Hyrje në Ekonomi Tematika 10 Mësimi 6
Cikli i biznesit
Karakteristikat e ciklit të biznesit
Lëvizjet herë drejt rënies dhe herë drejt rritjes të treguesve ekonomikë kundrejt një prirjeje të përgjithshme (trendit) në rritjen ekonomike formojnë ciklet e biznesit. Aktiviteti ekonomik mund të përshpejtohet ose mund të ngadalësohet. Cikli ekonomik nënkupton periudha alternative të rritjes dhe rënies së prodhimit real. Në këtë rast, ka ndryshime në punësim, investime, fitime dhe variabla të tjerë. Në praktikë, fokusi është në luhatshmërinë e produktit real. Zhvillimi ekonomik i çdo vendi kalon nëpër katër fazat e cikleve ekonomike të biznesit që përfshijnë:
1. Pika më e lartë e ciklit (piku)
2. Faza e recensionit (rënies ekonomike)
3. Pika më e ulët e ciklit (minimumi)
4. Faza e ekspansionit (rritjes ekonomike)
Cikli i biznesit mund të ketë një trend rritës, në këtë rast flasim për ekspansion, ose trend rënës, kur flasim për një tkurrje. Në situatën kur prodhimi nuk bie, ose nuk rritet, pra ku kemi një ndryshim të barabartë me zero, kemi stagnacion (qëndrueshmëri). Faza e zgjerimit përfundon kur arrihet kulmi i rritjes së ciklit të biznesit, “piku”, ndërsa tkurrja kur arrihet kulmi i rënies, “minimumi”. Këto pika quhen “pikat e kthesës”. Një ilustrim të këtyre fazave paraqitet dhe në grafikun e mëposhtëm.
Megjithatë cikli i një biznesi mund të mos jetë gjithmonë i ndarë në katër faza, por ai mund të përfshijë dhe faza të tjera apo nënfaza të tjera.
Situata ku ekonomia është në fazën e ekspansionit, por rezultati i vërtetë është më poshtë potencialit të prodhimit, e quajmë rikuperim. Nëse jemi në fazën e zgjerimit, ku prodhimi real është më i madh se produkti i mundshëm, kemi të bëjmë me një bum.
Disa ekonomistë zgjedhin fjalën “krizë” në vend të fjalës tkurrje. Megjithatë, të tjerët e përdorin termin “krizë” në një rënie të ndjeshme në prodhimin real. Kur tkurrja zgjat më shumë se 6 muaj, kjo situatë quhet recesion. Recesioni veçanërisht i fortë dhe i gjatë i referohet depresionit, ndërsa një tkurrje e mprehtë i referohet rënies.
Diferenca midis prodhimit aktual dhe atij të mundshëm njihet si hendek. Ndryshimi i fazës përshkruhet në grafikun 8. Boshti x përfaqëson kohën (t) dhe boshti y përfaqëson prodhimin aktual (Ya) ose prodhimin potencial (Y*). Trendi është në rritje dhe është paraqitur si një vijë në rritje.
Pjesa më e rëndësishme në fazën e ciklit nuk është masa e ndryshimit në produkt (e madhe apo e vogël), por ndryshimi negativ ose pozitiv.
Një cikël biznesi përcaktohet si periudha gjatë së cilës ekonomia kryen lëvizje midis dy pikave të kthesës (p.sh. midis pikut dhe minimumit). Kohëzgjatja, në të cilën ekonomia kalon një lëvizje të tillë, i referohet periudhës së ciklit.
Gjatë rritjes dhe ekspansionit ekonomia dallohet nga ritme të larta të rritjes së saj, rritje të punësimit, ulje të varfërisë, rritje të kreditimit, rritje të konsumit dhe investimeve private e publike, rritje të çmimeve. Por ekonomia e një vendi kalon edhe në fazat e rënies dhe recesionit, të cilat karakterizohen nga rënia e ritmeve të rritjes ekonomike, rritja e papunësisë dhe varfërisë, përkeqësimi i kthimit të kredive dhe rritje e kredive joperformuese, rënie të çmimeve. Individët dhe biznesi reduktojnë apo spostojnë në kohë një pjesë të konsumit, shpenzimeve dhe investimeve të tyre.
Rënia ekonomike mund të ndikohet nga faktorë të brendshëm (endogjenë) dhe faktorë të jashtëm (ekzogjenë). Rritja e çmimeve për mallrat dhe shërbimet e importuara, ushqen një rritje të inflacionit, i njohur si “inflacion i importuar”. Rritja e inflacionit ul fuqinë blerëse, ndërsa çmimet e larta rrisin koston e mallrave dhe shërbimeve. Të dyja së bashku pasqyrohen në rënien e rritjes ekonomike, për shkak të rënies së fuqisë blerëse dhe për shkak të uljes së kapaciteteve prodhuese. Efekti negativ materializohet në rritjen e papunësisë, rritjen e varfërisë dhe rritjen e instabilitetit social dhe të qëndrueshmërisë së financave publike.
Rënia mund të vijë edhe nga faktorë të brendshëm, kryesisht nga rënia e aftësisë konkurruese, rritja e deficiteve tregtare, mungesa e investimeve të huaja direkte. Mbivendosja e ciklit të reformave me periudhat elektorale, dëmton stabilitetin ekonomik, sepse qeveritë tentojnë të bëhen “bujare” me politikat sociale, duke rritur pagat dhe pensionet. Kjo e bazon rritjen ekonomike te rritja e borxheve, fenomen që mund të prekë individët, biznesin dhe buxhetin e shtetit. Rritja ekonomike nëpërmjet rritjes së borxheve dëmton produktivitetin dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë dhe ushqen thellimin e rënies ekonomike drejt recesionit.
Në fazat e ciklit të biznesit, kur ekonomia është duke kaluar periudhën e rënies apo të recesionit, në periudhën kur konsumi dhe investimi individual dhe i biznesit janë tkurrur, për të rritur kërkesën tërësore në ekonomi, është e domosdoshme të ndërhyhet me politika monetare lehtësuese dhe me një politikë fiskale ekspansioniste.
Teoritë e cikleve të biznesit
Ekzistojnë shumë teori të ciklit të biznesit. Një përshkrim i shkurtër i disave prej tyre është në vijim.
1. Teoria keinsiane bazohet në luhatjet e kërkesës agregate nën ndikimin e luhatjeve të investimeve dhe shpenzimeve për konsum (punësimi përcaktohet nga kërkesa agregate në afat të shkurtër). Këto luhatje mund të shkaktohen nga pritjet pesimiste të bizneseve dhe familjeve, ose nga luhatjet në pasuri (p.sh. një rënie në çmimet e letrave me vlerë).
2. Teoria monetare shpjegon luhatjet e ekonomisë nëpërmjet ekspansionit apo reduktimit të sasë së parasë apo kreditimit.
3. Teoria psikologjike shpjegon ciklet e biznesit përmes pesimizmit dhe optimizmit të agjentëve ekonomikë.
4. Teoria teknologjike vendos në bazë të shpjegimit të cikleve të biznesit inovacionet e rëndësishme teknologjike.
5. Teoria e konsumit të pamjaftueshëm shpjegon gjithçka duke u nisur nga prirja për kursim, e cila bën që kursimet të jenë më të mëdha se investimet.
Të gjitha teoritë e cikleve të biznesit klasifikohen në dy grupe të mëdha:
− Teoria eksternale (të faktorëve të jashtëm).
− Teoria internale (të faktorëve të brendshëm).