Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 7 Mësimi 1: Puna si faktor kryesor i procesit të prodhimit

Hyrje në Ekonomi Tematika 7 Mësimi 1

TEMATIKA 7 TREGJET E FAKTORËVE TË PRODHIMIT

Puna si faktor kryesor i procesit të prodhimit

Kërkesa dhe oferta për punë
Nga pikëpamja ekonomike, faktorët e prodhimit janë mjete që përdoren nga sipërmarrjet për prodhimin dhe tregtimin në tregje të mallrave dhe shërbimeve. Qëllimi final i tyre është plotësimi i nevojave të individëve dhe shoqërisë, rrija e mirëqenies së tyre. Prodhimi përbën aktivitetin ekonomik kryesor, në bazë të të cilit bëhet i mundur krijimi i të mirave materiale dhe shërbimeve. Për të realizuar prodhimin, sipërmarrja duhet të përdorë faktorët e prodhimit, të cilët mund të grupohen në tre kategori specifike:
1. Punë
2. Kapital fizik
3. Kapital financiar

Në ekonomi, faktori punë përkufizohet si tërësia e kapaciteteve fizike dhe intelektuale të njerëzve të angazhuar për krijimin e të mirave materiale dhe shërbimeve, me qëllim plotësimin e nevojave të tyre. Tregu është vendi i takimit ndërmjet kërkesës dhe ofertës, midis sipërmarrjeve dhe punonjësve. Tregu është po ashtu vendi ku fiksohet madhësia e pagës së punonjësve. Në kuadrin e popullsisë totale, “popullsi aktive” quhet tërësia e personave që janë në punë ose kërkojnë në mënyrë aktive që të punësohen. Në këtë kategori nuk bëjnë pjesë fëmijët, nxënësit dhe pensionistët. Burimi kryesor i punës është “popullsia aktive”. Nga këndvështrimi i faktorit punë, popullsinë totale të një vendi mund ta ndajmë në dy kategori: popullsia aktive, d.m.th pjesa e popullsisë që ofron punë, ku bëjnë pjesë personat që kanë një punë dhe të papunët që ofrojnë forcën e tyre të punës në kërkim të një vendi pune; dhe popullsia inaktive, d.m.th pjesa e popullsisë që nuk ofron punë, grup ku bëjnë pjesë fëmijët, nxënësit, studentët, pensionistët dhe shtëpiakët/et etj. Për të analizuar “faktorin punë” është e nevojshme matja e tij, e cila realizohet në dy nivele: niveli sasior dhe niveli cilësor.

1. Oferta sasiore e punës dhe matja e saj
Sasia e fuqisë punëtore disponibël në një vend të dhënë, e cila është në dispozicion të sipërmarrjes, varet nga një seri faktorësh, ndër të cilët dy prej tyre konsiderohen si më të rëndësishëm:
a. Faktorët demografikë – Madhësia e fuqisë punëtore varet nga numri i përgjithshëm i popullsisë së një vendi; nga përqindja e popullsisë në moshë pune, kryesisht grup-mosha 15-64 vjeç; nga niveli i rritjes apo zvogëlimit të popullsisë së një vendi që lidhet kryesisht me nivelin e fertilitetit; nga lëvizjet e popullsisë dhe efektet e faktorit “emigracion”, i cili shkakton deformime në pemën demografike të çdo vendi (largime të popullsisë aktive në emigracion në vende të tjera, apo në raste të veçanta dhe shtim të kësaj popullsie si efekt i ardhjes së emigrantëve nga vende të tjera); nga raportet ndërmjet meshkujve dhe femrave dhe specifikat e punësimit të tyre etj. Pema demografike e Shqipërisë për vitet 2011 dhe 2018, sipas INSTAT, dëshmon qartë se vendi ynë, përveç zvogëlimit të përgjithshëm të numrit të popullsisë, po ndeshet edhe me ndryshime të rëndësishme strukturore në lidhje me fuqinë e punës disponibël: ka një zvogëlim të ndjeshëm të grupmoshës 16-25 vjeç dhe 35-55 vjeç. Këto ndryshime strukturore ndikojnë direkt në uljen e madhësisë dhe disponibilitetit të fuqisë punëtore në Shqipëri.
b. Kohëzgjatja e punës – Sasia e punës varet ndjeshëm edhe nga kohëzgjatja e punës, e cila matet në disa nivele: orët ditore, javore, mujore apo vjetore të punës që realizon çdo punonjës. Ajo varion shumë në përputhje me sektorët e ekonomisë dhe tipat e aktiviteteve të ushtruara si dhe bazës ligjore.

2. Oferta cilësore e punës dhe matja e saj
– Bëhet nëpërmjet vlerësimit të efektivitetit të fuqisë
punëtore në sipërmarrje të ndryshme. Efektiviteti i punës varet nga një seri faktorësh, ku si ndër më të rëndësishmit mund të theksohen:
a. Kualifikimi i fuqisë punëtore – Niveli i shkollimit (diplomë e shkollës 9-vjeçare, të mesme, të lartë; kurset dhe formimi profesional; vitet e punës dhe eksperienca në punë etj.).
b. Mosha dhe gjendja shëndetësore – Moshat e larta afër pensionit dhe personat me gjendje shëndetësore joperformante vlerësohet se nuk ofrojnë efektivitetin maksimal në raport me moshat më të reja dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
c. Gjinia – Për një kohë të gjatë kanë ekzistuar dallime të dukshme ndërmjet nivelit të kualifikimit profesional midis meshkujve dhe femrave, megjithëse kohët e fundit ky hendek po zhduket; nga ana tjetër, femrat, si pasojë e lindjeve apo kujdesit për fëmijët janë më të prira të mos ofrojnë maksimumin e eficiencës në sipërmarrje të ndryshme.
d. Organizimi i punës dhe niveli teknik e teknologjik i sipërmarrjeve – Modele të ndryshme të organizimit të punës ofrojnë më pak apo më shumë mundësi që punonjësit të japin maksimumin e eficiencës së tyre në punë.
e. Pagat dhe niveli i motivimit të punonjësve – Nëse në një sipërmarrje niveli i pagave është i kënaqshëm dhe sistemi i motivimit në të gjithë aspektet e tij funksionon si duhet, niveli i eficiencës së punonjësve ka tendencë të rritet dhe të jetë sa më i lartë.

Cilësia dhe produktiviteti i punës matet në disa nivele: individual, grup punonjësish, sipërmarrje e veçantë, grup sipërmarrjesh sipas sektorëve të aktivitetit, nivel nacional e ndërkombëtar. Produktiviteti i punës matet si raport ndërmjet sasisë së faktorit punë dhe sasisë së produkteve të realizuara.

Tregu i punës dhe ekuilibri i tij
Në ekonomi, në analogji me tregjet e mallrave dhe shërbimeve, tregu i punës nënkupton vendin ku ndërthuret kërkesa me ofertën e punës. Oferta e punës përbëhet nga numri i individëve të punësuar dhe atyre që janë në kërkim aktiv të një punësimi fizik apo intelektual.

Oferta e punës varet nga disa faktorë kryesorë: niveli i pagave, i cili e bën punën më shumë apo më pak tërheqëse dhe, për pasojë, ndikon në shtimin apo frenimin e kërkesës për punë; preferencat individuale të ofruesve të punës për vende pune dhe sektorë të caktuar të ekonomisë; madhësia dhe dendësia e popullsisë së një vendi; përqindja e popullsisë aktive në raport me popullsinë në total.

Kërkesa e punës shprehet dhe materializohet në nevojat e sipërmarrjeve për punë në kuadrin e përgjithshëm të harmonizimit të faktorëve të prodhimit, kryesisht raporteve ndërmjet punës dhe kapitalit. Kërkesa për punë varet nga tre faktorë të rëndësishëm:
1. Kosto e punës
2. Produktiviteti i punës
3. Struktura e kapitalit të sipërmarrjeve (ndërmarrjet që preferojnë nivel të lartë teknologjik kanë kërkesa gjithnjë e më të ulëta për fuqi punëtore shtesë)

Një ekuilibër i përgjithshëm i tregut të punës është pasqyruar në grafikët e mëposhtëm. Në rastin (a), oferta e punës (Ls) ka një lidhje pozitive me pagën: sa më e lartë paga, aq më shumë njerëz do duan të punojnë, ndërsa kërkesa e punës ka një lidhje negative me pagën: sa më e lartë paga, aq më pak njerëz do duan të punësojnë firmat. Ekuilibri arrihet atje ku kërkesa dhe oferta priten me njëra-tjetrën, pra në pikën E* me një nivel L* të të punësuarve dhe me një pagë ekuilibër W*. Në rastin (b) është marrë një rast shumë i përdorur në ekonomi për tregun e punës. Rasti kur oferta e punës është e fiksuar (inelastike), duke supozuar se forca e punës së një vendi është fikse në një periudhë të caktuar kohore dhe që njerëzit do të pranonin të punonin me çdo nivel të pagës, ndërsa kërkesa për punë është marrë me pjerrësi rënëse, duke treguar një lidhje të zhdrejtë mes pagës (W) dhe numrit të të punësuarve. Pika E* tregon pikën ekuilibër të tregut të punës.

Figura Ekonomia Tematika 7 Mesimi 1.1

Në realitetin e përditshëm ekziston një numër i konsiderueshëm “tregjesh pune specifikë” apo “segmente” të tregut të përgjithshëm të punës, të cilët janë në funksion të specifikave të degëve dhe sektorëve të ekonomisë, nivelit të kualifikimit të domosdoshëm, veçorive teknike e teknologjike të proceseve të caktuara të prodhimit, llojet e kontratave të punës etj. Një element i rëndësishëm i tregut të punës është dhe “procedura e fiksimit të pagave të punës”, e cila përfaqëson kompensimin financiar që sipërmarrja paguan në këmbim të punës së ofruar nga punonjësi. Në ekonomi, flitet shpesh për “çmimin e punës” që, teorikisht, përcaktohet nga ndërthurja e kërkesës dhe ofertës së punës në tregjet e punës, megjithëse në çmimin e punës ndikojnë direkt apo indirekt dhe një sërë faktorësh të tjerë ekonomikë e socialë.
Në vija të përgjithshme, madhësia e pagës përcaktohet nga 4 elemente kryesore:
a. negociatat individuale ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit;
b. negociatat kolektive ndërmjet sindikatave të punonjësve dhe përfaqësuesve të pronarëve;
c. niveli i pagës minimale të përcaktuar nga shteti;
d. niveli i zhvillimit ekonomik dhe kosto e jetesës në një vend të caktuar.

Në rastet kur paga është e përcaktuar mbi pagën ekuilibër, atëherë në ekonomi krijohet papunësi. Një rast i tillë është pasqyruar në grafikun e mëposhtëm, ku për shkak të pagës së tregut (W0) më të lartë se paga ekuilibër në ekonomi janë punësuar L0 punonjës, si rrjedhim L* – L0 kanë dalë të papunë që e shënojmë me U.

Një faktor përcaktues në tregun e punës është edhe produktiviteti i punës, me të cilin janë të lidhur dy tregues shumë të rëndësishëm, ai i prodhimit mesatar të punës dhe prodhimit marxhinal të punës. Prodhimin mesatar të punës ose për punonjës e shënojmë me APL dhe e llogarisim si:

Figura Ekonomia Tematika 7 Mesimi 1.2

Figura Ekonomia Tematika 7 Mesimi 1.3

Prodhimi mesatar për punonjës fillimisht vjen duke u rritur me shtimin e numrit të punonjësve dhe më pas vjen duke rënë. Prodhimin marxhinal të punës e shënojmë me MPL dhe e llogarisim si:

Figura Ekonomia Tematika 7 Mesimi 1.4

Grafikisht këto dy tregues paraqiten në figurën e mëposhtme, ku mund të vini re që MPL pret APL në nivelin maksimal të vetin.

Figura Ekonomia Tematika 7 Mesimi 1.5

Për “ekonomistët neoklasikë”, puna konsiderohet si një “mall standard” që ndjek rigorozisht rregullat e kërkesës dhe ofertës, duke u rregulluar në treg në funksion të sasisë dhe çmimeve të saj. Tregu përcakton sasinë e nevojshme të punës dhe çmimin e saj, me përjashtim të rasteve kur pagat përcaktohen dhe kontrollohen nga shteti. Sipas këtij konceptimi, tregu i punës gjendet shumë rrallë në ekuilibër, d.m.th garanton përputhje të plotë ndërmjet kërkesës dhe ofertës për punë. Për pasojë, ekziston fenomeni i papunësisë për një kategori të dhënë punonjësish. Ndërsa për “ekonomistët kejnsianistë” nuk ekziston asnjë mekanizëm rregullues i tregut të punës dhe për pasojë, në kuptimin teorik të fenomenit, edhe vetë tregu i punës nuk ekziston si i tillë. Sipas tyre, ekziston vetëm një ndërlidhje me natyrë mekanike ndërmjet uljes apo ngritjes së pagave me uljen dhe ngritjen e kërkesës për konsum dhe për punë.