Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 6 Mësimi 1: Strukturat e tregut dhe konkurrenca

Hyrje në Ekonomi Tematika 6 Mësimi 1

TEMATIKA 6 STRUKTURA E TREGUT

Strukturat e tregut dhe konkurrenca
Strukturat e tregut dhe konkurrenca Oferta dhe kërkesa janë dy forcat kryesore në një ekonomi tregu. Ato përcaktojnë sasitë e secilit produkt apo mall dhe çmimet me të cilat ato shiten në treg. Shumica dërrmuese e zhvillimeve ekonomike janë të lidhura ngushtë me raportet ndërmjet kërkesës dhe ofertës në treg. Gjithsesi, këto analiza duhet të plotësohen edhe me strukturat e tregut.

Me strukturë tregu do të kuptojmë mjedisin ku firmat kryejnë aktivitetin e tyre ekonomik. Nisur nga numri i firmave në treg, madhësia e tyre, lehtësia për t’u futur në treg, aftësia për diferencim të produkteve etj. kemi katër forma kryesore të strukturave të tregut, të cilat janë:
1. Konkurrenca e plotë
2. Konkurrenca monopolistike
3. Oligopoli
4. Monopoli

Siç mund të vihet re, strukturat e tregut janë të lidhura ngushtëme konceptin e konkurrencës. Po ç’është konkurrenca?

Në aspektin e përgjithshëm, konkurrenca ka të bëjë me rivalitetin ndërmjet dy ose më shumë entiteteve, organizmave, individëve, ekonomive apo shoqërive.
Në aspektin ekonomik, konkurrenca ka të bëjë me rivalitetin mes shitësve për të rritur fitimet e tyre, volumin e shitjeve apo dhe pjesën e tregut që kanë, duke përdorur elementë të ndryshëm të marketingut, si çmimet, prodhimin, promocionin apo edhe vendin ku ata zhvillojnë aktivitetin e tyre. Duke analizuar edhe një herë të katër format e strukturave të tregut mund të shohim se, duke lëvizur nga tregjet që operojnë në konkurrencë të plotë drejt monopolit, tregjet karakterizohen nga ulja e numrit të firmave dhe konkurrencës. Pra, sa më shumë shitës të ketë në treg, aq më e lartë është konkurrenca mes tyre.

Rëndësia e konkurrencës në ekonomi
Konkurrenca është e pashmangshme në biznes, pavarësisht llojit të aktivitetit apo madhësisë që mund të ketë. Konkurrenca nuk duhet parë si një e keqe, por si një mjet, i cili çon në rritjen dhe përmirësimin e biznesit. Disa përfitime nga konkurrenca mund të jenë:
a. Mundësi zgjedhje – Konkurrenca u mundëson konsumatorëve zgjedhje mes bizneseve që ofrojnë produkte të njëjta, duke shkuar aty ku shërbimi apo marketing mund të jetë më i mirë.
b. Diversifikim (larmishmëri) – Konkurrenca bën që prodhuesit të mendojnë për diversifikim të produkteve që ofrojnë e, si rrjedhim, një shumëllojshmëri më të lartë për konsumatorët.
c. Zhvillon kërkimin e tregut – Konkurrenca i shtyn firmat që të bëjnë kërkime tregu të vazhduar për të kuptuar shijet dhe dëshirat e konsumatorëve, në mënyrë që të mbajnë sa më pranë konsumatorët e tyre.
d. Krijimi i aftësive të reja – Konkurrenca shpesh i shtyn prodhuesit që të fitojnë aftësi të reja, në mënyrë që të qëndrojnë në treg.