Hyrje në Ekonomi Tematika 2 Mësimi 4
Ligji i kërkesës dhe i ofertës
Ekuilibri i tregut
Grafiku 2.3 tregon pikën e ndërprerjes së kërkesës dhe ofertës, që quhet pika e ekuilibrit të tregut. Pika që tregon çmimin quhet çmimi i ekuilibrit, ndërsa sasia respektive quhet sasia e ekuilibrit. Çmimi i ekuilibrit tregon sasinë e mallit që konsumatorët dëshirojnë dhe janë në gjendje të blejnë, si dhe sasinë e mallit që firmat janë në gjendje të prodhojnë dhe të ofrojnë në treg për shitje. Janë veprimet e blerësve dhe të shitësve ato që e sjellin tregun në ekuilibër. Për ta ilustruar këtë ide, të supozojmë se çmimi i tregut nuk është 600 lekë, por 500 lekë, siç tregohet në tabelën 2.3.
Në këtë nivel të çmimit, sasia e kërkuar është më e madhe se sasia e ofruar nga firmat. Pra, kemi një mungesë të mallrave të kërkuara në treg që ekonomistët i referohen si tepricë e kërkesës. Konsumatorët do të rrinin në radhë për të blerë një mall që është i kufizuar. Si do të reagonin firmat prodhuese në një rast të tillë? Ato mund të rrisin çmimin e mallit, pa humbur blerësit. Rritja e çmimit do të bëjë që kërkesa të bjerë, duke ju afruar çmimit të ekuilibrit. Po deri në çfarë niveli mund të rritet çmimi? Supozojmë se çmimi shkon në 700 lekë, lart nga 600 lekë që është çmimi ekuilibër. Në këtë rast, kemi një ofertë të tepërt dhe një rënie të numrit të blerësve, pra të kërkesës. Në atë nivel çmimi, më pak blerës janë në gjendje apo kanë mundësi ekonomike që të blejnë mallin, prandaj kërkesa bie. Si do të reagojnë firmat? Firmat duhet të ulin çmimet, në mënyrë që të shesin mallrat e tepërta që kanë prodhuar. Ulja do të vijojë derisa sasia e mallit të ofruar të barazohet me sasinë e mallit që kërkojnë blerësit. Kështu lëvizjet drejt çmimit të ekuilibrit të tregut. Sa shpejt tregu arrin në ekuilibër, varet nga fakti se sa shpejt përshtaten çmimet e tregut. Në tregjet e lira dhe konkurruese, tepricat e krijuara në treg janë të përkohshme dhe arritja e ekuilibrit realizohet brenda një kohe të shkurtër. Ky proces i përshtatjes së çmimeve drejt ekuilibrit njihet si ligji i kërkesës dhe ofertës.
Siç e nënvizuam dhe më lart, ekonomia është dinamike dhe, përgjatë kohës, faktorët që përcaktojnë kërkesën për mallra apo ofertën e mallrave ndryshojnë. Kështu ndodhin zhvendosje të kurbave të kërkesës dhe të ofertës, duke prodhuar një çmim të ri të ekuilibrit në treg. Le t‘i ilustrojmë me disa shembuj këto zhvendosje në treg.
Shembull i një zhvendosjeje të lakores së kërkesës
Supozojmë se, për shkak të një prej faktorëve që nënvizuam më sipër, si të ardhurat, shijet ose preferencat, pritshmëritë etj. kanë ndryshuar, duke bërë që kërkesa të rritet dhe kurba e kërkesës të zhvendoset paralelisht në të djathtë të kurbës fillestare. Kjo zhvendosje e kërkesës do të rezultojë në një çmim më të lartë të tregut dhe me një shtim të ofertës. Me një çmim të lartë, firmat kanë mundësi të ofrojnë më shumë mallra. Në këtë rast, kemi një ekuilibër të ri të tregut dhe një çmim të ri ekuilibër. Terminologjia, që përdorin ekonomistët në një situatë të tillë, është se kemi të bëjmë me një “ndryshim në kërkesë dhe një ofertë të shtuar, por jo “zhvendosje në ofertë”. Termat “sasi e shtuar/ pakësuar e ofruar dhe “sasi e shtuar/pakësuar e kërkuar” u referohen lëvizjeve përgjatë kurbave të kërkesës dhe ofertës, ndërsa “shtim i ofertës” dhe “shtim i kërkesës” u referohen zhvendosjeve të kurbave të kërkesës dhe të ofertës.
Shembull i një zhvendosjeje të lakores së ofertës
Supozojmë se ka ndodhur një ngjarje që e redukton ofertën e mallrave, për shembull, është rritur çmimi i lëndëve të para apo janë rritur pagat e punëtorëve. Kjo do të bëjë që kurba e ofertës të zhvendoset në të majtë të kurbës fillestare, duke shprehur një sasi më të vogël të ofruar. Për shkak se çmimet e lëndëve të para apo kostot e tjera të prodhimit janë rritur, çmimi i mallit të ofruar gjithashtu rritet dhe kërkesa e konsumatorëve për këtë mall me një çmim më të lartë bie, siç tregohet në grafikun 2.6. Në këtë situatë, kemi një ekuilibër të ri të tregut, me një nivel më të lartë të çmimit dhe një sasi më të ulët prodhimi.
Ndryshimet e njëkohshme në kërkesën dhe ofertën e tregut
Supozojmë se kanë ndodhur ngjarjet e të dy rasteve, edhe të rritjes së kërkesës dhe të pakësimit të ofertës. Në këtë rast, ekonomia do të lëvizë drejt një ekuilibri të ri të kërkesë-ofertës, që buron nga një zhvendosje permanente e kërkesës dhe ofertës, jo thjesht një lëvizje përgjatë këtyre dy kurbave. Se çfarë kushtesh tregu mund të prodhohen në këtë rast, varet nga fakti se në cilën kurbë shënohet zhvendosja më e madhe. Këto dy situata shpjegohen në grafikët 2.7 dhe 2.8.
a. Zgjerimi i kërkesës dhe një çmim i lartë ekuilibër: Kërkesa rritet më shumë se pakësimi i ofertës.
b. Pakësimi i kërkesës dhe një çmim i lartë ekuilibër: Kërkesa rritet më pak se rënia e ofertës.
Përfundim: Si çmimet e tregut shpërndajnë faktorët e prodhimit?
Në sistemin ekonomik të tregut të lirë, burimet e kufizuara ekonomike shpërndahen mbi baza konkurruese. Në qoftë se një copë toke mund të shërbejë për disa qëllime, atë do ta blejë ai që ofron dhe çmimin më të lartë. Oferta dhe kërkesa, duke ndërvepruar së bashku, përcaktojnë nivelin e çmimeve që blerësit dhe shitësit janë të gatshëm të shkëmbejnë midis tyre. Çmimet e tregut janë sinjali që përcakton dhe shpërndarjen e burimeve në ekonomi.