Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 11 Mësimi 1: Stabiliteti dhe politikat ekonomike

Hyrje në Ekonomi Tematika 11 Mësimi 1

TEMATIKA 11 STABILITETI EKONOMIK DHE POLITIKAT MAKROEKONOMIKE

Stabiliteti dhe politikat ekonomike

Stabiliteti ekonomik
Stabiliteti ekonomik nënkupton që duhet të përdorim burimet njerëzore dhe materiale në mënyrë optimale për të krijuar vlera të qëndrueshme afatgjata, pra të ruajmë sot burimet e fundme natyrore në mënyrë që brezat e ardhshëm të mund të plotësojnë nevojat e tyre. Një vend synon stabilitetin ekonomik nëpërmjet politikave të përbashkëta monetare dhe fiskale.

Mjetet e politikës fiskale
Politika fiskale është mjeti me të cilin qeveria rregullon nivelet e shpenzimeve dhe normat e taksave për të monitoruar dhe ndikuar mbi ekonominë kombëtare. Politika fiskale nëpërmjet nivelit dhe strukturës së taksave dhe nivelit strukturës së shpenzimeve buxhetore ndikon në fazat e ndryshme të cikleve ekonomike. Ndërsa banka qendrore, nëpërmjet instrumenteve të politikës monetare, ndikon në tregun e parasë dhe koston e saj. Harmonizimi i tyre lehtëson rritjen e punësimit, arritjen dhe mbajtjen e nivelit të çmimeve dhe ruajtjen e stabilitetit të financave publike. Politika fiskale përfshin përdorimin e taksave dhe shpenzimeve publike në funksion të rritjes ekonomike, punësimit, stabilitetit të financave publike dhe nivelit të inflacionit objektiv të Bankës së Shqipërisë. Politika fiskale vepron gjatë fazave të ndryshme të cikleve ekonomike. Ajo realizohet nëpërmjet taksave, shpenzimeve dhe kombinimit të tyre.

Politika fiskale synon të arrijë objektivat e saj nëpërmjet tre funksioneve kryesore:
1. Funksioni shpërndarës i burimeve të financimit lidhur me shërbimet kryesore publike.
2. Funksioni rishpërndarës, i cili realizohet nëpërmjet sistemit të taksimit, duke synuar që pa dëmtuar interesin për punë dhe investim nëpërmjet harmonizmit të barrës së tatimit të punës, kapitalit dhe konsumit, të financojë transferta buxhetore për politikat e kohezionit social.
3. Funksioni rregullator, përdorimi efektiv i politikave fiskale sipas fazave të gjendjes ekonomike, në shërbim të objektivave makroekonomike të qeverisë.

Ndikimi i politikës fiskale aplikohet në varësi nga fazat e ciklit ekonomik në të cilin ndodhet ekonomia. Kur ekonomia është në fazat e rënies ose recesionit, politikat fiskale të harmonizuara edhe me politikat monetare kanë karakter lehtësues. Ato synojnë fillimisht të ndalin trendin rënës të ekonomisë drejt një recesioni dhe në dinamikë të lehtësojnë gjallërimin ekonomik drejt rritjes. Rënia e të ardhurave nga taksat, rritja e shpenzimeve sociale dhe multiplikatori investimeve publike ushqejnë më mirë kërkesën tërësore, nxisin rritjen e prodhimit dhe lehtësojnë ngritjen e ekonomisë. Në situatat e rritjes dhe ekspansionit të ekonomisë, i cili karakterizohet nga ritme të larta të rritjes ekonomike, rritje të punësimit deri në nivelet natyrore të papunësisë dhe rritjes së inflacionit, përballë rrezikut se këto ritme rritje mund të krijojnë fenomenin e “tejnxehjes” së ekonomisë, kërkohen politika shtrënguese monetare dhe fiskale. Kjo del e domosdoshme, pasi në kushtet e mungesës së burimeve natyrore të rritjes, duke filluar me rritjen e kostos së punës, mund të dëmtohet aftësia konkurruese dhe ekonomia të fillojë fazën e rënies.

Instrumentet e politikës monetare
Banka e Shqipërisë, për arritjen e objektivit të saj final, përcakton instrumentet e politikës monetare, me anë të të cilave duhet të ndërhyjë në tregun e parasë. Këtu përfshihen:
1. operacionet
e tregut të hapur, 2. lehtësitë e përhershme dhe 3. instrumentet mbështetëse.

1. Operacionet e tregut të hapur
– Operacionet e tregut të hapur përfaqësojnë blerjen apo shitjen
në treg të letrave me vlerë nga ana e Bankës së Shqipërisë. Ato luajnë rolin kryesor në transmetimin e politikës monetare në sistemin bankar. Qëllimi i përdorimit të operacioneve të tregut të hapur është administrimi afatshkurtër i likuiditetit të sistemit bankar, me synim stabilizimin e normave të interesit të tregut.
Operacionet e tregut të hapur janë ekskluzivitet i Bankës së Shqipërisë, e cila vendos llojin e instrumentit që do të përdorë, si dhe kushtet përkatëse lidhur me ekzekutimin e tyre.

• Marrëveshjet e riblerjes (REPO). Marrëveshjet e riblerjes janë operacione të tregut të hapur me anë të të cilave Banka e Shqipërisë shet letra me vlerë, duke marrë përsipër t’i blejë ato sipas kushteve të rëna dakord paraprakisht me një bankë të nivelit të dytë, me qëllim zvogëlimin e përkohshëm të likuiditetit në sistemin bankar.

• Operacioni kryesor i tregut. Operacioni kryesor i tregut realizohet nëpërmjet marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjes me maturim shtatë ditë që është instrumenti kryesor i Bankës së Shqipërisë për zbatimin e politikës monetare. Qëllimi i përdorimit të saj është administrimin afatshkurtër të likuiditetit të sistemit bankar, me synim stabilizimin e normave të interesit të tregut. Përcaktimi i normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me maturim njëjavor përcakton qëndrimin e politikës monetare.

• Operacionet rregulluese. Maturimi i marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjes njëditore është një ditë; i marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjes njëmujore është 28 (njëzet e tetë) ditë dhe i marrëveshjes (të anasjelltë) të riblerjes tremujore është 91 (nëntë dhjetë e një) ditë.

• Operacionet strukturore. Instrumenti që përdoret për kryerjen e operacioneve strukturore të tregut të hapur janë shitblerjet me të drejta të plota. Qëllimi i përdorimit të këtyre operacioneve është rregullimi i strukturës së likuiditetit të sistemit bankar.

• Transaksionet e shitblerjeve me të drejta të plota. Transaksionet e shitblerjeve me të drejta të plota janë shitjet ose blerjet me të drejta të plota të letrave me vlerë. Këto operacione kanë efekt të përhershëm në tregun e parasë dhe nuk janë transaksione të kthyeshme. Përdoren vetëm si operacione me qëllim rregullimin e strukturës së tregut.

2. Lehtësitë e Përhershme. Lehtësitë e përhershme përfaqësojnë instrumente në dispozicion të bankave të nivelit të dytë për investimin e likuiditetit të tepërt ose huamarrjen e likuiditetit me afat kohor njëditor.
• Bankat përdorin instrumentin e depozitës njëditore për të investuar likuiditetin e tyre të tepërt në Bankën e Shqipërisë me afat kohor njëditor. Në kushte normale, nuk ka kufij në shumën e depozitës njëditore apo kufizime për bankat që të përdorin këtë lehtësi.
• Bankat përdorin instrumentin e kredisë njëditore për të marrë likuiditet nga Banka e Shqipërisë, kundrejt kolateralit me afat kohor njëditor. Në kushte normale, nuk ka kufij në shumën e kredisë njëditore apo kufizime për bankat që të përdorin këtë lehtësi, me përjashtim të kërkesës për vendosjen e kolateraleve të mjaftueshme.

3. Instrumentet mbështetëse – Kredia lombard është instrumenti i fundit kreditues i Bankës së Shqipërisë që iu akordohet bankave me mungesë likuiditeti, por financiarisht të qëndrueshme. Kjo kredi kundrejt kolateralit mund të akordohet deri në tre muaj. Politika monetare hartohet dhe implementohet nga banka qendrore, ndërsa vendimet për politikat fiskale merren nga qeveritë e vendeve përkatëse. Objektivi i përbashkët i politikave monetare dhe fiskale është të influencojnë në afatshkurtër performancën ekonomike të vendit të tyre. Politika monetare ka të bëjë me veprimet e një banke qendrore ose autoriteteve të tjera rregullatore që përcaktojnë madhësinë dhe normën e rritjes së ofertës monetare. Në përgjithësi, ekzistojnë dy lloje të politikës monetare, ekspansioniste dhe kontraktuese. Banka e Shqipërisë është autoriteti monetar i Republikës së Shqipërisë. Ligji e ngarkon Bankën e Shqipërisë me detyrën e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve në vend, si dhe i njeh asaj të drejtën ekskluzive të hartimit, të miratimit dhe të zbatimit të politikës monetare. Politika monetare përfshin një bashkësi parimesh, masash dhe instrumentesh, nëpërmjet të cilave banka qendrore ndërhyn në tregjet financiare dhe në ekonomi, duke synuar të përmbushë objektivin e saj të stabilitetit të çmimeve. (Referenca Banka e Shqipërisë – botimi ose ligji). Në këtë rast, banka qendore, e cila ka si objektiv të saj arritjen dhe mbajtjen e inflacionit në një nivel të caktuar, tenton të influencojë pozitivisht rritjen ekonomike duke rritur ofertën e parasë në ekonomi. Rritja e ofertës së parasë ul koston e saj në ekonomi. Ulja e kostos së parasë influencon pozitivisht në rritjen e konsumit dhe investimit individual të biznesit, duke ndalur rënien e mëtejshme të rritjes ekonomike dhe lehtësuar rigjallërimin e saj.

Efektet e politikës fiskale dhe monetare
Politikat fiskale, nëpërmjet instrumenteve dhe kostove të finacimit të deficitit dhe borxhit publik, mund të ndikojnë kërkesën tërësore dhe ofertën tërësore në ekonomi. Deficiti buxhetor rezulton kur të ardhurat e shtetit janë më të vogla se shpenzimet e tij, pra, bilanci buxhetor është negativ. Përdorimi i instrumenteve të duhur fiskalë në Shqipëri ka patur si qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, reduktimin e varfërisë dhe krijimin e kushteve favorizuese për një rritje ekonomike joinflacioniste, si dhe arritjen e konsolidimit fiskal nëpërmjet zvogëlimit të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.

Politika monetare shtrënguese vepron duke e zvogëluar ofertën monetare. Zvogëlimi i ofertës monetare rrit koston e parasë, rritja e kostos së parasë shtrenjtëson kreditimin e individëve dhe biznesit, ul kredimarrjen, e cila konkretizohet në uljen e kërkesës tërësore.

Kur politika fiskale bëhet shtrënguese taksat rriten dhe shpenzimet buxhetore ulen, efekti pasqyrohet në rënien e të ardhurave të disponueshme, çka ndikon në uljen e kërkesës tërësore. Politika fiskale shtrënguese ndihet edhe në anën e shpenzimeve, pasi për shkak të rritjes së kostos së parasë dhe rënies së rritjes ekonomike, zvogëlohet efekti i buxhetit në kërkesën tërësore dhe rritjen ekonomike.

Politikat monetare dhe fiskale mund të ndikojnë vetëm për periudha afatshkurtra. Në këtë aspekt, është e domsodoshme që ndërhyrjet nëpërmjet politikave monetare dhe fiskale të jenë të mirëstudiuara, të kenë objektiva të qarta makroekonomike dhe të transmetohen sa më mirë në zhvillimet mikroekonomike. Përcjellja e politikave monetare e fiskale në ekonominë reale dhe atë financiare, ndryshon nga njëri vend në tjetrin dhe bazohet në shkallën e zhvillimit dhe modernizimit të ndërmjetësve financiarë.

Instrumentet e politikës monetare kundër politikës fiskale
Politikat monetare veprojnë në tregun e parasë, duke lehtësuar arritjen dhe mbajtjen e inflacionit brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Politikat fiskale veprojnë në të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, me objektiv lehtësimin e rritjes ekonomike dhe garantimin e stabilitetit të financave publike.

Një element i rëndësishëm i politikave fiskale është edhe lehtësimi i taksave, tarifave apo elementeve të tjerë të kostos së kapitalit, punës dhe konsumit. Politika fiskale ndërvepron me fazat e ndryshme të cikleve ekonomike me anë të taksave, shpenzimeve dhe investimeve publike.

Ndikimi i saj konkretizohet në dinamikën e deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Një nga objektivat e rëndësishme të politikave fiskale është stabiliteti i financave publike, çka nënkupton që rritja ekonomike, rritja e punësimit, mbajtja nën kontroll e inflacionit duhet të realizohen në kushtet e një deficiti buxhetor dhe borxhi publik të menaxhueshëm. Akoma nuk ka disa nivele teorike të treguesve të inflacionit, deficitit buxhetor dhe borxhit publik të pranuara si tregues orientues për ekonomitë e vendeve të ndryshme. Vetëm në rastin e Bashkimit Europian, për të lehtësuar mirëfunksionimin harmonik të këtij bashkimi ekonomik, u rekomandua që, në bazë të kritereve të Mastrihtit, vendet e saj anëtare duhet të kenë një inflacion 3%, deficiti buxhetor 3 % të PBB-së dhe borxh publik 60% të PBB-së.