Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 10 Mësimi 5: Papunësia

Hyrje në Ekonomi Tematika 10 Mësimi 5

Papunësia

Papunësia dhe llojet e papunësisë
Në përgjithësi, pjesa më e madhe e njerëzve e kuptojnë papunësinë thjesht si “individë të cilët nuk kanë punë”. Megjithatë, koncepti i papunësisë është shumë më kompleks se ai i përmendur më lart. Në përgjithësi, komuniteti ndërkombëtar e përcakton papunësinë sipas rezolutës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës të vitit 1982. Një person mund të quhet si “i papunë”, nëse ai/ajo është:
– “i/e pa punë”, që do të thotë se ai/ajo nuk është i punësuar apo i vetëpunësuar që paguhet;
– “aktualisht i/e gatshëm/gatshme për punë”, që do të thotë se ai/ajo ishte i/e gatshëm/gatshme për t’u punësuar ose për t’u vetëpunësuar gjatë periudhës së referencës;
– “në kërkim të një pune”, që do të thotë se ai/ajo ka ndërmarrë hapa specifikë gjatë kohëve të fundit për t’u punësuar apo vetëpunësuar.

Papunësia vjen nga shkaqe të ndryshme.
Në përgjithësi papunësia mund të manifestohet në disa lloje si: e fërkimit, ciklike, vullnetare, strukturore, institucionale dhe sezonale.

1. Papunësia e fërkimit ose friksionale. Papunësia e fërkimit (friksionale) i referohet periudhës së tranzicionit midis lënies së një pune dhe kërkimit të një tjetre. Njerëzit konsiderohen të papunë, gjatë periudhës që po përpiqen të gjejnë një punë të re.

2. Papunësia ciklike. Papunësia ciklike ndodh gjatë recesioneve të ciklit ekonomik. Në të vërtetë, nuk është për t’u habitur që gjatë recesioneve ekonomike, bie kërkesa për të mira dhe shërbime. Punëdhënësit mund të përgjigjen duke reduktuar vendet e punës. Kur oferta për punë është më e madhe se kërkesa, rezultati është papunësi. Megjithatë, besohet se një papunësi e tillë do të zhduket me rimëkëmbjen e ekonomisë.

3. Papunësia vullnetare. Sipas këndvështrimit të ekonomistëve, njerëzit kanë tendencë të marrin pjesë në fuqinë punëtore. Papunësia zakonisht konsiderohet si e pavullnetshme. Megjithatë, ka skenarë ku njerëzit zgjedhin të mos punojnë. Papunësia vullnetare përshkruan një fenomen të tillë. Kjo ndodh kur njerëzit nuk janë në gjendje të gjejnë punë që përputhet me pritshmëritë e tyre.

4. Papunësia strukturore. Papunësia strukturore ndodh kur aftësitë, përvoja dhe arsimimi i punëtorëve nuk përputhen me vendet e punës, ose ndryshe nuk përputhet oferta me kërkesën për punë. Papunësia strukturore është një formë e papunësisë së fërkimit, por zakonisht zgjat më shumë. Ajo mund të inkurajojë papunësinë vullnetare.

5. Papunësia institucionale. Papunësia institucionale shpjegon se si ndërhyrja në tregun e punës mund të krijojë papunësi. Qeveria është nxitësi më i zakonshëm i papunësisë institucionale. Qeveritë mund të caktojnë taksa, të krijojnë dysheme të çmimeve ose kufijtë e çmimeve dhe, në mënyrë indirekte, të mbështesin faktorët e tjerë të papunësisë institucionale siç janë sindikatat e punës.

Treguesit e tregut të punës
Të punësuar – konsiderohen të gjithë personat që kanë kryer një punë qoftë dhe një orë kundrejt një page ose përfitimi gjatë periudhës së referencës. Gjithashtu të punësuar konsiderohen edhe personat që marrin pagë për trajnimin gjatë punës, që kanë munguar përkohësisht në punën e tyre gjatë javës së referencës për arsye shëndetësore, edukimi, etj si dhe personat të cilët punojnë në fermën e tyre të vogël, të cilët nuk shesin produktet e tyre, por prodhojnë vetëm për vetëkonsum.

Punëzënie e plotë – është në rastet kur të gjithë individët që duan të punojnë, gjejnë punë dhe ka vetëm papunësi friksionale.

Të papunë – konsiderohen personat që gjatë periudhës së referencës ishin pa punë, të disponueshëm për të punuar dhe duke kërkuar punë në mënyrë aktive.

Forca e Punës – përfshin personat e punësuar dhe të papunë.

Popullsia joekonomikisht aktive – përfshin të gjithë personat të cilët nuk janë klasifikuar si të punësuar ose të papunë (nxënës/studentë, shtëpiakë, në shërbim të detyrueshëm ushtarak, në pension, të paaftë, të papunë të dekurajuar).

Shkalla e punësimit – është raporti i të punësuarve 15-64 vjeç kundrejt popullsisë në moshë pune.

Shkalla e papunësisë – është raporti i të papunëve kundrejt forcës së punës.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës – është raporti i forcës së punës kundrejt popullsisë në moshë pune.

Kush përfiton dhe kush humbet nga papunësia?
Kush përfiton? – Punëdhënësit kanë tendencë të përfitojnë nga papunësia sepse numri i njerëzve që ofrojnë punë është më i madh se numri i vendeve të punës në dispozicion (kërkesa për punë). Konkurrenca për punë në një situatë të tillë i lejon punëdhënësit të paguajnë më pak, gjë që çon në fitime më të larta të kompanive. Ky quhet një treg i dobët pune. Papunësia e lartë gjithashtu do të thotë se punëdhënësit mund të jenë në gjendje të ulin shpenzimet duke ndërmarrë veprime të cilat i bëjnë pozicionet e punës më pak tërheqëse për punonjësit.
Kush humbet? – Si biznesi dhe industria humbasin kur papunësia e zgjatur zvogëlon kërkesën e konsumatorëve për prodhimet e tyre. Një punëdhënës mund të ulë pagat dhe të ulë shpenzimet në mënyra të tjera kur papunësia është e lartë. Por kur të gjithë ose shumica e punëdhënësve sillen në këtë mënyrë, punëtorët mund të paguhen shumë pak për të konsumuar ato që firmat prodhojnë, të cilat janë të dëmshme për punëdhënësit ose kolektivisht irracional. Punëtorët humbasin, sepse pa një punë ose të ardhura nuk mund të paguajnë qiranë ose hipotekën apo nuk mund të mbajnë veten ose familjet e tyre. Papunësia e zgjatur ka pasoja psikologjike si dhe ekonomike. Mund të ndikojë në psikologjinë e një individi dhe mund ta bëjë një person të ndihet i dekurajuar, i pasigurt për të ardhmen, më pak i sigurt, i dëshpëruar dhe kështu me radhë.