Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 6 Mësimi 4: Konkurrenca monopolistike dhe oligopoli

Hyrje në Ekonomi Tematika 6 Mësimi 4

Konkurrenca monopolistike dhe oligopoli

Struktura e tregut në konkurrencën monopolistike
Konkurrenca monopolistike është një situatë tregu në të cilën një numër i madh firmash ofrojnë produkte të diferencuara, por me karakteristika të përgjithshme të përafërta (p.sh., tregu i disqeve muzikore, tregu i pajisjeve elektroshtëpiake etj.). Këto produkte nuk janë lehtësisht të zëvendësueshme me njëra-tjetrën. Në këtë lloj tregu të konkurrencës monopolistike supozohet që nuk ekzistojnë barrierat penguese. Diferenca e vetme me tregun në kushtet e konkurrencës së pastër e perfekte është mungesa e homogjenitetit të produkteve.

Në realitetin e sotëm gjenden shpesh situata në të cilat firmat në situatë oligopoli ofrojnë produkte të diferencuara. Për shembull, automobilat, produktet kozmetike, pijet joalkoolike, kompjuterët, ofertat turistike etj. prodhohen nga një numër i vogël firmash, të cilat, nëpërmjet produkteve më specifike, kërkojnë të fitojnë besnikërinë e klientëve të tyre, duke u ofruar mallra apo shërbime të diferencuara nga produktet masive dominuese të tregut. Tregu në konkurrencë monopolistike ka disa specifika të vetat, të cilat janë:
a. ekzistojnë shumë firma në degë;
b. nuk ka pengesa për të hyrë dhe dalë nga tregu;
c. produktet janë të diferencuara.

Karakteristikë e veçantë e këtij tregu është diferencimi i produktit, që mund të realizohet në disa forma, si p.sh:
1. Duke ofruar shërbime të diferencuara për klientët, të cilat mund të shoqërohen edhe me çmime të diferencuara.
2. Duke dhënë garanci për produktin.
3. Nëpërmjet krijimit të një imazhi të produktit (forma, paketimi etj.).

Nëse do t’i përmblidhnim të gjitha llojet e diferencimit, mund t’i gruponim në diferencim horizontal dhe vertikal, për të cilën folëm pak edhe në mësimin e mëparshëm. Në rastin e diferencimit horizontal, firmat propozojnë produkte identike në cilësi dhe standarde, por me karakteristika specifike (në ngjyrë, në formë, në shije etj.). Në rastin e diferencimit vertikal, firmat propozojnë produkte që plotësojnë të njëjtën kërkesë apo nevojë të konsumatorëve, por që janë të cilësive të ndryshme. Diferencimi i çmimeve shpjegohet nga dëshira e konsumatorëve për të pasur mundësi zgjedhje përballë një numri të madh produktesh, apo lidhjen e tyre specifike me një markë të caktuar. Për shembull, prodhuesit e veglave muzikore u propozojnë klientëve të tyre “piano për studim”, “piano për amatorët” ose “piano për koncert”. Duke i diferencuar produktet e tyre në këtë mënyrë, firmat hyjnë në një konkurrencë të një lloji të veçantë, i cili nuk lidhet detyrimisht me çmimet e produkteve të tyre. Ato kërkojnë të lidhin sa më shumë klientët me ofertën e tyre “specifike” nëpërmjet shumë mënyrave:
a. shpejtësi shërbimi në dërgimin e mallrave te klientët;
b. shërbime mirëmbajtje mbas blerjes;
c. publicitet dinamik etj.

Figura Ekonomia Tematika 6 Mesimi 4.1

Struktura e tregut duopol dhe oligopol
Në një situatë tregu duopol, dy prodhues të pavarur nga njëri-tjetri realizojnë pothuajse tërësisht furnizimin e tregut dhe kërkojnë të maksimizojnë fitimet e tyre. Në raport me situatën e konkurrencës së plotë e perfekte, në këtë rast, dy firmat në fjalë mund të ndikojnë në çmimet e tregut nëpërmjet sasive të mallrave të ofruara. Megjithatë, ato nuk janë në një situatë të pastër monopolistike, sepse janë në konkurrencë me njëra-tjetrën duke qenë të detyruara të mbajnë në konsideratë sjelljen e njëra-tjetrës. Për shembull, dy prodhues televizorësh mund të jenë konkurrentë në lidhje me sasinë që mendojnë të shesin, duke e llogaritur si të dhënë e jashtë ndikimit të tyre sasinë e shitjeve të firmës tjetër. Ky quhet “duopoli Cournot”, sipas së cilit për çdo nivel oferte të njërës nga firmat, firma tjetër vendos nivelin e saj të prodhimit, i cili i maksimizon fitimin. Të njëjtin reagim ka dhe firma tjetër e duopolit, e cila e përcakton nivelin e saj të ofertës në funksion të vlerësimeve që i bën ofertës së firmës tjetër.

Duopoli – Model ekonomik i përdorur për të përshkruar një strukturë tregu, ku firmat konkurrojnë nëpërmjet vëllimit të prodhimit, të cilat i përcaktojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kjo teori kushtëzohet nga hipotezat e mëposhtme:

1. mungesa e diferencimit: të gjithë firmat prodhojnë produkte homogjene;
2. firmat nuk kooperojnë me njëra-tjetrën;
3. firmat operojnë në kushtet e price maker, përcaktuese çmimesh;
4. numri i firmave në treg është i fiksuar, nuk ka hyrje të reja;
5. firmat konkurrojnë nëpërmjet sasisë së prodhimit dhe jo nëpërmjet çmimeve;
6. firmat janë racionale dhe kërkojnë maksimizimin e prodhimit.

Ekziston një situatë tjetër duopoli, në të cilën njëra nga firmat e cilësuar si “lider” ka situatë dominuese në treg dhe zotëron informacione më të plota në treg në raport me firmën tjetër të cilësuar si “ndjekëse”, e cila është më pak e informuar dhe më pak ndikuese në treg.

Duopoli Stackelberg – Është asimetrik, d.m.th, të dyja firmat konkurrente nuk kanë fuqi të njëjtë: ato janë njëra “firmë lider” dhe tjetra “firmë ndjekëse” ose satelit i firmës së parë. Në këto kushte janë të mundura disa situata specifike:
1. nëse firma e parë është lider dhe dëshiron të maksimizojë fitimin e saj, ajo duhet të marrë në konsideratë sjelljen e firmës tjetër dhe ta integrojë atë në funksionin e saj të fitimit;
2. nëse të dy firmat besojnë se firma tjetër është ndjekëse, tregu është në disekuilibër dhe prodhimi total nuk vlerësohet në mënyrë eficiente;
3. nëse dy firmat mendojnë se janë lider, ka një disekuilibër akoma më të fortë, sepse prodhimi global është shumë më i madh se sasitë e vlerësuara nga secila firmë, gjë që mund të çojë në ulje çmimesh dhe fitimeve.

Në rastet kur firmat në tregjet duopol kanë kosto marxhinale të njëjta dhe aplikojnë çmime të njëjta, kemi të bëjmë me “duopolin Bertrand”, sipas së cilit ekuilibri në treg arrihet kur asnjëra nga firmat nuk pendohet për çmimet e propozuara, mbasi ka konstatuar se edhe firma tjetër ka bërë të njëjtën gjë.

Ekuilibri i modelit Bertrand – Nënkupton rastin e dy firmave që propozojnë të njëjtin çmim. Në këtë rast ka ekuilibër, sepse asnjëra nga firmat nuk pendohet për çmimet e propozuara, pasi konstaton se dhe firma tjetër ka bërë të njëjtën veprim. Nëse do të kishte propozuar një çmim më të ulët, atëherë do kishte pësuar humbje ose fitim më të ulët, nëse do kishte propozuar çmim më të lartë, atëherë gjithë kërkesa do të orientohej drejt firmës tjetër.

Oligopoli
Oligopoli është një treg i përbërë nga pak shitës, ku secili ofron një produkt të ngjashëm ose identik me të tjerët. Ashtu si dhe në rastin e duopolit, i cili është rasti më i thjeshtë i oligopolit, edhe në rastin e oligopolit, vendimet e çdo firme kanë efekte direkte te firmat e tjera. Kjo bën të mundur që analizat e bëra për tregjet duopol të jenë të vlefshme edhe për ato oligopol. Firmat mund të konkurrojnë nëpërmjet “luftës së çmimeve” për zotërimin e tregut, ose mund të formojnë një “kartel”, duke u marrë vesh ndërmjet tyre. Nëse firmat nuk kooperojnë ndërmjet tyre, realizimi i situatave optimale në treg është i vështirë për secilën prej tyre.

Karteli
Firmat që operojnë në tregje në situatë oligopoli, në mënyrë që të evitojnë konkurrencën, shpesh shkatërruese ndërmjet tyre, janë të interesuara të gjejnë një marrëveshje bashkëpunimi. Thelbi i kësaj marrëveshje është “kufizimi i konkurrencës ndërmjet tyre”. Forma më e përhapur e kësaj marrëveshje është “karteli”. Në këtë rast, firmat arrijnë një marrëveshje konkrete që përcakton nivelet e prodhimit dhe çmimet e tyre në treg. Karteli i përcakton çdo firme kuotat e prodhimit dhe çmimet për periudha të caktuara kohore. Në raste të veçanta, marrëveshja zgjerohet edhe në ndarjen apo segmentimin e tregjeve për secilën prej tyre.

Karteli e maksimizon fitimin e tij, duke prodhuar mallra apo shërbime deri në nivelin në të cilin barazohet e ardhura marxhinale me koston marxhinale. Nëse marrëveshja ndërmjet firmave është e ndershme e transparente dhe asnjëra nga firmat nuk kërkon të devijojë për përfitime personale nga marrëveshja, atëherë fitimi i kartelit do të jetë i barabartë me fitimin e monopolit. Nëse kostot e firmave të ndryshme të kartelit janë identike, shpërndarja e kuotave të prodhimit nuk është problem, sepse çdo firmë duhet të realizojë të njëjtat nivele prodhimi dhe do realizojë të njëjtin nivel fitimi. Nga pikëpamja e funksionimit në kohë, në përgjithësi, marrëveshjet kartel nuk janë afatgjata, sepse funksionimi i tyre në mënyrë korrekte e transparente kërkon kosto të larta mbikëqyrje. Përvoja të shumta kartelesh dëshmojnë se firmat pjesëmarrëse në kartel janë të nxitura të kërkojnë fitime jashtë rregullave të kartelit, duke prodhuar më shumë apo shitur me çmime më të ulëta se marrëveshja.