Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 10 Mësimi 3: Metodat e matjes së PBB së

Hyrje në Ekonomi Tematika 10 Mësimi 3

TEMATIKA 10 TREGUESIT KRYESORË MAKROEKONOMIKË

Metodat e matjes së PBB-së

Metodat e vlerësimit të PBB -së
“Produkti i Brendshëm Bruto është vlera e tregut të të gjitha mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në një vend në një periudhë të dhënë.” Në këtë përkufizim është e rëndësishme të mbajmë parasysh tre elemente thelbësore:
1. së pari në PBB përfshihet e gjithë vlera e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare;
2. së dyti ato duhet të jenë të vlerësuara me çmimin e tregut;
3. së treti llogaritja e PBB -së ka edhe elementin territorial.

Saktësia e llogaritjes së treguesve makroekonomikë, e në veçanti të PBB-së, ka rëndësi të veçantë për njohjen e gjendjes konkrete dhe leximin e impulseve nga ekonomia reale dhe sektori financiar. Vlerësimi i PBB-së siç e përmendëm edhe më sipër mund të llogaritet në tre mënyra:
1. mënyra e prodhimit;
2. mënyra e shpenzimeve;
3. mënyra e të ardhurave.

Për të pasur një informacion të plotë mbi vlerësimin e PBB-së, sipas të tria mënyrave, në vazhdim do të pasqyrojmë me detaje komponentët përbërës të secilës dhe procedurat e vlerësimit.

Vlerësimi i PBB-së me mënyrën e prodhimit
PBB, sipas mënyrës së prodhimit, llogaritet duke mbledhur vlerën e të gjithë produkteve dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në një ekonomi gjatë një periudhe të caktuar kohe. Duhet të theksohet se për të matur PBB-në duhet të përfshihen në llogaritje vetëm vlerat e produkteve dhe shërbimeve përfundimtare dhe jo atyre të ndërmjetme. Për këtë arsye, ekzistojnë dy mënyra të llogaritjes së produktit kombëtar: mënyra e transaksionit të fundit dhe mënyra e vlerës së shtuar.

Vlera e Shtuar = Prodhim – Konsum Ndërmjetës
Prodhimi: është vlera totale e të mirave dhe shërbimeve të prodhuara në një ekonomi gjatë një periudhe kohore. Ai ndahet në:
a. Prodhim tregu
– Është prodhimi që hidhet në treg dhe që duhet
të ketë një çmim të rëndësishëm ekonomik.
b. Prodhim i prodhuar për konsum final vetjak
– Përbëhet nga
mallra apo shërbime që mbahen ose për konsum final nga e njëjta njësi institucionale ose për formim të kapitalit fiks bruto nga e njëjta njësi institucionale.
c. Tjetër prodhim jo i tregut
– Prodhime që jepen falas, apo me
çmime të parëndësishme ekonomike tek njësitë e tjera.

Konsumi i ndërmjetëm
– Përbëhet nga vlera e mallrave dhe
shërbimeve të konsumuara si inpute nga një proces prodhimi, duke përjashtuar asetet fikse, konsumi i të cilave regjistrohet si konsum kapitali fiks. Mallrat dhe shërbimet mund ose të transformohen ose të përdoren në procesin e prodhimit.

Për ta bërë më të lehtë shpjegimin e llogaritjes së produktit kombëtar sipas këtyre dy mënyrave, marrim në konsideratë shembullin e prodhimit të bukës. Për të prodhuar bukë nevojitet miell, ndërsa për të prodhuar miell nevojitet grurë. Kështu, në llogaritjen e produktit kombëtar do të përfshihet vetëm vlera e prodhimit të bukës, dhe jo e miellit apo e grurit, pasi kjo përbën përsëritje të vlerës. Më konkretisht bazohemi në tabelën e mëposhtme.

Figura Ekonomia Tematika 10 Mesimi 3 F 1

Nëse përdorim mënyrën e transaksionit të fundit, atëherë vlera e produktit kombëtar është e barabartë me vlerën me të cilën bukëpjekësi u shet bukën konsumatorëve, pra me 2000. Ndërkohë nëse do të kishim llogaritur edhe vlerën me të cilën shitet gruri dhe mielli, produkti kombëtar do të ishte i mbivlerësuar dhe i barabartë me 3600, për shkak të përsëritjes së vlerës që krijohet kur kalohet nga një fazë prodhimi në një tjetër. Vlera e përsëritur në këtë rast është e barabartë me 1600.

Megjithatë, llogaritja e produktit kombëtar sipas kësaj mënyre në realitet është e vështirë, për shkak se jo i gjithë prodhimi i një dege shkon për prodhimin e një degë tjetër, duke e bërë jo të lehtë përcaktimin se duke e bërë jo të lehtë përcaktimin se ç’pjesë e prodhimit duhet të konsiderohet produkt i ndërmjetëm e ç’pjesë produkt përfundimtar. Për shembull, mielli që u shitet bukëpjekësve konsiderohet produkt i ndërmjetëm e për pasojë nuk llogaritet në vlerën e produktit kombëtar, ndërsa mielli që u shitet individëve për përdorim familjar konsiderohet produkt përfundimtar.

Zgjidhje për këtë vështirësi jep mënyra e vlerës së shtuar, e cila llogaritet duke mbledhur vetëm vlerën e shtuar të çdo faze prodhimi. Në fazën e parë vlera e shtuar është e barabartë me vlerën e transaksionit, pra me 500, ndërsa në fazat e tjera vlera e shtuar është e barabartë me diferencën ndërmjet vlerës së transaksionit aktual me atë paraprak. Sikurse tregohet edhe nga tabela, vlera e transaksionit të fundit e llogaritur me mënyrën e parë është e barabartë me shumën e vlerave të shtuara e llogaritur me mënyrën e dytë.

Për ta përmbledhur, sipas mënyrës së prodhimit, PBB = Produkt Kombëtar = Vlera e transaksionit të fundit = Shuma e vlerave të shtuara.

Vlerësimi i PBB-së me mënyrën e shpenzimeve
PBB, sipas mënyrës së shpenzimeve, llogaritet duke mbledhur të gjitha shpenzimet që bëjnë agjentët ekonomikë për blerjen e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare.
Y = C + I + G + NX Ku:
C -> konsumi i familjeve
G -> shpenzimet e qeverisë
I -> Investimet
NX -> Eksport – Import

Konsumi përfaqëson të gjitha shpenzimet që bëjnë individët për blerjen e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare, pavarësisht nëse përdoren për konsum afatshkurtër apo për konsum afatgjatë. Për shembull, blerja e një pakete turistike konsiderohet konsum individual.

Investimet përfaqësojnë të gjitha shpenzimet që bëjnë firmat për blerjen e mallrave kapitale, të cilat janë mallra që nuk përdoren për përdorim përfundimtar, por për të prodhuar mallra ose shërbime të tjera. Për shembull, makineritë që blejnë firmat për proceset e tyre të prodhimit konsiderohen investime.

Shpenzimet qeveritare përfaqësojnë të gjitha blerjet që bën qeveria për mallra konsumi dhe për investime, si dhe për shpenzimet e pagave të punonjësve të administratës.

Eksportet neto përfaqësojnë diferencën ndërmjet vlerës së eksporteve të një vendi me atë të importeve të tij.

Vlerësimi i PBB-së me mënyrën e të ardhurave
PBB, sipas mënyrës së të ardhurave, llogaritet duke mbledhur të gjitha të ardhurat e zotëruesve të faktorëve të prodhimit, pavarësisht nëse ata përdoren për të prodhuar mallra përfundimtarë apo të ndërmjetëm. Produkti i përgjithshëm në këtë rast jepet nga të ardhurat kombëtare, të cilat përfshijnë kompensimin e punonjësve, të ardhurat e firmave joaksionere, të ardhurat rentore të individëve, fitimet e korporatave para taksave, interesin neto dhe taksat indirekte mbi firmat e biznesit.

Kompensimi i punonjësve përfaqëson pagat e atyre që zotërojnë faktorin punë, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe të ardhura të tjera nga puna.

Të ardhurat e firmave joaksionere përfaqësojnë të ardhurat e atyre që ushtrojnë profesionin në mënyrë të pavarur, si noterë apo stomatolog, ose të ardhurat e atyre që vetëpunësohen.

Të ardhurat rentore të individëve përfaqësojnë të ardhurat që vijnë nga subjektet që individët kanë në pronësi të tyre dhe që i lënë në përdorim të të tretëve, si për shembull apartamente, ambiente biznesi, toka bujqësore, makineri.

Fitimet e koorporatave para taksave përfaqësojnë fitimin e pashpërndarë, dividentët që u shpërndahen aksionerëve, si dhe taksat mbi fitimin e këtyre koorporatave.

Interesi neto përfaqëson diferencën ndërmjet interesave që marrin individët apo firmat për kapitalin e dhënë hua ndaj të tretëve dhe interesave që paguajnë ata vetë për kapitalin e marrin hua.

Taksat indirekte mbi firmat e biznesit përfaqësojnë taksat që vendosen jo mbi fitimin e firmave, por mbi shitjet, mbi pronën, si dhe akcisat. Duhet të theksohet se, pavarësisht se këto lloj taksash nuk përfaqësojnë të ardhura të zotëruesve të faktorëve të prodhimit, pasi ato shkojnë për qeverinë dhe qeveria nuk është një e tillë, ato përfshihen në llogaritjen e PBB-së, pasi ndikojnë drejtpërdrejtë në koston e mallrave apo shërbimeve të prodhuara, e rrjedhimisht në çmimin e shitjes së tyre.

Të tri mënyrat e llogaritjes së PBB-së teorikisht duhet të japin të njëjtën vlerë, pra:
PBB = Produkti Kombëtar = Shpenzimet Kombëtare = Të Ardhurat Kombëtare