Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 10 Mësimi 2: Çfarë përfshihet në llogaritjen e PBB së

Hyrje në Ekonomi Tematika 10 Mësimi 2

Çfarë përfshihet në llogaritjen e PBB-së?

Produkti i Brendshëm Bruto
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) është treguesi kryesor për të matur vlerën ekonomike të një vendi gjatë një periudhe të caktuar kohore. Ky tregues përdoret për të bërë vlerësimin e rritjes ekonomike, si dhe për të vlerësuar të ardhurat për frymë. Në PBB përfshihet vlera e të gjitha mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në një ekonomi gjatë një periudhe të caktuar kohore, zakonisht njëvjeçare. Rritja ekonomike është një nga treguesit më të mirë për të matur shtimin në volum të të mirave dhe shërbimeve në vend, ndërkohë që të ardhurat për frymë përdoren si një nga treguesit kryesor për të treguar mirëqenien e një shoqërie. Duke u nisur nga komponentët përbërës të një ekonomie, PBB vlerësohet me tre metoda:
a. Metoda e prodhimit;
b. Metoda e shpenzimeve;
c. Metoda e të ardhurave.

Referuar metodave të vlerësimit, me PBB kuptojmë:
1. Produkti i Brendshëm Bruto shpreh vlerën totale të tregut të të gjitha të mirave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në një vend për një periudhë të caktuar kohore.
2. Produkti i Brendshëm Bruto përcaktohet si një vlerësues i prodhimit i barabartë me shumën e vlerave të shtuara bruto të të gjitha njësive rezidente të përfshira në prodhim duke përfshirë taksat dhe subvencionet mbi prodhimin.
3. Produkti i Brendshëm Bruto përcaktohet si të ardhurat totale të krijuara nga faktorët e prodhimit brenda vendit gjatë një periudhe të caktuar kohore.

Njohja e komponentëve përbërës të PBB-së është e nevojshme për të parë në dinamikë natyrën dhe peshën e ndikimit të secilit prej tyre. Kjo ndihmon për të identifikuar domosdoshmërinë e përdorimit të politikave monetare dhe politikave fiskale të përshtatshme në fazat e ndryshme të ciklit ekonomik. Pritshmëritë në objektivat makroekonomike dhe arritjet në zhvillimet makroekonomike në rritjen e punësimit dhe të të ardhurave të disponueshme vlerësohet se ndikojnë në sjelljen e konsumatorëve dhe investuesve individual dhe atyre të biznesit.

Analiza e PBB-së mund të kryhet në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global.
Në nivel lokal krahasohen rajone të ndryshme të vendit për të identifikuar rajonet më të varfëra dhe për të hartuar politika specifike për zhvillimin e tyre dhe uljen e dispropocioneve të zhvillimit midis rajoneve të një vendi.
Në nivelin global kjo analizë është e domosdoshme për faktin se në një ekonomi gjithnjë e më të hapur dhe të integruar është lehtësuar eksportimi/importimi i faktorëve të jashtëm që mund të ndikojnë në ekonominë e një vendi. Kjo bëhet më e ndikueshme kur këta faktorë importohen nëpërmjet vendeve që janë partnerët kryesorë tregtar me të cilët eksportojnë, importojnë apo kanë Investime të Huaja Direkte në nivele influencuese.

Kur analizohet PBB-ja, analizohen ritmet e rritjes nominale dhe rritjes reale, analizohen strukturat e saj sipas sektorëve të ekonomisë, duke analizuar raportin midis sektorëve produktivë me sektorët me shkallë produktiviteti të ulët. Kur rritja e PBB-së është e ulët, shenjat e para të impakteve të saj shfaqen te rrritja e papunësisë, rritja e varfërisë, rritja e numrit të njerëzve që kërkojnë mbrojtje sociale, rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik duke vënë në rrezik stabilitetin e financave publike.

PBB-ja reale dhe nominale
PBB-ja nominale përllogaritet duke i vlerësuar mallrat dhe shërbimet me çmimet e asaj periudhe për të cilën bëhet matja, ndërsa PBB reale shprehet me çmimet e një periudhe referencë. Si periudhë referencë në përgjithësi shërben periudha e mëparshme, por që në shumë raste kjo periudhë mund të jetë e çfarëdoshme. Diferenca kryesore midis PBB-së nominale dhe PBB-së reale është se PBB-ja reale është e zhveshur nga efekti i çmimeve. Duke njohur PBB-në nominale të një viti konkret dhe PBB-në reale të tij, mund të llogaritet Deflatori i PBB -së, i cili s’është gjë tjetër vetëm se ndryshim çmimi për të gjitha produktet që qarkullojnë në një vend gjatë një periudhe kohore.

Figura Ekonomia Tematika 10 Mesimi 2 F 1

Duke ju referuar faktit që PBB llogaritet me tre metoda dhe që në të përfshihen të gjitha të mirat e prodhuara brenda vendit, deflatori i PBB-së është një tregues i përgjithshëm i ndryshimit të çmimeve në vend. Ai ka disa dallime thelbësore me inflacionin, të cilat do t’i trajtojmë në mësimin 4.

Figura Ekonomia Tematika 10 Mesimi 2 F 2

Një nga kritikat lidhur me përdorimin e PBB-së si një indikator i rëndësishëm makroekonomik, ka të bëjë me faktin se në PBB nuk pasqyrohen përdorimet e burimeve natyrore dhe ndotja mjedisore. Duke qenë se këto fenomene po bëhen gjithmonë e më prezente në jetën tonë, diskutimet mbi përfaqësimin e PBB-së si treguesi kryesor ekonomik sa vijnë e rriten.

Rritja ekonomike
Për të bërë të mundur vlerësimin e rritjes ekonomike duhet që të bëhet vlerësimi i PBB-së në terma real dhe nominal. Ekzistenca e të dy këtyre vlerësimeve mundëson edhe vlerësimin e rritjes ekonomike e cila llogaritet si:

 

Figura Ekonomia Tematika 10 Mesimi 2 F 3

Figura Ekonomia Tematika 10 Mesimi 2 F 4

– PBB e periudhës t e shprehur në terma real (çmime të një periudhe të mëparshme)

Figura Ekonomia Tematika 10 Mesimi 2 F 5

– PBB e periudhës t-1 e shprehur në terma nominal (çmime të të njëjtës periudhë)

Pra nëse do të supozonim se PBB reale në vitin 2017 është 10 miliard dhe PBB nominale në vitin 2016 është 9.5 miliard atëherë rritja do të ishte:

Figura Ekonomia Tematika 10 Mesimi 2 F 6

Rritja ekonomike në Shqipëri që nga viti 2000 deri në vitin 2017 ka patur një mesatare prej 4.4 % ndërkohë që kriza financiare e vitit 2007 duket që ka prekur edhe vendin tonë, duke bërë që rritja të jetë shumë më e ulët sesa mesatarja e vendit për këtë periudhë dhe akoma të mos ketë arritur në nivelet e duhura.