Keni Pyetje?
Mesazhi u dërgua. Mbylle
0
0 vlerësime

Gjuha Shqipe Klasa 12

347 Studenta Regjistruar
  • Përshkrimi
  • Kurrikula
  • Vlerësimi

HARTIMI DHE STRUKTURIMI I TEKSTIT

Gjatë hartimit të tekstit Gjuha shqipe 12 janë mbajtur parasysh njohuritë e përftuara nga nxënësi në këtë lëndë, në klasat paraardhëse si dhe zhvillimi i kompetencave kyçe: qytetare, digjitale, personale, të të menduarit, të të nxënit, të komunikimit, të sipërmarrjes dhe të mjedisit.

Synimi i tekstit është përgatitja dhe formimi i individëve të aftë për të demonstruar njohuri, shkathtësi, qëndrime dhe vlera, duke përmbushur kërkesat personale për rritje intelektuale, shoqërore, estetike dhe emocionale.

Lënda e gjuhës shqipe, e cila bën pjesë në fushën “Gjuhët dhe komunikimi”, i aftëson nxënësit që ta përdorin gjuhën për të komunikuar, për të marrë informacion, për kënaqësi estetike, si dhe për të përmbushur kërkesat e shoqërisë dhe të vendit të punës që nxënësit do të kenë në të ardhmen.

Teksti është organizuar në pesë njësi dhe ka si qëllim zhvillimin e pesë kompetencave të lëndës:
* Të folurit për të komunikuar dhe për të mësuar
* Të dëgjuarit e teksteve të ndryshme
* Të lexuarit e teksteve të gjuhës së folur, të shkruar dhe mediatike
* Të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale
* Përvetësimi i rregullave gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit

Organizimi i materialit tematik është mbështetur në parimin e integrimit, rimarrjes dhe vazhdimësisë së njohurive duke i zgjeruar dhe duke i thelluar ato.

Materiali mësimor është parashtruar në tekst i grupuar sipas këtyre rubrikave:
Njohuri për tekstin
Njohuri gjuhësore
Të dëgjuarit
Të folurit
Të mësuarit duke bërë

Në llojet e ndryshme të teksteve integrohen njohuri nga fusha e morfologjisë, sintaksës, leksikologjisë dhe drejtshkrimit. Me to, gjithashtu, gërshetohen rubrikat: punë praktike, të folurit dhe të dëgjuarit.

Duke u bazuar në udhëzimet e programit mësimor për lëndën e gjuhës shqipe të klasës së 12-të, çdo tekst joletrar është trajtuar në të paktën tri tema mësimore dhe të gjitha njohuritë gjuhësore që janë renditur pas secilit tekst, ndihmojnë (përmes shembujve të sjellë dhe teksteve të përdorura për ushtrime praktike) në aftësimin e nxënësit në përdorimin e këtij lloj teksti.

Për shembull: njohuritë e tekstit përshkrues pasohen nga njohuri morfologjike apo nga njohuri të fushës së leksikologjisë. Po kështu, pas njohurive për tekstin argumentues, nxënësi punon mbi të dëgjuarin kritik apo përvetëson njohuri mbi llojet e fjalive.

Integrimi i njohurive
Në mënyrë që formimi i nxënësit të jetë tërësor e jo fragmentar, gjuha shqipe krijon lidhje me fushat e tjera. Tekstet joletrare janë përzgjedhur me kujdes dhe kanë një tematikë të larmishme.
Është mbajtur parasysh që ato të jenë nga fusha të ndryshme, si: nga gjuha, letërsia, sociologjia, historia, gjeografia, trashëgimia, politika, arti e kultura etj.

Vetëvlerësimi i njohurive
Është e rëndësishme që nxënësi përveç vlerësimeve që merr nga mësuesi nëpërmjet testimeve apo vlerësimeve të vazhduara, të aftësohet për të vlerësuar veten, për të identifikuar arritjet dhe mosarritjet e tij. Nga njëra anë, forma e vetëvlerësimit “Ditari i vetëvlerësimit” i shërben nxënësit si një përmbledhje për njohuritë që ka marrë e veprimtaritë që ka kryer. Përmes tij, ai mund të reflektojë e të mësojë mënyra për të kuptuar më mirë veten dhe për të zhvilluar më tej njohuri, qëndrime, aftësi apo vlera që do t’i nevojiten në të ardhmen. Nga ana tjetër, “Ditari i vetëvlerësimit” mund t’i shërbejë mësuesit si një instrument për të njohur më mirë nxënësin dhe qasjen e tij personale ndaj të nxënit.

Mësuesi ka në dorë një mundësi të artë. Ai, duke e trajtuar çdo dije me respekt, përkushtim e dashuri mund të bëhet një urë e sigurt ndërlidhëse midis nxënësit dhe tekstit, midis individit dhe dijes. Kurse nxënësi, duke punuar me këtë libër me përkushtim e dashuri mund të hapë rrugë të pafundme për zhvillimin e tij intelektual.
Gjuha është energji! Mësoni ta shfrytëzoni!
Suksese!