Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 2 Mësimi 6: Llojet e tjera të elasticitetit

Hyrje në Ekonomi Tematika 2 Mësimi 6

Llojet e tjera të elasticitetit

Elasticiteti i kryqëzuar i çmimit
Përveç elasticitetit të kërkesës ndaj ndryshimit të çmimit, ekonomistët flasin edhe për elasticitetin e kryqëzuar të çmimeve dhe elasticitetin e të ardhurave. Elasticiteti i kryqëzuar i çmimeve mat ndryshimin e kërkesës për një mall kur ndryshon çmimi i një malli tjetër. Siç e kemi theksuar, mallrat mund të jenë zëvendësuese dhe shoqëruese të njëri-tjetrit. Në rastin e mallrave zëvendësuese, kur çmimi i një malli rritet, atëherë konsumatorët mund të zhvendosin kërkesën drejt mallit zëvendësues. Elasticiteti i kryqëzuar në këtë rast është pozitiv. Ndërsa te mallrat shoqëruese, ndryshimi i kërkesës për një mall ndikon automatikisht edhe në ndryshimin e kërkesës për mallin shoqërues. Në këtë rast, elasticiteti i kryqëzuar është negativ. Elasticiteti i kryqëzuar i çmimit = përqindja e ndryshimit në sasinë e kërkuar të mallit 1 / përqindja e ndryshimit të çmimit të mallit 2.

Elasticiteti i të ardhurave
Elasticiteti i të ardhurave tregon se si ndryshon kërkesa për një mall në reagim të ndryshimit të të ardhurave. Në rastin e mallrave normale, me ndryshimin e të ardhurave, ndryshon dhe kërkesa për to, ndërsa për mallrat inferiore, kërkesa për to nuk ndryshon, pavarësisht ndryshimit të të ardhurave. Për shembull, kërkesa për ushqimet bazike është e pandryshuar, pavarësisht nëse të ardhurat rriten apo bien. Elasticiteti i të ardhurave = përqindja e ndryshimit të kërkesës për një mall/ përqindja e ndryshimit të të ardhurave.

Elasticiteti i ofertës
Ngjashmërisht me kërkesën, edhe oferta reagon ndaj ndryshimit të çmimeve: me një çmim më të lartë, firmat kanë mundësi të rrisin ofertën për mallra. Elasticiteti i ofertës mat se si ndryshon oferta e mallit në raport me ndryshimin e çmimit të tij. Oferta elastike është në rastet kur oferta ndryshon me ndryshimin e çmimit, ndërsa oferta është inelastike ose joelastike kur ajo nuk ndryshon me ndryshimin e çmimit. Llogaritja e elasticitetit të ofertës është njësoj, si dhe elasticiteti i kërkesës: Elasticiteti i ofertës = përqindja e ndryshimit të sasisë së ofruar / përqindja e ndryshimit të çmimit. Llojet e elasticiteteve janë njësoj simetrike, si dhe në rastin e elasticitetit të kërkesës.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në elasticitetin e ofertës?
Kostoja dhe mundësia e produktit për t’u depozituar
Jo të gjitha produktet kanë të njëjta kosto dhe mundësi për t’u depozituar, pasi varen nga karakteristikat e secilit produkt. Nëse pritet që çmimet e produkteve të rriten në të ardhmen, ofruesit do të ulin ofertën aktuale në treg për t’i shitur në një periudhë të mëvonshme kur çmimet të jenë më të larta. Kështu, sa më të ulëta të jenë kostot dhe sa më të larta të jenë mundësitë për depozitim, aq më i madh do të jetë elasticiteti i ofertës për atë produkt.

Fleksibiliteti i procesit të prodhimit
Nëse koha dhe kostoja me të cilët ofruesit përballen ndaj ndryshimeve të çmimeve janë të ulëta, atëherë kemi të bëjmë me ofertë elastike.

Kostoja e prodhimit të njësive shtesë
Nëse kostoja me të cilën përballen ofruesit për të ofruar njësi shtesë prodhimi është i ulët, atëherë kemi të bëjmë me ofertë elastike.

Koha
Sa më e madhe të jetë koha që kanë ofruesit në dispozicion, aq më shumë ata do të kenë mundësi të reagojnë ndaj ndryshimeve të çmimeve. Pra, oferta do të jetë sa më elastike.