale etj.

Sistemet e taksimit synojnë edhe funksione të tjera, një prej të cilave është shpërndarja e taksave bazuar në disa parime të rëndësishme të barazisë horizontale dhe vertikale të tatimpaguesve në kontributet e tyre në buxhet. Në këtë mënyrë, qeveria zvogëlon hendekun në pabarazi në të ardhura për të bërë një rialokim më të mirë të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore në ekonomi.

Qeveria i përdor taksat dhe për kufizimin e mallrave që konsiderohen të dëmshme për konsumatorët. Një shembull i tillë janë taksat më të larta për produkte të tilla si duhani apo alkooli. Aktualisht shumë vende kanë filluar të aplikojnë taksa më të rënda për pijet me përmbajtje të madhe të sheqerit, pasi studimet tregojnë lidhje të fortë midis konsumit të këtyre pijeve dhe mbipeshës (obezitetit), që është sot sfida më e rëndë sociale dhe buxhetore e shëndetit publik.

Një element i rëndësishëm në sistemin e taksimit po bëhen taksat e gjelbërta, të cilat synojnë mbrojtjen e ambientit, duke mos dëmtuar cilësinë e jetës dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Në taksat e gjelbërta përfshihen lehtësimi i investimeve të teknologjive të reja që janë miqësore ndaj ambientit, si dhe rritja e taksimit për llojet e karburanteve që dëmtojnë ambientin. Pra qëllimi i taksave ka disa role dhe struktura e të ardhurave në buxhet nga taksat ndryshon nga fazat e zhvillimit të një vendi dhe nga struktura e ekonomisë së tij. Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se një vend mbledh taksa për:
a. të zvogëluar hendekun e pabarazisë në shpërndarje;
b. të mbrojtur industrinë vendase nga konkurrenca jo e ndershme e vendeve të tjera;
c. kufizimin e mallrave që konsiderohen të dëmshme për konsumatorët;
d. mbrojtjen e ambientit, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe zhvillimin e qëndrueshëm.