Hyrje në Ekonomi Tematika 6 Mësimi 2
TEMATIKA 6 STRUKTURA E TREGUT
Konkurrenca e plotë
Për ekonomistët, një term shumë i përdorur është “konkurrenca” dhe më specifikisht “konkurrenca e plotë”, e cila ka të bëjë me disa kushte specifike të tregut. Një “treg konkurrues” është një treg në të cilin ka shumë blerës dhe shumë shitës, kështu që secili individualisht ka një ndikim të papërfillshëm mbi çmimin e tregut. Çdo shitës individual ka një kontroll të kufizuar mbi çmimin, sepse shitësit e tjerë ofrojnë produkte të ngjashme.
Një shitës ka pak arsye që ta ulë çmimin nën atë të tregut. Ndërsa, nëse shitësi synon ta shesë më shtrenjtë, blerësit do t’i bëjnë blerjet e tyre te një shitës tjetër. Në mënyrë të ngjashme, asnjë blerës i vetëm nuk mundet të ndikojë mbi çmimin e produkteve. Pra, në konkurrencë të plotë, firmat do të përpiqen të maksimizojnë fitimin e tyre nëpërmjet analizimit të prodhimit, duke marrë të mirëqenë çmimin e të mirës që ata prodhojnë. Pra, që tregu të operojë në konkurrencë të plotë duhet të plotësohen disa kushte, të cilat janë:
a. Duhet të ketë shumë firma në treg, të cilat janë të vogla dhe nuk mund të ndryshojnë kushtet e tregut. Pra, edhe firma më e madhe e tregut nuk mund të sjellë asnjë ndryshim të rëndësishëm në ofertën e tregut.
b. Blerësit kanë informacion perfekt mbi produktet që u shiten dhe çmimet e vendosura.
c. Faktorët e prodhimit janë lehtësisht të transferueshëm.
d. Firmat mund të hyjnë dhe të dalin nga tregu pa kosto.
e. Mallrat që ofrohen në shitje të jenë të gjitha të njëjta.
f. Numri i blerësve dhe shitësve duhet të jetë shumë i madh, sa asnjë blerës ose shitës i vetëm të mund të ndikojë në çmimin e tregut.
Në një treg të konkurrencës së plotë, firmat mundësojnë fitim vetëm sa për të qëndruar në treg. Kur një firmë ka fitim më të lartë, atëherë firma të tjera do të hyjnë në treg dhe nëse ka fitim më të ulët, atëherë disa firma do të dalin nga tregu. Ka disa tregje ku supozohet se konkurrenca e plotë zbatohet tërësisht. Për shembull, në tregun e perimeve. Aty ka mijëra fermerë që shesin perime dhe dhjetëra mijëra konsumatorë që i blejnë ato. Meqenëse asnjë blerës apo shitës i vetëm nuk mund të ndikojë mbi çmimin e perimeve, secili prej tyre e pranon çmimin si të dhënë apo fiksuar nga tregu.
Analiza ekonomike e firmës në konkurrencë të plotë
Qëllimi i analizës ekonomike të sjelljes së firmës në kushtet e tregut në konkurrencë të plotë është përcaktimi i nivelit të prodhimit në të cilin firma arrin maksimumin e fitimit, të quajtur ndryshe edhe si “pika e ekuilibrit në kushtet e konkurrencës së plotë”. Studimi i sjelljes së firmave në kërkim të pikës së ekuilibrit kërkon studimin dhe përcaktimin e sjelljes së kurbave të kërkesës dhe ofertës në treg.
Kurba e kërkesës
Në kushtet e tregjeve të konkurrencës perfekte, aktorët ekonomikë që operojnë në këto tregje, për pasojë dhe firmat, konsiderohen si “çmim-pranuese”. Kjo do të thotë se për këto firma nuk ekziston ndonjë lidhje e fortë shkak-pasojë ndërmjet çmimit të tregut dhe sasisë së mallrave apo shërbimeve të prodhuara, se ato nuk veprojnë dhe nuk reagojnë për ndryshimin e çmimit. Në këtë këndvështrim, për këto firma ekziston një dallim ndërmjet kurbës së kërkesës për një firmë të vetme dhe kurbës së kërkesës së tregut. Në një treg në konkurrencë perfekte, çmimi i ekuilibrit përcaktohet nga pikëprerja e kërkesës së tregut (Dt) me ofertën e tregut (St). Në bazë të ligjit të kërkesës dhe ofertës, kurba e kërkesës (Dt) është me pjerrësi negative: për arsye të faktit se produkti i degës është homogjen dhe firmat janë çmim-pranuese, çdo firmë gjendet përballë një kurbe kërkese tërësisht elastike, duke qenë e lirë të marrë vendime individuale mbi sasitë e prodhimit, por nuk është e lirë në përcaktimin e çmimit të shitjes. Dallimi ndërmjet kurbës së kërkesës për tregun dhe kurbës së kërkesës për një firmë të vetme jepet në figurën e mëposhtme:
Në kushtet e një tregu të konkurrencës së plotë, firmat synojnë të maksimizojnë fitimin, i cili llogaritet si diferencë ndërmjet të ardhurave nga shitja e produkteve apo shërbimeve (TR) dhe kostove të prodhimit (TC). Fitimi = TR – TC Në mënyrë që të kenë mundësi të marrin vendime sa më racionale, përveç të ardhurave direkte nga shitja e produkteve apo shërbimeve, firmat llogarisin dhe treguesit e të ardhurave mesatare (AR) dhe të ardhurave marxhinale (MR). Këto kategori të ardhurash e ndihmojnë firmën që të llogarisë sa më mirë nivelin e saj të rentabilitetit. Një firmë në konkurrencë të plotë do të preferonte një çmim, i cili do t’i mundësonte asaj një fitim ekonomik të barabartë me zero (ose siç njihet në gjuhën ekonomike fitim normal). Pra, nëse kostot mesatare të prodhimit të firmës do të ishin të barabarta me çmimin e tregut. Pra, nëse do të bënim një analizë grafike, firma do të prodhonte te niveli ku ATC është tangjente me drejtëzën e çmimit që, në rastin e konkurrencës së plotë, konsiston edhe në kurbën e kërkesës, të ardhurave mesatare dhe marxhinale.
Nëse një firmë do të mund të ofronte të njëjtën sasi, por me një çmim më të lartë (pra ajo do të kishte kosto mesatare më të ulët sesa çmimi i tregut), atëherë ajo do të siguronte një fitim pozitiv, e cila do të shoqërohej me hyrje të firmave të reja në treg. Kjo situatë do të vazhdonte deri në momentin që të gjitha firmat të kishin fitim ekonomik të barabartë me zero.
Në rastin kur firma do të kishte një kosto mesatare më të lartë sesa çmimi i tregut, atëherë ajo do të përballej me humbje. Duke u nisur nga fakti se hyrja dhe dalja në një treg konkurrencial është e lirë, atëherë firmat që operojnë me humbje do të dalin nga tregu. Ndërsa firmat, të cilat mund të arrijnë të prodhojnë me kosto mesatare sa çmimi i tregut, do të futen në treg.
Le ta konkretizojmë këtë me një shembull nga një firmë që prodhon këpucë, sipas treguesve të dhëna në tabelën e mëposhtme:
Nga të dhënat e tabelës, arrihet në përfundimin se në kushtet e një tregu të konkurrencës së plotë:
1. të ardhurat totale (TR) janë rritëse;
2. të ardhurat mesatare (AR) janë të barabarta me çmimin e tregut;
3. të ardhurat marxhinale (MR) janë të barabarta me çmimin për një palë këpucë (P) dhe të ardhurave mesatare (AR), P = AR = MR.
Pra, kurbat e të ardhurave mesatare dhe të ardhurave marxhinale të kërkesës së një firme janë të njëjta dhe të barabarta me çmimin e produkteve të saj.
Maksimizimi i fitimit të firmës në tregjet me konkurrencë të plotë
Duke pasur parasysh se ekuilibri i firmës është pika ku sigurohet fitimi më i madh, ose pika ku diferenca ndërmjet të ardhurave dhe kostove është maksimale. Përcaktimin e pikës së fitimit maksimal, ose pikës së ekuilibrit mund ta gjejmë nëpërmjet relacionit: Fitimi =të ardhurat totale (TR) – kostot e prodhimit (TC), ose duke përdorur treguesit për njësi, duke krahasuar çmimin me koston për njësi (palë këpucë): Fitimi = çmimi (P) – koston për njësi (ATC). Duke ju referuar shembullit të firmës që prodhon këpucë, krahasojmë të ardhurat e saj me kostot
Nga tabela (kolona e fitimit) duket se firma arrin fitimin maksimal, duke prodhuar 50 palë këpucë, sepse në këtë nivel prodhimi, kemi që MR = MC dhe fitimi është 80,000. Pra, firma e arrin ekuilibrin ekonomik në atë nivel prodhimi në të cilin çdo njësi shtesë e prodhuar i rrit të ardhurat në po atë nivel që rrit dhe kostot. Pra, maksimizimi i fitimit të firmës në një treg me konkurrencë perfekte shprehet MR = MC. Meqenëse në këtë treg, të ardhurat marxhinale (MR) janë të barabarta me çmimin, atëherë nxjerrim si përfundim se prodhimi maksimizohet në atë nivel prodhimi në të cilin P = MR = MC. Në rastin e shembullit tonë, firma e prodhimit të këpucëve e arrin fitimin maksimal kur prodhon 50 palë këpucë, ku MR – MC = 0. Kur MR>MC (d.m.th kur firma prodhon 10, 20, 30, 40 palë këpucë) firma duhet të rrisë prodhimin deri sa MC = MR; Kur MR<MC (në rastet kur firma prodhon 60, 70, 80, 90, 100 palë këpucë), ajo nuk është e interesuar të rrisë prodhimin, por duhet ta ulë atë deri në nivelin 50 palë këpucë, pra të barazojë MC me MR.