Hyrje në Ekonomi Tematika 12 Mësimi 1
TEMATIKA 12 NDËRVARËSIA DHE PËRFITIMET NGA TREGTIA NDËRKOMBËTARE
Përparësitë absolute dhe krahasuese
Përfitimet reciproke nga tregtia ndërkombëtare
Siç e kemi theksuar që në hapjen e këtij libri, një nga parimet e ekonomisë është se tregtia është një lojë me përfitime reciproke për të gjithë ata që përfshihen në këto transaksione. Le të supozojmë se bota përbëhet nga vetëm dy individë dhe dy produkte. Për shembull, Iliri që rrit bagëti për mish dhe Drita që prodhon patate. Sigurisht që të dy ata kanë nevojë për një dietë ushqimore, e cila përmban edhe mishin dhe pataten. Iliri dhe Drita mund të zgjedhin që ata t’i prodhojnë vetë të dy produktet, ose secili të specializohet në prodhimin e produktit që di të bëjë më mirë. Për të shqyrtuar përfitimet që krijohen nga tregtia, le të vazhdojmë të supozojmë se të dy personat do t’i prodhojnë të dy produktet. Gjatë një dite pune, Iliri mund të prodhojë në gjysmën e kohës 80 njësi mishi dhe në gjysmën e dytë të kohës, 100 njësi patate, ndërsa Drita mund të prodhojë 120 njësi mishi dhe 90 njësi patate. Situata e prodhimit përpara specializimit është si më poshtë:
Pra, kur ata i prodhojnë vetë të dy produktet, në total ekonomia prodhon 200 njësi mishi dhe 190 njësi patate, dhe gjithsej 390 njësi produkti. Nga këto të dhëna, duket se Iliri prodhon më shumë patate se Drita për një njësi kohe, ndërsa Drita mund të prodhojë më shumë mish. Pra Iliri është më eficient në prodhimin e patates, ndërsa Drita është më eficiente në prodhimin e mishit. Prandaj ata vendosin që Iliri të prodhojë vetëm patate, ndërsa Drita të prodhojë vetëm mish. Duke përdorur dyfishin e kohës së punës në prodhimin e produktit në të cilin ata janë më eficientë, është e kuptueshme se ata do të prodhojnë dyfishin e produkteve. Situata e prodhimit pas specializimit do të ishte si më poshtë:
Pas specializimit, prodhimi total ka arritur në 440 njësi, ose 50 njësi më shumë se përpara specializimit, respektivisht 40 njësi më shumë njësi mishi dhe 10 njësi më shumë patate. Në procesin e shkëmbimit, Iliri mund të blejë nga Drita 80 njësi mish që prodhonte përpara specializimit, duke i mbetur 120 njësi patate, ndërsa Drita mund të blejë 90 njësi patate që prodhonte, duke i mbetur 110 njësi mishi. Në fund të procesit, Iliri ka një tepricë me 20 njësi patate, ndërsa Drita një tepricë me 30 njësi mish. Të dy individët dalin me fitim nga ky proces shkëmbimi.
Për të krahasuar produktivitetin në prodhimin e një produkti të një personi, të një firme ose të një kombi në raport me një tjetër, ekonomistët përdorin termin e përparësisë absolute. Një prodhues që harxhon më pak faktorë prodhimi se të tjerët në prodhimin e një produkti, thuhet se zotëron një përparësi absolute në prodhimin e atij produkti. Adam Smith-i ishte ekonomisti i parë që e formuloi teorinë e përparësive absolute. Ai theksonte se kombet duhet të specializohen në prodhimin e atyre produkteve në të cilat ata zotërojnë përparësi absolute ndaj kombeve të tjerë.
Por Adam Smithi nuk e shtroi pyetjen se çfarë ndodh nëse një komb apo një individ zotëron një përparësi absolute në prodhimin e gjithçkaje. Në rast se Iliri është më eficient se Drita jo vetëm në prodhimin e mishit, por edhe në prodhimin e patates, atëherë a do të ishte me efekte pozitive tregtia midis Ilirit dhe Dritës? Kësaj pyetje i dha përgjigje një tjetër ekonomist i famshëm në historinë e shkencës ekonomike, David Rikardo, e cila njihet si teoria e përparësive krahasuese. Duke vazhduar shembullin e mëparshëm, supozojmë se situata paraqitet si në tabelën më poshtë:
Duket qartë se Iliri në njësinë e kohës prodhon më shumë si mish edhe patate, prandaj ai zotëron një përparësi absolute krahasuar me Dritën në prodhimin e të dy produkteve. Rikardo theksonte se, edhe në këto raste, individët dhe kombet duhet të specializohen në prodhimin e atij produkti në të cilën janë relativisht më mirë se kombi tjetër, ose aty ku kostot oportune janë më të vogla. Ne e kemi ndeshur tashmë konceptin e kostove oportune, si kostoja e mospatjes së diçkaje në shkëmbim të diçkaje tjetër. Pra, koston e patates e shprehim në njësi mishi dhe anasjelltas. Në mungesë të specializimit, Dritës i duhen 170 orë për të prodhuar të dy mallrat, ndërsa Ilirit i duhen 220 orë pune. Për të parë përfitimet që krijohen nga tregtia edhe në raste të tilla, le të krahasojmë kostot oportune në prodhimin e secilit mall.
Sipas këtyre të dhënave, Drita ka një kosto oportune më të vogël se Iliri në prodhimin e mishit (0.9<1.2), ndërsa Iliri ka një kosto oportune më të vogël se Drita në prodhimin e patates (0.8<1.125). Pra, Drita duhet të specializohet në prodhimin e mishit, ndërsa Iliri në prodhimin e patates, ku kostot oportune janë më të vogla. Nga ky specializim në prodhimin e produktit, ku kostot oportune janë më të ulëta ose ku përparësitë krahasuese janë më të mëdha, ekonomia prodhon më shumë dhe të dy palët nxjerrin përfitime nga tregtia. Në këtë rast, nga specializimi do të prodhoheshin:
Siç shihet, nga specializimi përsëri kemi një tepricë prodhimi prej 30 njësi (420-390) më shumë se përpara specializimit. Nga tregtimi i tepricave përsëri kemi përfitime reciproke:
Modeli rikardjan i avantazheve krahasuese thekson faktin se vendet duhet të zhvillohen në tregtimin e atyre të mirave për të cilat ata kanë avantazhe krahasuar me vendet e tjera. Modeli rikardjan është një model i sofistikuar matematikor për të cilin janë kryer një mori e pafundme testesh të vërtetësisë së saj dhe të gjithë e kanë gjetur këtë teori si të vërtetë dhe të dobishme në shpjegimin e tregtisë ndërkombëtare. Sot ne kemi edhe teori të reja të interpretimit të tregtisë ndërkombëtare, por teoritë e përparësive absolute dhe krahasuese mbeten teori pioniere dhe na ndihmojnë të kuptojmë shumë nga zhvillimet e sotme në tregtinë ndërkombëtare.