Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 8 Mësimi 5: Deficiti buxhetor dhe borxhi publik

Hyrje në Ekonomi Tematika 8 Mësimi 5

TEMATIKA 8 ROLI I QEVERISË NË EKONOMINË E TREGUT

Deficiti buxhetor dhe borxhi publik

Buxheti i shtetit
Buxheti dhe borxhi janë dy terma që i dëgjojmë rëndom edhe në jetën e përditshme. Shumë prej jush mund të kenë një shumë të hollash që familja jua jep çdo muaj për shpenzimet tuaja vetjake. Ky është buxheti juaj. Edhe ekonomia e një vendi është si ekonomia e një familje. Ajo na përket të gjithëve dhe menaxhohet nga shteti. Kur bëhet fjalë për buxhetin, në varësi të të ardhurave dhe shpenzimeve të kryera, dallojmë tri situata:

1. Buxhet i balancuar – Të ardhurat buxhetore janë të barabarta me shpenzimet buxhetore.
2. Suficit buxhetor – Të ardhurat buxhetore janë më të mëdha se shpenzimet buxhetore.
3. Deficit buxhetor – Të ardhurat buxhetore janë më të vogla se shpenzimet buxhetore.

Në rastin e një deficiti buxhetor, pra kur shpenzimet janë më të mëdha se të ardhurat, qeveria mund t’i mbulojë shpenzimet në dy mënyra. Mënyra e parë është t’i mbulojë këto shpenzime, duke marrë hua nëpërmjet bonove dhe obligacioneve të thesarit. Mënyra e dytë është duke emetuar para (shtypja e kartëmonedhave të reja). Por, emetimi i parave do të çonte në rritje të inflacionit. Mënyra ekonomikisht më e shëndetshme në këtë rast është të identifikohen burime të rritjes së të ardhurave pa rritur taksat dhe shkurtimi i shpenzimeve joefikase.

Borxhi publik është borxhi që një shtet apo qeveri ka ndaj publikut në një moment të dhënë. Pra, ndërkohë që deficiti buxhetor përfaqëson borxhin e çdo viti të dhënë, borxhi publik përfaqëson borxhin e grumbulluar ndër vite, të paraqitur në një moment të caktuar kohor. Rritja e borxhit publik pakëson burimet financiare të brezave të ardhshëm. Në rastet kur borxhi është rritur nga politika inproduktive, ai bëhet i rëndë për t’u paguar nga brezat e ardhshëm, sepse një pjesë e taksave të tyre do të shkojnë për të shlyer borxhet e mëparshme. Reduktimi i burimeve buxhetore i brezave të ardhshëm për të financuar prioritetet e tyre cenon stabilitetin e financave publike.

Prandaj borxhi konsiderohet i shëndetshëm kur investohet me efikasitet ose i keq kur vjen nga politika populiste që dëmtojnë produktivitetin dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë. Një formë e njohur e huamarrjes së qeverisë është nëpërmjet shitjes së letrave me vlerë qeveritare (bono dhe obligacione thesari).

Kutia 3:
Ankandet për bonot e thesarit me afat 3-mujor dhe 6-mujor organizohen një herë në muaj, ndërsa ato 12-mujore organizohen çdo dy javë. Shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje në ankandet e bonove të thesarit në lekë është 300.000 (treqind mijë), ndërsa për ankandet e bonove të thesarit në valutë është 2.000 (dy mijë) euro/USD. Obligacionet tregtohen me “parvalue”. Kjo do të thotë që çmimi i blerjes së tyre është i barabartë me 100% të vlerës nominale (vlerës së investuar). Interesi paguhet çdo 6 muaj dhe në datën e pagesës së interesit, aplikohet tatimi mbi interesin prej 15%. Ankandet për obligacionet: 2-vjeçare zhvillohen çdo muaj; 3-vjeçare zhvillohen në muajt janar, prill, korrik dhe tetor; 5-vjeçare zhvillohen në muajt shkurt, maj, gusht dhe nëntor; 7-vjeçare zhvillohen në muajt mars, qershor, shtator dhe dhjetor; 10-vjeçare zhvillohen në muajt janar, prill, korrik dhe tetor. Shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje në ankandet e obligacioneve në lekë është 500.000 (pesëqind mijë), ndërsa në ankandet e obligacioneve në valutë është 3.000 (tre mijë) Euro/USD.

Kur deficiti buxhetor dhe borxhi publik rriten, qeveritë kërkojnë më shumë para për të financuar shpenzimet buxhetore. Kur kërkesa për para rritet, kostoja e saj rritet, interesat rriten, financimi i ekonomisë bëhet më i shtrenjtë. Nëse trendi rritës i kostos së borxhit/ normave të interesit të shitjes së bonove të thesarit (Yield) dhe të obligacioneve nuk ndërpritet, vendet rrezikohen nga kriza e borxheve.

Këndvështrime të ndryshme mbi borxhin publik
Borxhet publike janë një realitet në financat publike të vendeve të varfra, në zhvillim dhe vendeve të zhvilluara. Madhësia e tij, efikasiteti i përdorimit dhe burimet e financimit kanë ngjallur debate të përhershme mes ekonomistëve e politikanëve. Disa ekonomistë mbështesin mendimin se një borxh publik i mirëmenaxhuar ndikon pozitivisht në ekonominë e një vendi. Të tjerë janë përkrahës të idesë që pasojat sociale të një borxhi publik të lartë janë më të mëdha se dobia e tij. Sipas ekspertëve të financave publike, borxhi publik duhet parë në raport me PBB-në e një shteti. Nuk ka një nivel borxhi të rekomandueshëm për shtete të veçanta. Por ka disa nivele orientuese dhe disa rregulla të arta të menaxhimit të borxhit publik. Nëse një shtet ka një borxh publik në nivel më të ulët ose të barabartë me 60% të PBB-së, ai nuk përbën shqetësim të menjëhershëm për stabilitetin e financave publike dhe nuk dëmton apo pengon rritjen ekonomike.

Në një cikël rënës të ekonomisë, qeveria mund të marrë hua, duke rritur kështu deficitin buxhetor dhe borxhin publik. Kjo politikë do të shihej pozitivisht, nëse qeveria do t’i përdorte këto fonde për të mbështetur dhe motivuar investimet nga sektori privat. Në këtë mënyrë, do të rritej niveli i prodhimit dhe do të ulej papunësia. Nëse u referohemi efekteve negative të një deficiti buxhetor të lartë, mund të përmendim faktin se, kur qeveria merr hua për të financuar deficitin dhe borxhin, ajo pakëson fondet që bizneset mund të përdorin për investime. Nëse deficiti buxhetor rritet, ai kërkon më shumë para të financohet, kjo nënkupton ulje të shpenzimeve dhe investimeve private.

Ekspertët argumentojnë se shpenzimet dhe investimet publike janë më pak produktive se ato private. Pra, kështu dëmtohet produktiviteti i ekonomisë që është faktori kryesor për rritjen ekonomike dhe stabilitetin e financave publike. Për të vazhduar, një deficit buxhetor i lartë, rrit rrezikshmërinë e qeverisë dhe, si pasojë, mund të rritet norma e interesit për huat e ardhshme. Nëse i referohemi Projekt Buxhetit Afatmesëm të viteve 2015-2017, do të vëmë re që një pjesë e mirë e të ardhurave të shtetit shkojnë për të shlyer detyrimet e prapambetura. Këto të fundit nuk janë gjë tjetër veçse borxhe, të cilat qeveria u ka subjekteve private për punime të kryera (p.sh. në infrastrukturë, ndërtimin e një segmenti rrugor apo të një godine publike). Nëse qeveria zgjedh të emetojë para për financimin e borxhit, do të shkaktojë rritje të inflacionit dhe uljen e fuqisë blerëse në treg.

Si mund të pakësohet deficiti buxhetor?
Ndodh që deficitet buxhetore të një shteti arrijnë në nivele shqetësuese për ekonominë dhe duhet të merren masa për uljen e tyre. Përveçse të marrë hua duke përdorur letrat me vlerë, si obligacionet apo bonot e thesarit, apo të emetojë para në ekonomi, qeveria mund të zgjedhë ndërmjet disa alternativave të politikave fiskale: të rrisë të ardhurat nëpërmjet rritjes së taksave ndaj subjekteve ekonomike, të ulë shpenzimet, ose një kombinim i dy politikave të para. Deficiti ulet kur shpenzimet rriten me një ritëm më të ulët se të ardhurat. Për një qeveri është e vështirë të kontrollojë shpenzimet.

Shpenzimet qeveritare i ndajmë në dy kategori, të detyrueshme dhe të vetëdijshme. Shpenzimet e detyrueshme janë pensionet, asistenca sociale, kujdesi mjekësor etj. Qeveria nuk mund të bëjë shumë për t’i ulur këto shpenzime, por mund të vendosë politika që çdo shpenzim i ri duhet të mbulohet nga rritja e taksave ose nga ulja e një shpenzimi tjetër të detyruar. Një propozim është që qeveria të vendosë një nivel maksimal për shpenzimet e vetëdijshme për të mos lejuar që rritja e shpenzimeve të tejkalojë rritjen në të ardhura.

Një politikë tjetër është manipulimi i normave të interesit. Duke ulur normat e interesit, individët apo bizneset nxiten të marrin hua, pasi kostoja e shlyerjes së tyre ulet. Këto hua përdoren për të mira dhe shërbime, të cilat krijojnë vende pune dhe të ardhura nga taksat. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian e kanë ndjekur këtë metodë, e cila ka rezultuar relativisht e suksesshme.

Një mënyrë tjetër për të reduktuar deficitin buxhetor është hapja tregtare, pra reduktimi i barrierave tregtare me vendet e tjera. Arabia Saudite, për shembull, ka ulur deficitin e saj buxhetor nga 80% në 2003, në 10.2% në 2010 duke shitur lëndë djegëse.