Hyrje në Ekonomi Tematika 2 Mësimi 1
TEMATIKA 2 KËRKESA, OFERTA DHE ÇMIMI I TREGUT
Tregu
Çfarë është tregu?
Tregu është një grup blerësish dhe shitësish të një produkti apo shërbimi të caktuar. Kur themi tregu i telefonisë celulare, për shembull, u referohemi të gjithë kompanive që ofrojnë shërbimin e telefonisë celulare dhe të gjithë konsumatorëve që përdorin këtë lloj shërbimi. Tregjet marrin disa forma. Disa prej tyre janë shumë të rregulluar, siç është për shembull, tregu financiar. Përcaktimi i çmimeve bëhet kur shitësit dhe blerësit takohen në një vend e në një orë të caktuar dhe nga procesi i ankandit që zhvillohet, përcaktohet çmimi dhe realizohet transaksioni.
Për shembull, në një orë të ditës, bankat mblidhen në një “vend” – fjala “vend’ sot merr kuptimin e një platforme elektronike, digjitale – ku ballafaqohen bankat që kanë nevojë për para me bankat që kanë para të tepërta, që mund t’ju japin hua me interes bankave të tjera. Nga ballafaqimi i kërkesës për para me ofertën e parave, përcaktohet edhe çmimi i parasë, ose norma e interesit. Bursat e mallrave janë gjithashtu një ilustrim i tregjeve të rregulluara. Për shembull, vendosja e çmimeve të metaleve, si kromit, bakrit etj., çmimit të naftës, si dhe disa produkteve ushqimore (pambuku, leshi, sheqeri, orizi, soja etj.) realizohet nga ballafaqimet e kërkesës dhe ofertës në bursat e mallrave. Këto janë çmimet referuese me të cilat funksionojnë tregjet në të gjithë botën. Ndërsa, për shumicën e mallrave të përdorimit të përditshëm, tregjet janë të parregulluara. Për shembull, tregu i akulloreve. Prodhuesit dhe konsumatorët e akulloreve nuk takohen në ndonjë vend të caktuar për të përcaktuar çmimin e akullores. Ata janë të vendosur në të gjithë hapësirën dhe, pavarësisht se nuk takohen në ndonjë vend, përsëri ne kemi një treg të prodhuesve dhe të konsumatorëve të akulloreve. Për të përshkruar situatën kur kemi një mori prodhuesish të një produkti, ekonomistët përdorin termin treg konkurrencial. Tregu konkurrencial është në ato raste kur kemi një numër aq të madh blerësish dhe shitësish, sa asnjëri prej tyre nuk mund të ndikojë mbi çmimin e produktit. Në këto raste ne i referohemi me pohimin se tregjet janë në konkurrencë perfekte. Ky supozim është një supozim qendror në këtë tematikë dhe në të gjithë teorinë e ekonomisë. Pra, dy karakteristikat themelore të një tregu me konkurrencë perfekte janë se:
1. Produktet që ofrohen për shitje janë saktësisht të njëjtë.
2. Numri i shitësve dhe blerësve është mjaftueshmërisht i madh saqë asnjëri nuk mund të ushtrojë influencë mbi çmimin e produktit.
E kundërta e konkurrencës perfekte është monopoli. Në një treg monopol kemi vetëm një prodhues të produktit dhe shumë blerës. Për shembull, ne e blejmë energjinë elektrike vetëm nga një kompani, OSSHE. Ndërsa në rastin kur kemi shumë prodhues, por vetëm një blerës, kjo emërtohet nga ekonomistët (duke përdorur fjalët që na vijnë nga greqishtja), monopsoni. Po kështu, kur tregu i energjisë elektrike është i paliberalizuar, të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike nga hidrocentralet private mund t‘ia shesin energjinë vetëm një kompanie, kompanisë sonë publike, KESH. Në këtë rast themi se KESH ka një pozitë monopsonie në tregun e energjisë. Në përgjithësi, tregjet në shumicën e mallrave janë në konkurrencë perfekte. Ligjësitë e kërkesës dhe ofertës dhe përcaktimi i çmimit të tregut ndjekin logjikën që do të përshkruajmë në vijim.