Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 1 Mësimi 1: Objekti i studimit të ekonomisë

Hyrje në Ekonomi Tematika 1 Mësimi 1

TEMATIKA 1 ÇFARË STUDION EKONOMIA?

Objekti i studimit të ekonomisë

Ekonomia, kuptimi bazë
Fjala “Ekonomi” rrjedh nga greqishtja e lashtë “Oikonomia, që do të thotë “të menaxhosh ekonominë e familjes. Ashtu si në familje, edhe shoqëria duhet të marrë shumë vendime. Ajo duhet të gjejë mënyra sesi t‘i shpërndajë burimet që ka shoqëria për të prodhuar mallrat dhe shërbimet për të cilat kemi nevojë. Për shembull, sa punëtorë do të duhen për të rritur prodhimet e fushës, sa të tjerë duhen për të prodhuar veshjet, sa duhen për të prodhuar kompjuterë dhe programe kompjuterike, sa duhen për të shërbyer nëpër restorante etj. Për të prodhuar mallra apo shërbime të tilla, ne duhet të dedikojmë për këtë qëllim jo vetëm njerëzit, por edhe burimet e tjera ekonomike, si tokë dhe kapitale. Duke qenë se burime të tilla janë të kufizuara, menaxhimi me kujdes i tyre është shumë i rëndësishëm.

Pamjaftueshmëria (rrallësia) do të thotë se shoqëria ka burime të kufizuara dhe, për këtë arsye, nuk mund t‘i prodhojë të gjitha mallrat dhe shërbimet që njerëzit dëshirojnë. Ashtu si në familje ne nuk mund të kemi gjithçka që duam, edhe në shoqërinë në tërësi, individët nuk mund të arrijnë standardet më të larta të jetesës që aspirojnë.

Ekonomia studion pikërisht mënyrën sesi shoqëria i menaxhon burimet e kufizuara prodhuese ndaj nevojave konkurruese dhe të pakufizuara.

Në sistemin ekonomik të një shoqërie demokratike, ndarja e burimeve rrjedh nga zgjedhjet që bëjmë ne individët me vendimet që marrim në jetën tonë të përditshme. Prandaj, për të kuptuar shpërndarjen e burimeve në ekonomi, ekonomistët studiojnë mënyrën se si njerëzit i marrin vendimet e tyre: sa para shpenzojnë dhe sa kursejnë, si i investojnë kursimet e tyre, si i marrin vendimet për të blerë një produkt apo një shërbim etj. Nga studimi që u bëjnë veprimeve të individëve dhe zgjedhjeve që ata kanë kryer, ekonomistët përpiqen që të parashikojnë edhe prirjet e ardhshme të ekonomisë. Për shembull, si do të sillen çmimet në vitet e ardhshme, si do të rritet ekonomia, sa do të rriten kursimet dhe investimet në ekonomi etj. Tradicionalisht, ekonomia është ndarë në dy degë: mikroekonomi, kur studiohen sjelljet e individëve dhe të firmave, dhe makroekonomi, kur studiohen fenomene të mbarë ekonomisë, si kursimet, investimet, inflacioni etj.