Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 2 Mësimi 5: Elasticiteti

Hyrje në Ekonomi Tematika 2 Mësimi 5

TEMATIKA 2 KËRKESA, OFERTA DHE ÇMIMI I TREGUT

Elasticiteti

Elasticiteti i kërkesës lidhur me çmimin
Mendoni për një moment që, për një arsye të caktuar, çmimi i naftës do të dyfishohej. Si do të reagonin qytetarët që përdorin makinat e tyre për transport? Përgjigjja është e thjeshtë, nisur nga çfarë mësuam gjatë mësimit të mëparshëm: ata do të konsumonin më pak karburant. Ky është ligji i kërkesës. Por, ne duam të kemi një përgjigje më të saktë: sa do të pakësohej saktësisht konsumi i karburantit kur çmimi i tij do të dyfishohet? Kjo pyetje merr përgjigje duke përdorur konceptin e elasticitetit. Elasticiteti i kërkesës në raport me çmimin mat se, me sa njësi ndryshon sasia e kërkuar e një malli, kur çmimi i tij ndryshon me një njësi. Për shembull, kur çmimi i naftës rritet me 10%, studimet kanë gjetur se kërkesa për naftë bie me 2.5%. Kur kërkesa ndryshon ndjeshëm ndaj një ndryshimi të çmimit, atëherë themi se kërkesa është elastike. Ndërsa, kur kërkesa për një mall nuk ndryshon ose ndryshon shumë pak ndaj ndryshimit të çmimit, themi se kërkesa është joelastike. Për shembull, edhe sikur çmimi i bukës të dyfishohet, kërkesa për bukë nuk do të pësojë ndryshime.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në elasticitetin e kërkesës?

Disponueshmëria e zëvendësuesve të afërt të një malli
Për shembull, margarina është një zëvendësues i gjalpit; nëse çmimi i gjalpit do të rritej, atëherë konsumatorët do të blinin margarinë. Kjo bën që kërkesa për gjalpë të jetë elastike. Por kemi edhe raste, p.sh., meqenëse buka nuk ka ndonjë zëvendësues, kërkesa për bukë nuk do të ndryshonte, pavarësisht se çmimi i saj mund të rritet. Në këtë rast themi se kërkesa për bukë është joelastike.

Mallrat e domosdoshme kundrejt mallrave të luksit
Kërkesa për mallra të domosdoshme tenton të jetë joelastike. Për shembull, kërkesa për ujin e pijshëm është joelastike. Po kështu, në rast se mjeku i familjes e rrit tarifën e tij të vizitës, kjo nuk bën që ne të mos kryejmë vizitën kur kemi nevojë. Kurse kërkesa për bizhuteri, për shembull, do të ndikohej shumë nga ndryshimet e çmimeve. Në këtë rast, kërkesa për bizhuteri do të ishte elastike në raport me ndryshimin e çmimit. Një mall mund të konsiderohet si një mall luksi apo i domosdoshëm, jo nisur nga karakteristikat e brendshme të tij, por nga preferencat e blerësit.

Përkufizimi i tregut
Tregjet, që përkufizohen më ngushtë, tentojnë të kenë një elasticitet më të lartë të kërkesës. Për shembull, tregu i mallrave ushqimore shfaq një elasticitet të ulët të kërkesës ndaj ndryshimit të çmimit, sepse nuk gjenden zëvendësues të ushqimeve. Ndërsa kur flasim për tregun e akullores, kërkesa bëhet më elastike. Kur kufizohemi tek akullore me vanilje, kërkesa është shumë më elastike, pasi ka plot zëvendësues të akulloreve të ndryshme nga vanilja që mund të zëvendësojnë kërkesën për akullore me vanilje.

Horizonti kohor
Me kalimin e kohës, mallrat shfaqin një elasticitet më të lartë të kërkesës ndaj çmimit. Njerëzit kërkojnë alternativa të reja dhe ndërtojnë sjellje të reja për të shmangur rritjen e çmimit të mallrave. Për shembull, në reagim të rritjes së çmimit të karburantit, konsumatorët mund të blejnë makina me nivel të ulët konsumi, ose makina që furnizohen me energji diellore etj.

Llogaritja e elasticitetit të kërkesës
Elasticiteti i kërkesës ndaj ndryshimit të çmimit = përqindja e ndryshimit të sasisë së kërkuar / përqindja e ndryshimit të çmimit. Për shembull, nëse rritja e çmimit të naftës me 10% bën që kërkesa për naftë të bjerë me 12%, atëherë elasticiteti i kërkesës për naftë = 12/10 = 1.2. Ky koeficient mund të raportohet edhe si numër negativ, pasi rritja e çmimit çon në rënie të kërkesës. Le të kemi të dhënat që paraqiten në tabelën e kërkesës, si më poshtë.

Figura Ekonomia Tematika 2 Mesimi 5.1

Nga pika A në pikën B çmimi rritet me 50%, ndërsa sasia bie me 33%, që do të thotë se elasticiteti është 0.66. Ndërsa kalimi nga pika B në pikën A bën që çmimi të bjerë me 33%, ndërsa sasia e kërkuar rritet me 50%, që do të thotë se elasticiteti i kërkesës është 1.5. Kjo ndodh për shkak se përqindja e ndryshimit llogaritet nga një bazë e ndryshme. Për të shmangur këtë problem, ne përdorim metodën e pikës së mesit. Pika e mesit në rastin e mësipërm është: për çmimin: (10+15)/2 = 12.5, ndërsa sasia: (45+30)/2 = 47.5. Kur kalojmë nga pika A në pikën B, çmimi do të rritej me (10-15)/12.5 = 40% dhe po njësoj edhe kur kalojmë nga pika B në pikën A, çmimi bie me 40%: (15-10)/12.5 = 40%. Ndërsa sasia në rastin e parë bie me 31.5%, në rastin e dytë sasia rritet me 31.5%. Kjo bën që elasticiteti i kërkesës ndaj ndryshimit të çmimit të jetë i njëjtë me 0.78.

Figura Ekonomia Tematika 2 Mesimi 5.2

Nëpërmjet grafikëve të mëposhtëm, po ilustrojmë llojet e elasticiteteve të kërkesës.

Figura Ekonomia Tematika 2 Mesimi 5.3

Një nga arsyet se, përse ne e studiojmë elasticitetin e kërkesës së mallrave të kërkuara ndaj ndryshimit të çmimit, është për të matur efektin e tij tek të ardhurat e firmës nga shitjet. Totali i të ardhurave nga shitja është produkti i çmimit me sasinë e kërkuar në atë nivel çmimi. Nga grafiku është e kuptueshme se kjo do të ishte e barabartë me sipërfaqen që kufizohet nga kurba e kërkesës me nivelin e dhënë të çmimit. Për shembull, nëse me çmimin 5 lekë, sasia e kërkuar e akulloreve është 50 akullore, atëherë të ardhurat totale do të ishin: 5×50 = 250 lekë. Po si ndryshojnë të ardhurat me ndryshimin e çmimit? Kjo varet nga fakti se sa elastike është kërkesa ndaj ndryshimit të çmimit.