Hyrje në Ekonomi Tematika 2 Mësimi 3
Oferta
Le të trajtojmë tani anën tjetër të tregut, sjelljen e shitësve. Oferta përbën sasinë e ofruar të një malli apo shërbimi që shitësit janë të gatshëm dhe në gjendje të blejnë për nivele të ndryshme çmimesh në një kohë dhe në një vend të dhënë.
Lakorja e ofertës – marrëdhëniet midis çmimit dhe sasisë së ofruar në treg
Sasia e ofertës është sasia e një malli dhe shërbimi që shitësit janë të gatshëm dhe në gjendje që ta ofrojnë për shitje. Edhe në këtë rast, çmimi luan një rol thelbësor në përcaktimin e ofertës së mallrave. Kur çmimi i akullores rritet, prodhuesit e akullores kanë mundësi të prodhojnë dhe të shesin më shumë akullore. Prodhuesit mund të punojnë më shumë dhe të marrin në punë më shumë punëtorë, në mënyrë që të prodhojnë sasinë e akulloreve që kërkohet nga tregu. Në të kundërt, kur çmimi i akullores bie, atëherë firmat nuk mund të shesin më shumë akullore. Madje, disa prodhues të akulloreve edhe mund ta mbyllin aktivitetin, duke qenë se fitimet janë të ulëta dhe firmat nuk mund të përballojnë koston e prodhimit. Kjo marrëdhënie midis ofertës dhe çmimit quhet ligji i ofertës. Në kushte të tjera të pandryshueshme, sasia e ofruar e një malli rritet, kur çmimi i mallit rritet, dhe oferta bie, kur çmimi i mallit bie. Paraqitja në tabelë e sasive të ofruara për çdo nivel të çmimit, quhet skeduli i ofertës, ndërsa paraqitja grafike quhet kurba e ofertës.
Oferta e tregut dhe oferta individuale. Siç theksuam te kërkesa se kërkesa e tregut është kërkesa për blerje nga të gjithë blerësit e një malli, edhe oferta është sasi e ofruar për shitjen e një malli nga të gjithë prodhuesit e atij malli. Grafiku demonstron sasinë e ofruar për çdo nivel të dhënë çmimi. Cilët janë faktorët që mund të shkaktojnë një zhvendosje në ofertë?
1. Çmimet e inputeve të prodhimit – Për të prodhuar akullore, nevojitet një numër lëndësh të para, si qumësht, sheqer, aromatizues, energji, makineri prodhuese, fuqi punëtore etj. Kur çmimi i një inputi të prodhimit rritet, domethënë se kostot e prodhimit rriten, prandaj dhe fitimet e firmave bien. Prodhimi i akullores bëhet më pak fitimprurëse, ndaj dhe sasia e ofruar do të bjerë. Sasia e ofruar është e lidhur negativisht me çmimin e inputeve të prodhimit.
2. Teknologjia – Shpikja e një teknologjie të re të prodhimit të mallit ul kërkesën për fuqi punëtore dhe ndikon në uljen e kostos së prodhimit. Për pasojë, firma mund të ofrojë më shumë akullore në treg.
3. Pritshmëritë – Në rast se firmat prodhuese të akulloreve parashikojnë që shitjet në periudhat e ardhshme do të rriten, ato mund të prodhojnë më shumë që sot dhe të vendosin në ruajtje sasinë e tepërt për ta shitur në momentin e rritjes së kërkesës.
4. Numri i shitësve – Sa më i madh numri i ofruesve në tregun e akulloreve, aq më e madhe është dhe sasia e ofruar për shitje.