Hyrje në Ekonomi Tematika 3 Mësimi 2
TEMATIKA 3 KONSUMATORI NË EKONOMINË E TREGUT
Pse duhet të kursejmë?
Arsyet më të zakonshme të kursimit
Njerëzit mund të kursejnë për arsye të ndryshme, por disa nga arsyet më të zakonshme do të rendisnim:
1. Për nevoja të përmirësimit të standardit të jetesës së familjes
Blerja e një shtëpie, rinovimi dhe mobilimi i saj, blerja e një police të sigurimit të shëndetit për të paguar shpenzimet shëndetësore, pagimi i tarifave të shkollimit të fëmijëve, kursimi për të krijuar më shumë pasuri që ta përdorni për investime, për të kryer pushimet e verës apo një udhëtim jashtë vendit etj. janë motive të rëndësishme që njeriu të mos i shpenzojë të gjitha të ardhurat nga puna për konsumin dhe shpenzimet e përditshme. Këto shpenzime të mëdha mund të mos përballohen nga kursimet që kemi bërë përgjatë viteve të punës. Prandaj mund të përdorim blerjet me kredi nga banka. Bankat nuk do t’ju financojnë 100% të çmimit të blerjes së mallit apo të sendit për të cilën kërkoni kredinë. Kursimi është sjellja ekonomike e kujdesshme për një familje dhe për një komb. Edhe kombet, ashtu si familjet, kanë mundësi të rrisin investimet në ekonomi dhe të përparojnë, krahas kombeve të zhvilluara, vetëm në sajë të kursimeve tona. Kursimet, të përdorura me kujdes dhe në mënyrë ekonomike nga bankat dhe institucionet financiare, bëjnë të mundur që një komb të përmirësojë teknologjinë, të kualifikojë fuqinë punëtore dhe të rrisë produktivitetin e punës. Sot është provuar, për shembull, se faktori kryesor i zhvillimit të lartë në ekonomitë e vendeve aziatike, që njihen si “tigrat e Azisë” (Hong Kongu, Singapori, Koreja e Jugut, Tajvani, Malajzia etj.), kanë qenë kursimet dhe investimet e larta që ato kanë kryer pas viteve 1970 e në vazhdim.
2. Për të ruajtur të ardhurat në raste të paparashikuara
Teksa ekonomia mund të përjetojë momente krizash që shoqërohen me rritje të papunësisë, kjo mund të bëjë që, përkohësisht, dhe ju të humbisni vendin e punës. Për pasojë, edhe të ardhurat që burojnë nga puna. Për këtë arsye, njerëzit kursejnë që të kenë mundësi të bëjnë një jetesë të përshtatshme edhe në periudha të tilla të vështira të tregut të punës.
3. Për moshën e pleqërisë
Në moshën kur aftësitë tona për punë shterojnë dhe është e pamundur të bëjmë një jetë ekonomike aktive, të ardhurat që garantohen nga fondi i pensioneve janë modeste. Për më tepër, shpenzimet për shërbime mjekësore dhe shëndetin në përgjithësi janë të larta. Këto shpenzime janë të kushtueshme dhe jo të gjitha mbulohen falas nga shërbimi shëndetësor publik. Për të ruajtur një nivel jetese sa më të mirë dhe komode edhe në këtë moshë, njerëzit duhet të kursejnë. Kursimet mund t’i vendosim në depozita bankare apo të investohen në fondet e pensioneve, të cilat mund t’i tërheqim dhe t’i shpenzojmë në moshën e pleqërisë.
4. Për të qenë më të pavarur në jetë
Të vendosësh mënjanë një shumë parash të kursyera, të krijon mundësi të jesh më i pavarur në jetë. Një nivel i caktuar i sigurisë ekonomike të krijon mundësi që të realizosh disa kënaqësi të munguara. Për shembull, të shkruash një libër, të ushtrosh një sport, të ndjekësh një pasion artistik apo të realizosh një kërkim shkencor etj. Ndjekja dhe zhvillimi i pasioneve të tilla që ndihmojnë në realizimin e vetvetes, kërkon që ju të keni mënjanë një shumë kursimesh të mjaftueshme në mënyrë që të mos cenohet standardi i jetesës suaj apo i familjes suaj. Kursimet janë rruga më e sigurt për një rritje mirëqenie të qëndrueshme.
Avantazhet dhe disavantazhet e përdorimit të kredisë
Një nga avantazhet e blerjes me kredi është se ajo ju mundëson të blini sende me një vlerë shumë të lartë dhe për të cilat do të duheshin shumë vite pune për të kursyer të ardhurat e nevojshme për t‘i blerë. Për shembull, blerja e një shtëpie, e një makine apo kryerja e studimeve në universitet, kushtojnë shumë. Shumica e individëve kanë të ardhura të pamjaftueshme për të realizuar blerje të tilla menjëherë. Marrja e një kredie afatgjatë, e cila mund të shlyhet për një afat 15 apo 20-vjeçar, ju mundëson të gëzoni sendin që blini dhe të kurseni mjaftueshëm, pa cenuar nivelin e jetesës suaj, për të shlyer kredinë e marrë. Por, nga ana tjetër, për një kredi që merrni, banka apo institucioni financiar vendosin një interes që duhet të paguhet. Shpeshherë, normat e interesit që vendosin bankat janë të luhatshme dhe që ju mund të mos jeni në gjendje të parashikoni me saktësi aftësinë tuaj për të shlyer kredinë. Për shembull, supozojmë se keni marrë një kredi 1 milion lekë me një afat 3 vjet, me një normë interesi vjetor prej 8%, të cilën do ta shlyeni çdo muaj. Pyetja është: sa do të paguani çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të kredisë? Formula e llogaritjes përfshin kthimin e normës vjetore në normë mujore: (norma vjetore e interesit/12 muaj) = 0.08/12 = 0.0066. Pagesa mujore do të jetë: 1,000,000 x 0.0066 = 6,600 lekë në muaj. Për tre vitet do të paguajmë interesa në shumën 6,600 lekë x 36 muaj = 240,000 lekë. Pra, nga 1 milion lekë që kemi marrë kredi, pas tre vitesh do t‘i kthejmë bankës shumën 1,24 milionë lekë.
Një tjetër problem që mund të ndeshet nga përdorimi i kredisë është fakti se marrja e saj kërkon vendosjen e një garancie pasurore në bankë. Për shembull, që të merrni një kredi për rinovimin e banesës, ju duhet të vendosni të gjithë banesën si garanci për shlyerjen e kredisë. Kjo mund të bëjë që, në rast se ju nuk do të jeni në gjendje ta shlyeni kredinë sipas kalendarit kohor që ka përcaktuar banka, ju mund të humbisni banesën, edhe pse ju mund të keni shlyer një pjesë të madhe të kredisë së marrë. Prandaj, përpara se të merrni një vendim për të financuar blerjen e diçkaje me kredi bankare, është e nevojshme të bëni një analizë të thjeshtë financiare të mundësive tuaja për të paguar. Për këtë do të shërbente hartimi i një buxheti personal, ose të familjes.
Buxheti personal
Buxheti personal ose i familjes është një plan financiar që shpërndan të ardhurat e pritshme gjatë vitit për konsum, kursime dhe shlyerjen e detyrimeve financiare. Qëllimi kryesor i hartimit të buxhetit personal është që të shmangen situatat e papritura financiare të familjes, qoftë për të shmangur detyrimet financiare të papërballueshme, ashtu edhe për të ruajtur nivelin e mirëqenies përballë situatave të paparashikueshme. Një mënyrë e thjeshtuar e hartimit të buxhetit mund të ilustrohet në një tabelë excel-i, ku ju shënoni të gjitha burimet e të ardhurave dhe të gjithë kategoritë e shpenzimeve që do të kryeni. Kategoritë më kryesore që përmban plani financiar personal janë paraqitur në tabelën 3.1.