Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 11 Mësimi 2: Kritikat për politikën monetare dhe fiskale

Hyrje në Ekonomi Tematika 11 Mësimi 2

TEMATIKA 11 STABILITETI EKONOMIK DHE POLITIKAT MAKROEKONOMIKE

Kritikat për politikën monetare dhe fiskale

Ndikimet e politikës fiskale dhe monetare
Ndikimi i politikës fiskale në arritjen e objektivave makroekonomike arrihet nëpërmjet politikave të taksave dhe shpenzimeve. Në rastin e rënies dhe recesionit ekonomik, rekomandohet ulja e taksave dhe rritja e shpenzimeve, ndërsa kur ekonomia është në fazën e rritjes dhe ekspansionit kahu i politikave fiskale ndryshon. Në këtë rast rekomandohet që taksat të rriten dhe shpenzimet të ulen. Në rastin e përdorimit të politikave të taksave, është më efektiv mosndryshimi i tyre i shpeshtë, identifikimi i një niveli të pranueshëm të taksave, harmonizimi i tatimit të kapitalit, punës dhe konsumit. Lidhur me politikat e taksave, një vend gjithmonë e më të rëndësishëm zë mbledhja e tyre, administrimi i taksave dhe gjithë procesit të hapjes, zhvillimit dhe mbylljes së bizneseve.

Një kanal tjetër i ndikimit të politikës fiskale mbi zhvillimet e treguesve makroekonomikë, është niveli i borxhit publik (Borxhi publik përfshin shumatoren e huave shtetërore dhe të interesave të maturuara e të pashlyera deri në momentin e llogaritjes së tyre) dhe kostoja e shërbimit të tij. Kjo sepse nëse borxhi publik arrin një nivel ku mund të gjendemi përballë një krize të borxheve, stabiliteti i financave publike është prioritar. Kjo u jep përparësi paketave antikrizë ku bëjnë pjesë: politika e rritjes së të ardhurave buxhetore/taksave dhe politika shtrënguese në kahun e shpenzimeve, ku të parat janë shpenzimet joefektive dhe shpenzimet sociale.

Një nga kufizimet që ka politika fiskale për të ndikuar në ekonomi është niveli i borxhit publik dhe i kostos së tij. Studimet argumentojnë se vende të ndryshme kanë nivele të ndryshme të borxhit publik që mund të konsiderohet borxh i shëndetshëm, borxh, i cili rritet pa rritur koston e tij dhe pa arritur në kufijtë kritikë.

Në këtë aspekt, politika fiskale duhet të jetë efektive në afatshkurtër dhe e përgjegjshme në afatgjatë për të përmbushur objektivat e saj pa cenuar stabilitetin e financave publike. Ndikimi i politikës monetare arrihet nëpërmjet ofertës së parasë, uljes ose rritjes së kostos së parasë. Kufizimet e politikës monetare kanë të bëjnë me faktin që politikat monetare lehtësuese kanë nivele limite të uljes së kostos së parasë në ekonomi dhe të blerjes me kosto të ulët të borxheve të këqija të bankave apo edhe kompanive me ndikim të ndjeshëm në ekonomi. Studiuesit konkludojnë se as politika monetare dhe as politika fiskale nuk mund t`i plotësojnë kontributet e tyre për rritjen punësimit dhe uljen e varfërisë të vetme. Kërkohen reforma të thella strukturore për përmirësimin e funksionimit të shtetit ligjor, ku përfshihen: garantimi i të drejtës së pronës, pavarësia e gjyqësorit dhe përmirësimi i vazhdueshëm i ambjentit të biznesit.

Ndikimi i politikave monetare në papunësinë, prodhimin, inflacionin dhe normat e interesit
Objektivi i bankës qendrore është arritja dhe ruajtja e inflacionit në një nivel të caktuar. Ulja e kostos së parasë në ekonomi ndikon edhe në uljen e kostos së borxhit individual të biznesit dhe sidomos të borxhit publik. 

Mbi të gjitha kërkohet që objektivat dhe instrumentet e politikës fiskale dhe monetare të harmonizohen. Kjo sepse, për çdo bankë qendrore është e vështirë të realizojë objektivin e saj për mbajtjen e një niveli të caktuar inflacioni, nëse ekonomia shket në rënie dhe recesion. Nga ana tjetër, është shumë e vështirë për politikat fiskale të arrijnë objektivin e tyre të stabilitetit të financave publike, pa ndihmën e politikave monetare. Pra, nëse ekonomia e një vendi është në fazën e rënies dhe recesionit ekonomik, politika fiskale do të veprojë nëpërmjet stabilizuesve automatikë, ku kemi rënie të të ardhurave buxhetore dhe rritje të shpenzimeve buxhetore. Në këtë situatë, do të gjendemi përballë rritjes së deficitit dhe borxhit publik. Financimi i tyre, në kushtet kur barra e tyre është bërë më e rëndë, mund të krijojë një efekt zinxhir negativ, rritje të deficitit, rritje të borxhit, rritje të kostos së tyre. Ky cikël fillimisht duhet të zbutet, efekti zinxhir mbi koston e borxhit duhet të ndërpritet duke ulur koston e borxhit. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet politikave monetare. Ulja e kostos së borxhit do të lehtësojë shkallën e reduktimit të shpenzimeve sociale, do të ulë ritmet e rritjes së deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Në varësi nga rreziku që ka krijuar borxhi publik ndaj financave publike, në debatin “rritje ekonomike apo stabilitet financiar”, stabiliteti financiar merr përparësi. Çka do të thotë që shkurtimi i defiçitit buxhetor, deri në deficit primar zero ose suficit, del në plan të parë.

Në vështirësi për të patur rritje të të ardhurave, barra e paketës antikrizë bazohet kryesisht në shkurtimin e shpenzimeve dhe sidomos të atyre me karakter social. Në kushtet kur kemi shkurtim të shpenzimeve buxhetore, ne gjendemi përballë efektit të politikës fiskale në reduktimin e kërkesës tërësore. Në këtë periudhë, rritja e kërkesës tërësore që lehtëson rritjen ekonomike dhe punësimin, i transferohet politikës fiskale, e cila, nëpërmjet instrumenteve të ndryshme, ul koston e parasë në ekonomi për të nxitur rritjen e konsumit dhe investimit. Pra, në kushtet kur ekonomia e një vendi vepron në nivele të larta të deficiteve buxhetore dhe borxheve publike, duke rritur kërkesën për para, ajo ndikon në rritjen e kostos së parasë në ekonomi. Efektet negative të kostos së lartë të parasë në ekonomi mbi individët, biznesin dhe buxhetin ushqejnë rënien dhe recesionin. Në rastet kur ekonomia vepron në kushtet e stabilitetit të financave publike, kërkesat për para janë në trendet e tyre të përhershme; për pasojë edhe kërkesa për para është e parashikueshme, e menaxhueshme dhe kostoja e saj është e ulët dhe mbështetëse për rritjen e kërkesës tërësore. Banka qendrore posedon instrumente të ndryshme të politikës monetare për të ndërhyrë nëpërmjet ofertës së parasë në situatat e rritjes së kostos së saj ose në lehtësimin e kostos së parasë kur ajo ndihmon punësimin, rritjen ekonomike dhe nuk cënon objektin e inflacionit.

Momenti më i vështirë i politikave fiskale është kur niveli i deficitit dhe borxheve publike ka arritur deri atje sa vendi mund të kalojë një krizë të rëndë të borxheve, deri në pa aftësi të pagimit të tyre, si rasti i Greqisë pas krizës 2007. Duke mësuar nga krizat e mëparshme financiare, ekspertët ritheksojnë një parim të rëndësishëm të menaxhimit të financave publike: “çatia rregullohet kur dielli shkëlqen”. Kjo nënkupton që qeveritë gjatë fazave të rritjes dhe ekspansionit ekonomik, Në periudhat kur rritja ekonomike dhe niveli i punësimit janë të lartë, të ndërmerren reforma strukturore që mbështesin rritje ekonomike dhe punësim të lartë, si dhe reduktojnë deficitin buxhetor dhe borxhin publik. Kjo ndihmon shtetet që në fazën e rënieve dhe recesioneve ekonomike, në fazën e krizave ekonomike dhe financiare, në periudhat kur individët, biznesi dhe ndërmjetësit financiarë, bankat dhe fondet e investimeve ngurrojnë të kreditojnë në ekonomi, qeveritë që kanë ulur borxhet publike kanë një hapësirë më të madhe për të ndërhyrë në ekonomi, duke rritur shpenzimet dhe investimet publike pa rritur koston e financimit të ekonomisë.

Kufizimet e politikave monetare dhe fiskale
Politika fiskale synon që, nëpërmjet mbledhjes në mënyrë sa më të drejtë dhe të lehtë të të ardhurave buxhetore dhe rritjes së eficencës së shpenzimeve publike, të lehtësojë arritjen e objektivave makroekonomike, punëzënien e plotë dhe nivelin e inflacionit. Ndërsa në afatshkurtër, politikat fiskale ndikojnë në fazat e cikleve ekonomike, në afatgjatë ndikohet nëpërmjet financimit të politikave prioritare si arsim, shëndetësi, infrastrukturë etj. Financimi buxhetor i rendit publik, i sigurisë kombëtare dhe i institucioneve kushtetuese mbetet një detyrim i përhershëm i politikave fiskale. Sigurimi i burimeve tatimore për të financuar shpenzimet sociale ku përfshihen pensionet, asistenca për papunësi dhe paaftësi. Reduktimi i deficitit të skemës së fondeve sociale, është një prioritet i rëndësishëm i politikave fiskale, si për të krijuar kohezionin e nevojshëm social, ashtu dhe për të ndihmuar konsolidimin fiskal, i cili rrezikohet ndjeshëm nga plakja e popullsisë. Objektivi i eleminimit të varfërisë ekstreme dhe reduktimi i varfërisë relative, është një objektiv social, por edhe prioritet buxhetor.

Por politikat fiskale dhe monetare kanë kufizimet e tyre lidhur me impaktet në ekonominë e një vendi. Sfida konsiston në faktin që duhet të identifikohen në kohë rreziqet potenciale për arritjen e objektivave makroekonomike të qeverisë, si dhe të aktivizohen në kohë dhe të përdoren me efektivitet politikat monetare dhe politikat fiskale respektive.

Politikat monetare dhe politikat fiskale kanë kufizimet e tyre edhe në ndërhyrjet për të ndalur rënien ose recesionin e ekonomisë dhe në ringritjen e saj. Instrumenti kryesor me të cilin banka qendrore mund të ndërhyjë në fazat e cikleve ekonomike është ai i ofertës monetare. Në rastet e fazave të rënies ose recesionit ekonomik, banka qendrore rrit ofertën e parasë, ul koston e parasë në ekonomi, lehtëson koston e financimit të çdo individi, biznesi, por edhe të ekonomisë kombëtare. Këto impulse pozitive ndikojnë në sjelljen e agjentëve ekonomikë, të cilët, në kushtet e kostos së lirë të parasë tentojnë të rrisin konsumin dhe investimin, çka rrit kërkesën tërësore. Rritja e kërkesës tërësore lehtëson daljen e ekonomisë nga kriza dhe rikthimin e saj drejt fazës së ngritjes. Por politika monetare, pavarësisht llojit të instrumenteve dhe madhësisë së përdorimit, nuk mund ta plotësojë këtë objektiv makroekonomik e vetme.

Lidhur me ndikimin e politikave fiskale në ritmet e rritjes së prodhimit, duhet të mbajmë parasysh efektin e politikave fiskale në krahun e taksave dhe nëpërmjet shpenzimeve dhe investimeve. Duke mbajtur parasysh efektet e politikave fiskale mbi prodhimin, mund ta zgjerojmë analizën tonë për efektin e politikave fiskale, mbi papunësinë. Politika fiskale që lehtëson stabilitetin makroekonomik, që mbështet një rritje më të lartë ekonomike, të qëndrueshme dhe të drejtë, ka si rezultante të saj edhe një nivel punësimi më të lartë. Në periudhat e rënies ekonomike dhe recesionit ku kemi rritje të papunësisë, politikat fiskale nëpërmjet transfertave buxhetore të asistencës sociale të të papunëve, synojnë të ruajnë kohezionin social. Në këtë fazë të rritjes së papunësisë, qeveritë synojnë të reduktojnë papunësinë ciklike me projekte të ndryshme trajnimi, ritrajnimi për t`iu përshtatur më mirë kërkesave të tregut. Pra, politikat monetare dhe fiskale ndihmojnë në reduktimin e numrit dhe periudhës së papunësisë ciklike, por ato janë të paafta të lehtësojnë papunësisë strukturore ose forma të tjera të papunësisë, të cilat kërkojnë reformimin dhe modernizimin e sistemit arsimor në të gjitha nivelet e tij, si dhe ndërtimin e një sistemi të përhershëm të trajnimeve dhe ritrajnimeve për të arritur fleksibilitetin dhe mobilitetin e fuqisë punëtore.