Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 1 Mësimi 2: Si i marrin vendimet dhe si ndërveprojnë individët

Hyrje në Ekonomi Tematika 1 Mësimi 2

TEMATIKA 1 ÇFARË STUDION EKONOMIA?

Si i marrin vendimet dhe si ndërveprojnë individët?

Parimet e ekonomisë, të formuluara nga një prej ekonomistëve më të njohur të kohës sonë, Gregory Mankiw (shqipto: Menkju), do t’i shohim në raport me:
1. Mënyrën sesi i marrin njerëzit vendimet;
2. Si ndërveprojnë
ata me njëri-tjetrin;
3. Si funksionon ekonomia si e tërë.

Si i marrin vendimet individët?
Meqenëse sjellja e ekonomisë reflekton vendimet që individët bëjnë në jetën e tyre të përditshme, zgjedhjet që ata bëjnë, studimi i ekonomisë fillon pikërisht nga studimi i faktit se si ne i marrim këto vendime. Cilat janë disa nga parimet që ne zbatojmë gjatë procesit të vendimmarrjes?
Parimi i parë: njerëzit ballafaqohen me zgjedhje përjashtuese (trade-offs). Studioni se si shpenzohen të ardhurat në familje. Prindi mund të zgjedhë të shpenzojë për të blerë veshje, ushqime ose të shkojë me pushime. Për çdo 1 lek më shumë që shpenzohet për të blerë ushqime, kemi 1 lek më pak që mund ta shpenzojmë për veshje ose për pushime. Këto dilema të individit apo familjes shoqërojnë edhe kombet. Sa më shumë që një vend shpenzon për të zhvilluar një industri, aq më pak burime mbeten të lira për të zhvilluar një industri tjetër. Një nga zgjedhjet e vështira të shoqërisë së sotme është ajo midis ndotjes së mjedisit dhe rritjes së nivelit të të ardhurave dhe ajo midis eficiencës dhe barazisë. Koncepti i eficiencës nënkupton që shoqëria të marrë përfitimet maksimale nga burimet e saj të rralla, pra ato të përdoren në mënyrë sa më optimale.

Nga ana tjetër, koncepti i barazisë kërkon që këto përfitime të shpërndahen në mënyrë sa më uniforme midis anëtarëve të shoqërisë. Këto objektiva mund të jenë shpeshherë konfliktuale. Për shembull, nëse qeveritë vendosin me ligj që të rrisin tatimin mbi të ardhurat personale, në mënyrë që të mbështesin familjet me të ardhura më të ulëta, kjo mund të ndikojë që ata që fitojnë më shumë të dekurajohen dhe të punojnë më pak. Kjo ndikon negativisht në eficiencën e ekonomisë.

Parimi i dytë: kostoja e diçkaje është ajo diçka tjetër që ju jeni të gatshëm të sakrifikoni që të mos e keni. Duke qenë se zgjedhjet që ne bëjmë janë përjashtuese, atëherë kur ne bëjmë një zgjedhje duhet që të bëjmë një analizë të kostove dhe përfitimeve të zgjedhjeve alternative që qëndrojnë përpara nesh. Kjo në ekonomi quhet kosto oportunepërfaqëson vlerën e alternativës më të mirë të sakrifikuar. Nëse ju ofrohen dy alternativa për të zgjedhur, të themi midis zgjedhjes së një pune më të sigurt, por me të ardhura të ulëta dhe një pune më pak të sigurt, por me të ardhura të larta. Kostoja oportune e një pune të sigurt do të ishin të ardhurat më të ulëta që do të merrnit nga puna, ose e kundërta. Nëse rrini deri natën vonë duke lundruar në internet dhe të nesërmen në orën e mësimit ndiheni të lodhur, kostoja oportune e lundrimit në internet është gjumi i mirë që do të kishit bërë.

Parimi i tretë: njerëzit racionalë mendojnë në kufijtë marxhinal.
Ekonomistët supozojnë se njeriu është një qenie racionale. Njeriu racional i merr vendimet në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme për të arritur objektivat që ka vendosur, brenda burimeve që ai ka në dispozicion. Vendime të tilla i marrim gjatë gjithë kohës ne si individ, ashtu si dhe firmat. Për shembull, firmat vendosin nëse duhet të punësojnë më shumë punëtorë apo të blejnë teknologji të reja; ne vendosim nëse duhet të shpenzojmë më shumë para sot apo të kursejmë më shumë për të ardhmen. Nëse talenti juaj mund të shfaqet si në arte dhe në shkencat ekzakte, vendimi se kujt prej këtyre pasioneve do t’i dedikonit studimet tuaja në universitete, do të varet nga një analizë e krahasimit të përfitimeve të ardhshme. Termi që ekonomistët përdorin në këtë rast është “ndryshim marxhinal”. Në këtë rast, ne duhet të bëjmë një krahasim midis kostos marxhinale dhe përfitimit marxhinal. Për shembull, kur marrim vendimin nëse do të vizitojmë Italinë, përpara se të shkonim me pushime në Sarandë, duhet të krahasojmë kostot dhe përfitimet marxhinale të secilës alternativë.
Pyetje: A është përfitimi nga një vizitë në Romë më i lartë se përfitimi nga pushimet e verës në Sarandë?

Parimi i katërt: njerëzit reagojnë ndaj nxitjeve që krijohen. Nxitësit janë diçka që e shtyjnë një individ ose një subjekt të veprojë ose të reagojë në një mënyrë të caktuar. Në një masë të madhe ato shpjegojnë mënyrën se si funksionojnë tregjet. Për shembull, nëse çmimet e mollëve ulen, si do të reagojnë konsumatorët? Nëse konsumi i mollëve do të rritet, atëherë prodhuesit e mollëve do të shtojnë sipërfaqet e mbjella me mollë duke i dedikuar më shumë burime ekonomike prodhimit të mollëve.

Si ndërveprojnë njerëzit në raport me njëri-tjetrin

Parimi i pestë: tregtia i bën të gjithë të jenë më mirë. Shpeshherë ne dëgjojmë se produktet që vijnë nga vendet e huaja janë një kërcënim për industritë e vendit. Kjo është e vërtetë, pasi firmat konkurrojnë për të njëjtin konsumator dhe, për rrjedhojë, konsumatorët me zgjedhjet që bëjnë nuk mund t’i favorizojnë të gjithë. Por, sërish, kur flasim për tregtinë midis vendeve, nuk duhet ta shohim si ndeshjen e sportit, ku njëri fiton dhe tjetri humbet. Tregtia i bën të gjithë kombet të jenë më mirë, u jep mundësi konsumatorëve të bëjnë më shumë zgjedhje dhe me çmime më të favorshme. Mendoni për një moment sikur familja juaj do të duhej të prodhonte gjithçka për të cilat ka nevojë ajo: ushqim, veshje, shtëpi etj. Do të ishte e pamundur që të arrihet një gjë e tillë; përkundrazi, nëse familjet specializohen në prodhimin e diçkaje dhe familja tjetër në prodhimin e diçkaje tjetër, nga procesi i shkëmbimit të dyja familjet do të ishin më mirë. Kjo është e vërtetë edhe për kombet. Asnjë komb nuk mund të prodhojë gjithçka vetë në mënyrë eficiente. Prandaj dhe kombet është më mirë kur përqendrohen në prodhimin e produkteve apo shërbimeve që ata janë më eficiente dhe shkëmbejnë me kombet e tjera produktet apo shërbimet në të cilat të tjerët janë më eficientë se ne.

Parimi i gjashtë: tregjet janë një mënyrë e mirë për të organizuar aktivitetin ekonomik. Që pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillimet e viteve 1990, Shqipëria, ashtu si shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore, kishte zbatuar organizimin e ekonomisë sipas metodës së planifikimit të centralizuar shtetëror. Pra, Shqipëria ka aplikuar modelin e ekonomisë së komanduar. Kjo do të thotë se problemin themelor të ekonomisë e zgjidhte një zyrë qendrore e qeverisë që përcaktonte se çfarë mallrash dhe shërbimesh do të prodhoheshin, si të prodhoheshin dhe për kë të prodhoheshin (qeveria përcaktonte sasinë në të cilën do të prodhoheshin mallrat dhe shërbimet dhe çmime me të cilat do të shiteshin ato). Sipas teorisë së planifikimit qendror, vetëm organizimi ekonomik nga qeveria qendrore mund të arrinte përmirësimin e mirëqenies për të gjithë shoqërinë. Sot, pothuajse të gjithë vendet, kanë hequr dorë nga kjo formë e organizimit të jetës ekonomike dhe kanë përqafuar organizimin ekonomik të udhëhequr nga tregu. Në një sistem të ekonomisë së tregut, vendimet merren nga zgjedhjet që bëjnë individët si konsumatorë dhe firmat si prodhuese të të mirave materiale. Në pamje të parë duket befasuese se si vendimet që bëjnë miliona konsumatorë dhe firma, nisur nga interesat e tyre krejtësisht individualiste, të prodhojnë një rezultat ekonomik që të jetë më i favorshëm për shoqërinë se planifikimi nga qeveria. Në veprën e tij të vitit 1776, “Një Shqyrtim mbi Natyrën dhe Shkaqet e Pasurisë së Kombeve”, ekonomisti i famshëm Adam Smith do të shpjegonte se si individët dhe firmat, duke ndërvepruar në treg, sikur të udhëhiqen nga “një dorë e padukshme”, do t’i çonte ata drejt rrjedhojave të dëshirueshme të shoqërisë. Gjatë studimit të këtij libri do të keni mundësi për t’i trajtuar më hollësisht këto mekanizma koordinuese dhe organizuese të tregut.

Parimi i shtatë: qeveritë ndonjëherë mund t’i përmirësojnë rezultatet e tregut. Adam Smithi argumentonte se, sa herë që qeveritë ndërhyjnë në sistemin ekonomik duke deformuar çmimet e mallrave dhe shërbimeve, kjo do të prodhonte pasoja negative për ekonominë. Nëse “dora e padukshme” funksionon plotësisht, atëherë a kemi nevojë për qeverinë? Një nga funksionet më të rëndësishme të qeverive është ruajtja e rregullit dhe ligjit në shoqëri, që janë me rëndësi për funksionimin e tregjeve. Një prej tyre, për shembull, është mbrojtja e të drejtave të pronës private. Për shembull, fermerët nuk do të prodhonin asnjë kilogram domate apo grurë nëse s’do të ishin të sigurt se askush tjetër nuk do të vilte prodhimin nga tokat ku ata kanë mbjellë; asnjë restorant nuk do të funksiononte nëse pronari nuk do të ishte i sigurt se klienti do të paguajë pasi ka konsumuar në lokal etj. drejtat e pronës private janë aftësia e një individi për të zotëruar dhe pasur nën kontroll burimet e rralla ekonomike. Një rast tjetër, kur shteti mund të luajë një rol të dobishëm për tregun, është garantimi i konkurrencës së barabartë në treg për të gjithë firmat. Në qoftë se një firmë është aq e fuqishme saqë mund të diktojë çmimet e produkteve të veta, një situatë e tillë konsiderohet nga ekonomistët si fuqi tregu me pasoja deformuese. Në qoftë se do të kishim vetëm një kompani të ofrimit të shërbimeve të internetit, për shembull, kompania mund të vendoste çmime shumë të larta dhe do të ofronte një shërbim shumë të kufizuar. Prandaj, në këto raste, interesat e firmave duhen mbajtur nën kontroll, në mënyrë që ato të mos abuzojnë me fuqinë që kanë në treg. Në rastin kur në treg funksionon konkurrenca e drejtë, kërkesa e konsumtorëve ndikon në mënyrë të drejtë te çmimet e mallrave dhe shërbimeve. Për shembull, nëse kërkesa për shërbimet turistike rritet, atëherë firmat që i ofrojnë këto lloj shërbimesh do të rrisin çmimet e shërbimeve të tyre. Ose në rastin kur kërkesa për një produkt të caktuar bie, atëherë edhe çmimet me të cilat ato ofrohen në treg bien.