Kurrikula
Kursi: Hyrje në Ekonomi
Identifikohu

Curriculum

Hyrje në Ekonomi

0/43
Mësimi me video

Tematika 9 Mësimi 3: Funksionet e Bankës Qendrore të Shqipërisë

Hyrje në Ekonomi Tematika 9 Mësimi 3

TEMATIKA 9 PARAJA DHE INSTITUCIONET FINANCIARE

Funksionet e Bankës Qendrore të Shqipërisë

Struktura e Bankës Qendrore të Shqipërisë
Sipas Kushtetutës së vendit tonë: “Banka e Shqipërisë, brenda kompetencave të përcaktuara në këtë ligj, është e pavarur nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj, si dhe në ushtrimin e detyrave të ngarkuara. Çdo subjekt është i detyruar të respektojë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, të mos kërkojë të influencojë te ndonjë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës për të cenuar detyrimet e tij ndaj Bankës së Shqipërisë, si dhe të mos ndërhyjë në veprimtaritë e Bankës së Shqipërisë”. Struktura organizative e Bankës së Shqipërisë përfshin: Këshillin Mbikëqyrës, administratorët ku përfshihet Guvernatori dhe dy Zëvendësguvernatorët, drejtuesit dhe punonjësit e departamenteve të ndryshëm.

Për shkak të pavarësisë që i jepet me ligj bankës qendrore të çdo vendi, mbi të vendoset kontrolli parlamentar, i cili realizohet:

së pari, nëpërmjet procesit të përzgjedhjes, emërimit dhe shkarkimit të Guvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës me mandat 7-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhje pa kufizim;

së dyti, nëpërmjet skemës së përzgjedhjes dhe emërimit të 9 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, tre përzgjidhen nga qeveria, pesë nga parlamenti (nga propozime të maxhorancës dhe opozitës në raport me përqindjen e përfaqësimit në numrin total të deputetëve) dhe një nga vetë Banka e Shqipërisë.

Figura Ekonomia Tematika 9 Mesimi 3 F 1

Funksionet kryesore të Bankës së Shqipërisë qartësohen në Kushtetutë dhe në Ligjin e Bankës së Shqipërisë. Në cilësinë e autoritetit monetar, rregullator dhe mbikëqyrës të sistemit bankar të vendit, Banka e Shqipërisë gëzon të gjitha funksionet e mirëfillta të një banke qendrore klasike:

1. Harton, miraton dhe zbaton politikën monetare të vendit, për realizimin e objektivave të së cilës ajo përdor instrumentet e duhura monetarë. Për shembull, objektivi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2017 ishte arritja dhe mbajtja e një inflacioni në nivelin 3%.
2. Ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes në qarkullim të monedhës kombëtare, ku përfshihen kartëmonedhat dhe monedhat metalike.
3. Mban dhe administron rezervat valutore të Republikës së Shqipërisë.
4. Harton, miraton e zbaton regjimin e këmbimit valutor si dhe politikën e kursit të këmbimit. Lidhur me kursin e këmbimit, që në fillim të tranzicionit Shqipëria përzgjodhi kursin e këmbimit fleksibël midis monedhës sonë kombëtare (leku) dhe monedhave të huaja që këmbehen sipas kërkesë – ofertës për para në treg. Me ndërhyrje të moderuara të Bankës së Shqipërisë në momente të veçanta, kur monedha kombëtare rivlerësohet, lehtësohet importi dhe shtrenjtësohet eksporti. Për shkak të rritjes së deficitit tregtar, bie rritja ekonomike.
5. Licencon ose heq licencën për ushtrimin e veprimtarisë bankare, si dhe mbikqyr aktivitetin bankar me qëllim sigurimin e stabilitetit të sistemit bankar dhe financiar të vendit.
6. Shërben si bankier, këshilltar e agjent fiskal i Republikës së Shqipërisë.
7. Shërben si bankë e bankave të nivelit të dytë.
8. Nxit funksionimin normal të sistemit të pagave.

Kutia 1:
Sipas raportit vjetor të vitit 2017: “Objektivi kryesor i politikës monetare në Shqipëri është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Një mjedis ekonomik me çmime të qëndrueshme:
1. u mundëson
familjeve dhe bizneseve të marrin vendime të mirinformuara për konsum, kursime dhe investime;
2. ndihmon në ruajtjen e fuqisë blerëse dhe parandalon shpërndarjen e paparashikuar të të ardhurave;
3. lehtëson shpërndarjen eficiente të burimeve në ekonomi; dhe gjithashtu
4. promovon stabilitetin
financiar të vendit. Në këtë mënyrë, politika monetare nxit rritjen e qëndrueshme dhe afatgjate të vendit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në mirëqenien ekonomike dhe shoqërore.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka si objektiv të saj ruajtjen e inflacionit rreth nivelit 3% në periudhën afatmesme. Për përmbushjen e këtij objektivi, Banka e Shqipërisë zbaton regjimin e shenjëstrimit të inflacionit, ndërsa kursi i këmbimit përcaktohet lirisht nga raporti i kërkesës dhe ofertës për valutë në treg. Në aspektin operacional, politika monetare realizohet nëpërmjet ndërhyrjes me instrumente indirektë në tregjet financiare”.

Kursi i këmbimit
Një element i rëndësishëm i Bankës Qendrore të Shqipërisë janë politikat e kurseve të këmbimit, të cilat kanë një ndikim mbi aktivitetin ekonomik të individëve, bizneseve dhe buxhetit të shtetit, nëpërmjet efekteve pozitive apo negative që kanë në të ardhurat dhe detyrimet e tyre valutore. Vendi ynë ka një volum të madh të shkëmbimeve valutore për shkak të deficitit të lartë tregtar, për shkak të Investimeve të Huaja Direkte në ekonomi, të nivelit të lartë të remitancave të dërguara nga emigrantët, si dhe për shkak të borxheve në valutë të huaj që kanë individët, biznesi dhe buxheti i shtetit. Ka disa vende që aplikojnë sistem të kurseve fikse të këmbimit kryesisht me dollarin apo euron dhe monedha të tjera. Avantazhi i kurseve fikse është se ato reduktojnë një rrezik të konsiderueshëm që kanë individët, biznesi dhe buxheti i shtetit nga luhatjet e kurseve të këmbimit.

E meta kryesore e kurseve fikse është reduktimi i efekteve të politikave monetare në ekonominë reale sepse politikat monetare të bankave qendrore hartohen dhe implementohen në monedhat kombëtare. Për vendet anëtare të eurozonës nuk vepron ky rrezik, sepse ditën zyrtare që ato bëhen pjesë e eurozonës, heqin nga qarkullimi monedhat e tyre kombëtare dhe aplikojnë monedhën zyrtare të eurozonës që është euro. E dyta, kurset fikse kërkojnë një ekonomi konkurruese që e mban në ekuilibër raportin e monedhës kombëtare me monedhat e huaja. Nëse një vend aplikon kurs fiks këmbimi, por ka rritje të ulët ekonomike, deficit të lartë tregtar, deficit buxhetor dhe borxh publik të lartë, aftësi të ulët konkurruese, në këtë rast parashikohet se do të ketë një krizë ekonomike, sociale dhe financiare, e cila sjell një zhvlerësim të madh të monedhës kombëtare, duke ulur vlerën reale të kursimeve, të të ardhurave, pagave, si dhe të vlerës së fondeve të mbrojtjes sociale për të varfrit dhe të paaftëve për punë.

Stabiliteti i sistemit bankar
Një funksion tjetër i rëndësishëm i Bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të sistemit bankar, i cili përbën rreth 90% të sektorit financiar në vendin tonë. Ky funksion është shumë i rëndësishëm sepse falimentimi qoftë edhe i një banke të vetme, sado e vogël në peshën e saj në totalin e kursimeve të popullsisë, nëpërmjet efektit domino mund të rrëzojë banka të tjera dhe të krijojë një krizë të rëndë bankare, të ushqyer nga efekti i panikut që krijohet te depozituesit. Duke mësuar nga krizat e mëparshme bankare, për të reduktuar panikun bankar të depozituesve të vegjël, edhe në vendin tonë është krijuar skema e sigurimit të depozituesve, ku që prej vitit 2002 funksionon Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD). Niveli i mbulimit të depozitave në rast falimentimi të një banke ndryshon nga fuqia ekonomike e shteteve të ndryshme.

Në rast falimentimi të ndonjë banke, kjo është shuma që garanton dhe paguan ASD për depozituesit që kanë depozita mbi këtë vlerë. Strategjia më e mirë ndaj krizave bankare potenciale është parandalimi i tyre. Për këtë ndërtohen sisteme të matjes së rreziqeve, të cilat synojnë të identifikojnë që në fillim shenjat e krizave potenciale. Pas krizës globale të vitit 2017, ky proces është synuar të përmirësohet ndjeshëm. Një element i rëndësishëm i parandalimit të krizave bankare është përafrimi dhe unifikimi i kritereve dhe sistemeve rregullatore të përcaktuara nga insitucionet financiare ndërkombëtare si Bank for International Settlements dhe Banka Qendrore Evropiane.

Sistemi i pagesave
Ndër funksionet kryesore të bankave qendrore është edhe sistemi i pagesave, pra lehtësimi i tregtisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Banka qendrore është përgjegjëse edhe për licencimin e institucioneve private që ofrojnë shërbime pagese. Një sfidë e madhe aktualisht për sistemet e pagesave janë kostot e mëdha të vjedhjeve elektronike, të cilat u kalohen përdoruesve të instrumenteve të ndryshme të pagesave. Teknologjitë e reja në sistemin e pagesave do të lehtësojnë arritjen e objektivave kryesore të një sistemi pagese që vepron shumë shpejt, është i saktë dhe ka kosto të ulët për klientët e bankave. FinTech dhe BlockChain janë sot prirjet moderne teknologjike në sistemin bankar dhe financiar të vendeve të ndryshme.